Kejn i destinuar për rekorde, arritje historike në Europë

“Fenomenale”, termi ideal për të përshk ruar debutimin e Herri Kejn me klubin e Bajernit në ciklin 2023-2024. Edhe pse u pa me skepticizëm kuota që bordi depozitoi në klubin e Totenhem për të siguruar sulmuesin anglez, ai ia ka dalë t’ia kthej besimin me gola dhe kontribut thelbësor në shërbim të ekipit.

Pavarësisht se rekordmenët e Bundesligës po përjetojnë periudhë ndër më të errëtat në kampionat, goleadori ishullorë ka shkuar në kuotën e 27 realizimeve, kryeshënues në top-5 ligat kryesore të Europës dhe kërcënon seriozisht rekordin e Robert Levandovskit, në spektrin e golave brenda një sezoni të vetëm, 41 të tillë.

Aventura në Ligën e Kampionëve merr nota më pozitive në tërësi. Pas dopietës kundër Lacios në takimin e kthimit, vendimtare mbi çështjen kualifikim, Kejn gjendet mes protagonistëve në tabelën e shënuesve, 6 finalizimeve.

REKORDET ANGLEZE – Stivën Zherard dhe Uejn Runi vlerësohen si ikonat e futbollit anglez, aty ku numrat e tyre nuk kishin të konkurruar nga pjesa tjetër, megjithatë Kejn jo vetëm i ka parakaluar pa mbërritur ende në Myih, por tashmë regjistron 51 gola në kompeticionet UEFA-s, statistikë e pa arritur më parë nga futbollistët e “tre luanëve”.

Vlen të evidentohet po ashtu se “pyka” e Bajernit është përfshirë në 21 konkretizime kur ekipi i tij ka luajtur në pozitën e vendasit në të njëjtën shifër prezencash, e dhënë demonstrative se garat europiane janë pikë e fortë në “meny”-në e Herrit.

Deri në mbyllje të sezonit, bavarezët kanë minimalisht edhe 12 ndeshje (Bundesligë dhe Champions), çka do të thotë se nëse lojtari me numër “9” në urdhrat e Tomas Tuhelit nuk dëmtohet mund të thyejë pa problem rekordin më të mirë personal, 41 gola në një sezon (2017-2018).

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

Artikulli paraprakDobitë shëndetësore që sjell tek organizmi juaj agjërimi gjatë muajit të Ramazanit!
Artikulli tjetërSuedia hyn zyrtarisht në NATO, bëhet vendi i 32-të anëtar i aleancës