“Aleanca e qelbësirave opozitare” përballë qelbësirave në pushtet, kush fiton?!

Nga Neritan Vladi*

Janë shtuar së fundimi zërat nga deputetë të opozitës të cilët janë rreshtuar pas Sali Berishës, se për të mundur Edi Ramën dhe për tu rikthyer në pushtet, nuk kanë rëndësi parimet, morali, qëndrimi ndaj drejtësisë apo edhe ndaj perëndimit. Sipas tyre duhet që të bashkohen të gjithë kundër Ramës, pavarësisht se janë të akuzuar për korrupsion, nga SPAK, të padëshiruar nga Perëndimi etj, etj.

Por a mundet që të rrëzohot Rilindja pikërisht me modelin që vetë ajo erdhi në pushtet, në vitin 2013?

Rama kur ishte në opozitë ndoqi strategjinë: Qelbësira të çdo lloji dhe kudo që ndodheni mblidhuni të rrëzojmë Berishën!

Kjo strategji nëse përsëritet nga opozita sot, edhe sikur ta sjellë atë në pushtet, do të ishte shkatërrimtare për Shqipërinë, sepse thjesht do kishim vetëm rotacion qelbësirash dhe jo fund të tranzicionit korruptiv. Por nuk jemi më në kushtet e vitit 2013, kur “qelbësirat e të gjithë ngjyrave” bënin ligjin sepse drejtësia nuk funksiononte, nuk kishte SPAK dhe as GKKO. Kjo strategji, (Ta rrëzojmë të keqen me të keqe), nuk do të funksiononte për opozitën sot, edhe për shumë arsye të tjera.

Së pari: Kjo është fusha ku Rama di të luajë më mirë se kushdo tjetër dhe pas 12 vitesh pushtet, e ka fuqizuar dhe pasuruar edhe më shumë qelbësirllëkun e të gjithë llojeve ku mbështet.

Së dyti: Opozita nuk duhet të hyjë kurrë në këtë lojë të ndyrë me tezën se në Shqipëri zgjedhjet fitohen vetëm me njerëz të inkriminuar dhe të korruptuar.

Siç e thamë më lartë, një pushtet i marrë në këtë mënyrë do të kënaqte një pakicë, por do të pengonte shoqërinë shqiptare që të ndahej një herë e mirë nga tranzicioni 33 vjeçarë. Do të riciklonte të njëtat probleme të korrupsioni të këtyre viteve, do të zbrazte vendin siç po e zbraz çdo ditë, etj, etj.

Opozita nuk është numra, po pastërti morale, atdhedashuri më shumë se intres partiak dhe vetjak. Paralel me ecjen përpara të drejtësisë së re dhe alarmin që ka ngritur SHBA dhe BE për korrupsionin, opozita aktuale nuk mund të ketë si mision thjesh pushtetin për pushtet, por një gjë shumë më madhore: Fundin e Tranzicionit korruptiv dhe futjen e Shqipërisë në shinat e një vendi normal demokratik me ekonomi të lirë konkuruese dhe mirëqenie për të gjithë.
Dhe këtë mision historik është “e dënuar” ta kryej Partia Demokratike, si pioniere e pluralizmit dhe aleate strategjike e SHBA dhe perëndimit. Kjo PD e ka për detyrë që të bind shoqërinë shqiptare vetëm nëpërmjet kontrastit të fortë moral, me moçalistët e së shkuarës!

Të gjitha ata që janë të gatshëm që të bëjnë “aleancënn e qelbësirave opozitare”, nuk e kanë fare problem dhe janë totalisht të gatshëm që të bëjnë aleancë, edhe me qelbësirat rilindase.

Se qelbësirat nuk kanë ngjyrë, e as parime. Dhe aq më pak dhëmbshuri për shqiptarët, të cilët kanë 32 vite që shohin se si një pakicë qelbësirash shkëmben në pushtet ndërkohë që vetëm pasurohen duke grabitur sëbashku këtë vend. Qelbësirat nuk ndahen në të majtë dhe të djathtë. Ata janë njësoj. Mund të ndahen vetëm kur garojnë, se kush mund të grabisë më shumë shqiptarët.

Ndaj Partia Demokratike ka barrën historike o sot o kurrë që ti japë fund njëherë e përgjithmonë lojës së qelbësirave të cilat edhe kur luftojnë me njëri tjetrin edhe kur bashkëpunojnë, shushunja në damarët e shqiptarëve mbeten. PD duhet të shpalos vizionin e saj për qytetarët.

Drejtesia e re duhet të pershpejtoje ritmin, per ti treguar se ku e ka vendin klasa politike e korruptuar.
Nuk mundet më që aleancat e qelbesirave ti imponohen shoqërisë në dominancë.

Mund ta pengojnë sado pak procesin historik që ka nisur, mund ta shtyjnë procesin për një kohë të caktuar, por kurrë nuk mund ta ndalojnë PD për objektivin dhe projektin e saj madhorë: Një Shqipëri normale euroatlantike dhe perëndimor.

*Anëtar i Këshillit Kombëtarë të PD

Artikulli paraprakLibri dhe ministria e re me tre portofole
Artikulli tjetërLindita Nikolla, kukulla e aleancës së “Non Gratave” kundër SPAK, kthen Berishën në Parlament