NGA BALIL GJINI
Dita e mësuesit në Shqipëri, ditë feste apo zie?
Sot është dita e mësuesit dhe unë, duke qenë njeri prej tyre, dua të përshëndes të gjithë kolegët e mi, të gjithë nxënësit që kam pasur në Rehovë, në Çorrogjaf e në Zhabokikë, e më vonë, ata që kam pasur në Berat.
Marrëdhëniet e ndërsjellta me ta besoj se kanë qenë fantastike.
Por në këtë ditë unë s’mund të vendos rrubë të zezë te sytë, për të mos e parë realitetin ashtu siç është .
Arsimi dhe shëndetësia janë në ditët e tyre më të zeza dhe unë nuk di të them saktësisht nëse dita e mësuesit është ditë feste, apo ditë zie.
Figura e mësuesit është shkalafitur e çapërlyer.
Të gjithë, si një tufë orlash të zinj, i janë turrur atij: shteti, familja, opinioni, vetë nxënësit. Shumë prej tyre iu është rëndur kaq shumë kjo punë, sa mezi presin të dalin në pension.
I gjithë faji është i shtetit. E ka diskretituar rolin e mësuesit, e ka nëpërkëmbur e poshtëruar atë.
E ç’mund të bëjë një mësues që nuk ka asgjë në dorë. Absolutisht asgjë. E gjithë jeta është ndërtuar mbi dy parime: dënimi dhe shpërblimi.
Nxënësi që nuk mëson, vetiu duhet të ngelet në klasë.
S’ka pse të kërkojnë të ngjiten të gjithë në majë, të vazhdojnë garën, kur s’kanë as aftësinë, as takatin.
Po a e bën dot mësuesi këtë? E pamundur.
Parimi i vlerësimit në shkollat tona, ku të gjithë marrin nënta e dhjeta, nuk ka lejuar të lindin elitat e vërteta, ato intekektuale. Jo. Kudo shkëlqen e praron dielli i vakët i mediokritetit.
Në shkollat tona llamburit dhe të verbon fallsiteti.
Gjithçka është fasadë, ylberë të rremë, bojara e ngjyra arixhinjsh.
Pa pikën e klasit. Programet, tekstet, teknologjia janë shumë të prapambetura, por askush nuk e çan kokën për to, gjithkush bën me gjasme.
Vetë nxënësve, që jashtë shkollës punojnë me komjutera e telefona të markave të fundit, s’ka si të mos i neveritet një orë mësimi ku mësuesi punon vetëm me shkumës në dërrasën e zezë.
Shteti, shoqëria dhe gjithë mjedisi shoqëror, është i ndotur dhe i infektuar nga kultura e kotësisë dhe e vanitetit.
Gjithkush kërkon të drejta, pa e ditur fare ndonjëherë se për t’i pasur ato duhet të plotësosh disa deyrime.
Shoqëria iu afron si model nxënësve gangsterët, shkelësit e ligjit, ata që fitojnë miliona euro për disa muaj në Zvicër.
Në këto situata absurde të gjithë ngenë gishtin dhe kërkojnë fajtorin, mësuesin. E kanë vendosur atë në qoshen e klasës, dhe, si në një ring boksi, e godasin të gjithë, pa përjashtim: shteti, shoqëria, vetë nxënësit e tij.
Dhe ai i shkreti as doreza nuk ka për t’u mbrojtur. Ndihet i braktisur dhe i panevojshëm. Dhe të ndihesh i panevojshëm në shoqëru, dihet, kjo është një nga gjërat që synojnë diktaturat më të egra…