Shënim/ S’paska qenë përpjekje për garën dhe votën, por pazar për karrigen!

Dëmin më të madh që i bëri Edi Rama administratës publike kur erdhi në pushtet në vitin 2013 ishte tallja dhe zhbërja e idesë së konkurseve. Shumë mirë ai mund t’i kishte emëruar të zgjedhurit e vet në ato pozicione dhe, normale në një vend si Shqipëria, askujt nuk do t’i bënte përshtypje, mirëpo ai u tall me shqiptarët duke krijuar iluzionin e organizimit të konkurseve dhe ‘çuditërisht’ ato fitoheshin vetëm nga socialistët, duke nisur nga pozicioni më i ulët i drejtorit të shkollës e duke vijuar në të gjithë hierarkinë e administratës.

Të njëjtën gjë bëri Sali Berisha me ‘Foltoren’ e tij, i cili për muaj me radhë i ra rreth e përqark Shqipërisë, çka zhbëri dhe defaktorizoi frymën opozitare në vend, duke akuzuar dhe luftuar Lulzim Bashën si njeri që kishte ‘vrarë’ garën brenda Partisë Demokratike, me premtimin se do të kthente garën dhe votën e lirë brenda atyre strukturave. Madje, disa naivë mendonin se pasi të dëbonte Bashën nga partia, do tërhiqej dhe do ishte thjesht garanti i një gare të lirë dhe të ndershme.

Në fakt, të gjithë luftën kundër SHBA dhe vendimit të saj për ta shpallur “Non grata” arriti ta kamuflonte si betejë për demokratizimin e PD-së dhe si çlirim nga pengmarrja e Lulzim Bashës.

Mirëpo, nga ai moment dhe në vijim, nuk bëri gjë tjetër vetëm se faktoi të kundërtën, duke i marrë frymën opozitës, duke e mbajtur peng, duke vrarë garën thuajse për gjithçka brenda “Rithemelimit”, duke parathënë gjithçka përsa i përket çdo pozicioni, duke filluar nga kryetari lokal i degës, anëtarët e kryesisë, kandidatët për zgjedhjet vendore, anëtarët e Këshillit Kombëtar, drejtuesit e forumit rinor dhe të gruas dhe duke arritur kulmin me emërimin e disa nënkryetarëve dhe anëtarëve të rinj të kryesisë dhe duke dhënë mesazhin se gjithçka nuk qenka bërë për parime dhe për vlera, por gjithçka paska qenë pjesë e një pazari të rëndomtë, se beteja në PD nuk qenka bërë për garën, por mjafton t’i bashkohesh ‘Foltores’ dhe të gjithë ‘mëkatet’ politike të fshiheshkan me gomë sikur t’i bashkoheshe faltores.

Mjafton ky detaj për të kuptuar se gjithçka ka qenë një tallje e hapur me demokratët dhe shqiptarët, ashtu siç do rezultojë edhe në të ardhmen. Pra, ata që i ishin bashkuar Berishës, sepse Basha u kishte ndërprerë karrierën normale në PD apo të tjerë që iu bashkuan atij me idenë për të ‘shpëtuar’ karrierën e tyre politike, kanë rastin më të mirë për të kuptuar se s’paska qenë Basha ai që ua paska bërë një gjë të tillë, por Berisha për të forcuar dhe për të mbajtur gjallë pozitat e tij brenda opozitës, duke shpresuar që, nëpërmjet kësaj, t’i shpëtojë drejtësisë.

Pavarësisht gjithçkaje, ‘Rithemelimi’ vijon të jetë një organizatë fantazmë dhe ilegjitime. Për sa kohë që nuk zyrtarizohet si parti, duke u regjistruar në Gjykatë, i gjithë ai grup deputetësh do të përfundojnë rrugëve ose, në zgjedhjet e radhës, do të jenë në humorin e Berishës apo të Metës, në mos qoftë në N. Ndokës.

Sa për ata që iu bashkuan edhe formalisht Berishës, rrjedhimisht ata nuk janë më pjesë e Partisë Demokratike, sepse nuk mund të jenë automatikisht pjesë e dy strukturave paralele. Ata të vijojnë rrugën e tyre për të mbrojtur interesat e Berishës dhe të shpresojnë të arrijnë të kapin një karrige deputeti në zgjedhjet e ardhshme, por interesat dhe aspiratat e demokratëve as nuk i përfaqësojnë as nuk i mbrojnë dot më./ Namir Lapardhaja

Artikulli paraprakSherri për motive pronësie mes vëllezërve në Lushnjë përfundoi me përdorimin e armës dhe sëpatës, ndërron jetë te “Trauma” 70-vjeçari
Artikulli tjetërPD, Eralda Bano: Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është subjekt i një sërë parregullsive dhe shkeljeve proceduriale, të cilat reflektohen në raportet e auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shetit.