Cavani, Mister 100 golëshi me PSG

Edinson Cavani arrin kuotën e 100 golave. PSG është në dorë të “El Matador”, i cili në takimin  kundër Angers, arriti të realizonte golin e tij të 100 me fanellën e parisienëve. Uruguaiani ia dedikoi golin viktimave të klubit brazilian Chapecoense, të cilët humbën jetën në një aksident ajror, duke veshur një bluzë me mbishkrimin “Forca Chapecoense”. Sulmuesi është duke kaluar një moment shumë të mirë duke tejkaluar të gjitha parashikimet e bëra për të. Sezoni më i mirë i Cavanit është ai i vitit 2012-2013 gjatë kohës kur luante për skuadrën e Napolit me 38 rrjeta të realizuara. Sidoqoftë rekordet janë bërë për t’u thyer dhe 29-vjeçari duket se është në rrugën e duhur për të zhvilluar një vit futbollistik me ritme shumë të larta. Goli kundër Angers, e çon “El Matador” momentalisht në kuotën e 19 golave në të gjitha kompeticionet në këtë sezon dhe premisat janë që kjo shifër të rritet. Trajneri i kampionëve të Francës, Unai Emery nuk ka aspak dyshime për cilësitë e bomberit uruguain, madje ai është i gatshëm të vendosë bast se ky do të jetë sezoni më i mirë në karrierë për Edinson Cavanin. Uruguaiani për herë të parë që nga momenti kur ai u transferua tek Parisi, po luan futboll pa qenë nën hijen e Zlatan Ibrahimoviç, por edhe pse suedezi nuk luan më për parisienët, golat e tij kanë lënë gjurmë. 156 është numri i rrjetave të realizuara në katër sezone që ai luajti për PSG, por ky fakt nuk e shqetëson aspak Cavanin, i cili ka deklaruar se detyra e tij është të punojë fort për skuadrën, për arritjen e objektivave sezonalë.
PSG nuk e humbi ritmin e kryesuesve në Ligën e parë franceze pasi bëri detyrën në shtëpi përballë Angers duke fituar me rezultatin 2-0. Skuadra parisiene vinte pas katër fitoreve radhazi në kampionat dhe ndaj Angers hasi probleme deri në momentin që zhbllokoi rezultatin me Tiago Silvën në minutën e 34-tërt. Në pjesën e dytë ishte Cavani që vuri në kasafortë 3 pikët me golin e 2-0. Me këtë fitore PSG ngjitet në vendin e 2-të në klasifikim, 1 pikë pas Nicës kryesuese dhe me pikë të barabarta me Monacon.
Olimpik Lion u ngjit në zonën europiane pas një fitoreje tenistike 6-0 me Nantes që zbret akoma më poshtë në renditje pas kësaj humbje. Miqtë bënë një ndeshje shumë të mirë në transfertën e “La Beaujoire” teksa dominuan të gjithë ndeshjen duke vajtur në pushim në shifrat 3-0 pas golave të shënuar nga Tolisso, Lacazzete dhe Gonalos, që realizoi për herë të parë në këtë sezon. Në pjesën e dytë rezultati u thellua më tej nga Valbuena, Diakabhy dhe Fekir që vulosën fitoren më të thellë të Lionit në këtë kampionat.

Artikulli paraprakFitore me Napolin
Artikulli tjetërBale mungon deri në prill