Nga Ervis Iljazaj
Publikimi i videos ku shihet Princ Leka në një konflikt me gruan e tij ka bërë këto ditë xhiron e rrjeteve sociale dhe të mediave, dhe ka qenë në qendër të vëmendjes së publikut shqiptar. Duhet thënë se ato janë pamje të shëmtuara dhe aspak dinjitoze për familjen mbretërore shqiptare dhe pasardhësit e saj. Edhe thashethemet që pasuan sigurisht që denigrojnë një pjesë të rëndësishme të historisë së asaj familjeje dhe rëndësinë që ajo ka patur për Shqipërinë. Ndoshta një nga familjet më të rëndësishme të historisë shqiptare.
Bisedat që pasuan dhe diskutimet në media nuk u kujdesën aspak të ruanin dinjitetin e kësaj familje. Si çdo gjë, edhe kjo histori hyri në banalizimin e përgjithshëm të shoqërisë së Shqipërisë. Opinioni publik shqiptar u nda në favor të Princit apo në favor të gruas të tij me të cilën është në proces divorci, dhe këtë e bënë si tifo në një shfaqje ‘show bizi’. Ndoshta edhe për faj të vetë protagonistëve.
Megjithatë ky është një degradim dhe një mosrespekt për një nga familjet më historike dhe me më kontribut në historinë e Shqipërisë. Madje diskutimet shkuan deri aty sa qëndrimet mbaheshin pro ose kundra thjesht në baza gjinore.
Përtej fakteve personale dhe çështjeve konfliktuale që mund të ketë çifti, gjë e cila është një çështje private, e rëndësishme është që për interesin publik dhe të historisë tonë dinjiteti dhe reputacioni i familjes mbretëore shqiptare duhet mbrojtur me çdo kusht.
Princ Lekën nuk e njoh, por nga larg duket një djalë i sjellshëm dhe i kulturuar. Një djalë i cili e ka mbajtur deri tani me kujdes trashëgiminë e familjes nga e cila vjen. Madje fakti që ka zgjedhur të jetojë dhe të integrohet në shoqërinë shqiptare, është një gjë për tu vlerësuar.
Prandaj histeritë kolektive dhe thashethemeve me këtë familje i duhet dhënë fund sa më parë. Të gjitha institucionet shtetëroe e kanë për detyrë për ta bërë këtë, në respekt të historisë së Shqipërisë dhe atë cfarë përfaqëson ajo familje.
Në fakt ka një tendencë e cila vjen që nga komunizmi për ta denigruar historinë e mbretërisë shqiptare që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Prandaj familjes mbretërore shqiptare nuk i është dhënë vendi që meriton në historinë e Shqipërisë.
Mbretëria shqiptare ishte padyshim themeluesja e shtetit tonë modern në të gjitha fushat. Në administratë, në arsim, në kulturë e çdo fushë tjetër. Asnjëher më parë, Shqipëria nuk ishte parë një organizim dhe funksionim të shtetit si në atë periudhë. Kontributi i asaj familje për historinë e Shqipërisë as nuk duhet nëpërkëmbur dhe as nuk duhet harruar.
Kjo familje, historia e saj, është nga të paktat gjëra me vlerë që ka prodhuar shoqëria shqiptare. Por diskutimet banale prej mentalitetit komunsit, duan ta nëpërkëmbin dhe këtë pjesë të rëndësishme të Shqipërisë.
Debatet banale që shoqëruan skandalin e pamjeve ishin thjesht një ushqim për masat pa asnjë etikë dhe asnjë kujdesje. Duket sikur as kjo familje, si shumë familje mbretërore edhe në Europë nuk i shpëtoi dot thashethemeve dhe lajmeve rozë. Megjithatë në vendet e tjera nuk shkohet kaq larg, dhe nuk banalizohet kaq shumë kur bëhet fjalë për historinë e atij vendi. Kjo familje për hir të historisë së Shqipërisë meriton më shumë respekt dhe reputacioni i saj duhet mbrojtur si një pjesë e rëndësishme e kulturës, trashëgimisë dhe historisë së Shqipërisë.