Lindita Nikolla, kukulla e aleancës së “Non Gratave” kundër SPAK, kthen Berishën në Parlament

Përgjatë gjithë kohës së saj si kryetare e Kuvendit, Lindita Nikolla nuk diti asnjëherë që të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të pozicionit të lartë shtetëror.

Në vend që ta drejtonte Parlamentin me profesionalizëm dhe të shndërrohej në kryetare të të gjithëve, ajo asnjëherë nuk arriti dot të shkëputet nga hija e Edi Ramës, duke u shndërruar në një mashë të interesave politike të Partisë Socialiste.

Ndonëse e ka bërë në vazhdimësi, thirrja e Gazment Bardhit një ditë më parë dhe ftesa për Pazar e zëvendësit të “Non Gratës” duket si qershia mbi tortë e bindjes së saj të verbër ndaj shefit të saj politik, Rama.

Në kushtet, kur qëndrimi i ambasadorëve të vendeve partnere në Tiranë është i qartë ndaj bashkëpunimit me “Non Gratën” dhe në situatën kur Berisha sulmon mëngjes e mbrëmje sistemin e drejtësisë, SPAK-un dhe GJKKO-n, ndërsa Gazment Bardhi dhe deputetët e tjerë e duartrokasin poshtë Ballkonit, të thërrasësh mbledhjen e kryetarëve të grupeve të partive politike, në një kohë kur Bardhi nuk është as formalisht anëtar i PD-së, është jo vetëm një veprim i pamenduar politik, por, mbi të gjitha, është t’i shpallësh luftë SPAK-ut dhe GJKKO-së, duke ulur në tryezë pikërisht anatemuesit më të mëdhenj të sistemit të drejtësisë.

Një gjë e tillë, nuk është asgjë më shumë vetëm se të dorëzohesh para “Non Gratës” dhe t’i ulësh ata në tavolinën e bisedimeve.

Në një kohë që Amerikanët dhe Britanikët e nxorën Sali Berishën nga dera kryesore e politikës, për interes të Edi Ramës dhe të PS-së, Lindita Nikolla po e fut atë nga dritarja e pasme e Parlamentit.

Është e qartë se një gjë e tillë, bëhet për të mbajtur në lojë të patrazuar Edi Ramën, sepse përballë “Non Gratës” së Berishës ai vijon pushtetin i pashqetësuar, mirëpo një gjë e tillë nuk është as politike, as e moralshme.

Aq më tepër në një kohë kur PS dhe Rama vetë kishin deklaruar se nuk do të kishin asnjë bisedim dhe asnjë kompromis me të dizenjuarit “Non Grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Kjo tregon hallin e madh në të cilin gjendet Rama pas thirrjes së disa prej ministrave të tij më të rëndësishëm në SPAK, kështu që në këtë rast Lindita Nikolla thjesht po i zgjidh hallin e madh padronit të saj politikë./ SOT

Artikulli paraprak“Aleanca e qelbësirave opozitare” përballë qelbësirave në pushtet, kush fiton?!
Artikulli tjetër“Rithemelimi do pazarin, Rama nuk do ndryshimin”/ Lapardhaja: PD është e vetmja forcë që artikulon propozime konkrete për Reformën Zgjedhore