Për të fituar 10 euro rimbursim nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në rastin e dorëzimit të kuponëve fiskalë qytetarët e vendit duhet t’i shpenzojnë 2,5 euro, apo 25 për qind të mjeteve që ata marrin. Qytetarët e vendit po “plaçkiten” edhe në rastin e rimbursimit të kuponëve fiskalë. Ata obligohen që të paguajnë shërbime bankare, si dhe postare në mbledhjen e kuponëve nga të cilët marrin një shumë simbolike. Që me fillimin e rimbursimit të mjeteve nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) qytetarët detyrohen që të paguajnë provizion bankar me një shumë nga 2 euro.
Por, që nga ky muaj qytetarëve iu shtohet edhe një kosto tjetër prej 0,50 euro pasi që tani aplikimi dorëzimi i plikove me kuponë fiskalë do të bëhet online në cilëndo pikë të Postës së Kosovës. Për shumën prej 10 eurosh që e fitojnë nga rimbursimi i kuponëve fiskalë ata obligohen që të paguajnë shërbimet e postës si dhe ato bankare. Por, këto shërbime po shihen si ofendim ndaj qytetarëve nga kryetari i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. Ai ka thënë për “Zërin” se këto kushtëzime janë diskriminim, mashtrim dhe ofendim i qytetarëve.
“Është diskriminim, është mashtrim, është keqtrajtim dhe është ofendim i inteligjencës së qytetarit konsumator. Ne si organizatë ‘Konsumatori’ kemi qenë jashtëzakonisht të zellshëm në kërkesat për disa lehtësime fiskale. Kemi hyrë në vitin e pestë që organizata ‘Konsumatori’ i ofrohet Ministrisë dhe institucioneve gjegjëse që në partneritet të trefishojmë buxhetin dhe të mos kemi arnime të tilla të cilat po na kushtojnë kohë dhe shqetësime, nervozë”, ka thënë ai.