Varfëria arrin 47.5%, borxhet ndaj bizneseve 178 miliardë lekë

Sali BERISHA

Kumbarë ministra!
Kryekumbar Edvin Rama!
Ndrikulla ministre!
Kanabiste e kanabistë!

Sot dëgjuat këtu një seancë unike në historinë e këtij Parlamenti, që rikthen në substancë, seancat e fillimviteve të kohërave të zeza të diktaturës, kur kryeministrat dilnin këtu dhe rendisnin sukseset imagjinare, serialin e mashtrimeve të planeve 5-vjeçare. Nuk mund të gjej etiketë dhe epitet për t’u vendosur shkallës ekstreme të papërgjegjshmërisë së dy parafolësve (Ramës e Ahmetajt) në këtë sallë. Por unë të dashur qytetarë do t’ju njoh ju me disa të vërteta, të cilat tregojnë shkallën ekstreme të pafytyrësisë së njerëzve të papërgjegjshëm që ju mashtrojnë ju nga mëngjesi në darkë.
Të dy parafolësit kanë deklaruar para jush, se në mandatin e lavdishëm të tyre, sipas tyre, se Banka Botërore konstaton se varfëria është reduktuar në Shqipëri me 46%. Varfëria në Shqipëri, deklaruan që të dy parafolësit, njëri në seancën e para një javë dhe tjetri sot, se është ulur me 46%, sipas tyre nga deklarata e Bankës Botërore.
A mund të më lejoni mua t’u tregoj se çfarë thotë ky raport i Bankës Botërore për varfërinë në Shqipëri, për të kuptuar shkallën e lartë të papërgjegjshmërisë, pafytyrësisë dhe cinizmit që përdoret në këtë foltore?! BB në raportin e saj për vitin 2015 thotë se niveli i varfërisë në Shqipëri është 47.5%!
Z. Bushati, merre lexojua këtyre injorantëve e thuaju të mos mashtrojnë në mënyrë të paskrupullt! Varfëria në Shqipëri është rritur 47.5% thotë BB! A ka gjë më cinike, më të pështirë, a ka gjë më të neveritshme, më të papërgjegjshme se të tallet me të varfrit dhe ekzistencën e njerëzve të tu?! Kjo ndodhte vetëm në diktaturë, vetëm atëherë kur njerëzit lumturoheshin nga varfëria! Kur udhëheqësit i thurnin lavdi vetes se varfëronin qytetarët. Po fundi fundit kush janë këta? Ky është nipi i Spiro Kolekës, xhelatit të intelektualëve shqiptarë, është i biri i Kristaq Ramës, xhelatit të Havzi Nelës etj., etj! Ndaj dhe këta për varfërinë as që çajnë menderen fare. Po dalin e thonë të kundërtën e asaj që thotë BB. Banka thotë se është 47% varfëria, kurse këta thonë se është ulur 46% varfëria. A ka gjë më të turpshme se kjo? Po ju jeni ajo që kam thënë; jeni organizatë kriminale! Ju silleni si organizatë kriminale!
Nastradini deklaroi këtu se po rrisim rrogat me 100 milionë USD. Pançoja i Nastradinit ka deklaruar me dhjetëra herë se janë 7 miliardë lekë! Pra, diferenca është rreth 40 milionë USD! Po e lëmë këtë, po e quajmë se kjo s’është gjë! Nastradini deklaron se në 8 vite, rrogat u rritën 125 milionë dollarë. Çdo infermier, çdo mjek, çdo mësuese, çdo polic, çdo pastruese, çdo pensionist në fshat, çdo qytetar i damkos këta sot si mashtrues ordinerë. Në një kohë kur, librat që këta s’dinë t’i lexojnë, se këtë nuk e lejon anglishtja të lexojë financat, atë tjetrin (Ramën) s’e lejojnë shkarravinat të kuptojë se çfarë flet, librat thonë se janë vendosur në fondin e rrogave dhe pensioneve 634 milionë dollarë, pa përfshirë këtu të paktën 200 milionë shpërblime fundviti të marra së bashku. Çdo vit për punonjësit e administratës jepeshin 100 mijë lekë, çdo vit për pensionistët jepeshin 25 deri në 50 mijë lekë. Pa i llogaritur këto pra, sepse këto jepeshin vetëm për të tamponuar rritjen e inflacionit dhe për të lënë reale rritjen e rrogës. Pra, pjesëtoi me 6 herë për të dëshmuar injorancën totale të turpshme të tyre.
Sot këtu Nastradini i shkarravinave që nuk di ç’është GDP-ja, nuk di ç’është përqindja e GDP-së u thotë shqiptarëve se këtë vit do të investojmë 3% të GDP-së në shëndetësi dhe pastaj sa ishte 3 për qindëshi? 50 milionë dollarë ishte. Kaq është për injorantin xhahil, elifmatrak 3%-shi i GDP. O padije, o injorancë emrin e ke Edi Rama.

Rrugët e ndërtuara vetëm në Vlorë

Vijmë tani tek kompleksi. Po ngordh nga kompleksi i rrugëve. Sëmuret në çdo udhëtim që bën, e zë rruga nga problemet psikike. Sëmuret se e di që rrugët nuk i ka të tijat. Njeriu që e hanë rrugët është ky (Rama). Tha se kemi ndërtuar 900 km rrugë. Meqë tha këtë, unë do t’i lexoj atij këtu vetëm rrugët e qarkut ku është deputet:
– Rruga e Bregut – 84 milionë dollarë, 80 km
– Autostrada – Vlorë-Fier, 22 km, 42 milionë dollarë
– Superstrada Qaf Botë-Kranë, 40 km, 43 milionë dollarë
– Rrugët e Vunoit, Dhërmiut etj., e me radhë, 40 km, 21 mln dollarë
– Rruga Butrint-Kanali i Çukës, 20 km, 12.5 milionë dollarë
– Rruga Transballkanike, 3.5 km, 8.4 milionë dollarë
– Rruga Vlorë-Drashovicë-Ura e Peshkëpisë, 15 km
– Rruga e Xarës, 11 km
– Rruga Sevaster-Kotë, 15 km
– Në ndërtim e sipër kemi lënë rrugën Novoselë-Pish Poro, 12 km
Pa përfshirë këtu mbi 300 km rrugë të tjera në komuna e bashki vetëm të këtij qarku. Pra, unë lexova këtu vetëm rrugët e një qarku, por dëgjoni se çfarë thotë ky tjetër. Doli dhe tha se ka paguar 720 milionë lekë borxhe, nga 120 mln të çertifikuara nga kompania private e marrë për këtë punë. Pastaj s’i dilte prapë hesapi.
Dhe tha se në këto rrugë kanë lënë pa paguar 1 miliard e 400 milionë dollarë. O injorancë, o padije që emrin s’mund ta kesh ndryshe përveçse Edvin. Si nuk skuqesh nga këto gjëra të trasha që thua? Ti nuk kontrollon veten, kjo është mjerim. T’u thuash shqiptarëve se kanë lënë pa paguar një herë 300 pastaj 700, pastaj 1 mln e 400 mln do të thotë që je 1 mln e 400 mln herë i papërgjegjshëm.

17 mashtrimet e Ramës

Natyrisht një përpjekje e shpërfytyruar për ta mbuluar këtë buxhet me një seri mashtrimesh. Por unë dua të them se sot Edi Rama është këtu më lakuriq se kurrë në jetën e tij.
Njeriu që bërtiti se do të heqë taksat për 97% të shqiptarëve, iu shtoi taksat 100% të shqiptarëve, në kuptimin që, rriti me 24% çmimin e energjisë elektrike, rriti me 24 lekë taksën e qarkullimit dhe rriti me 40 lekë paketën e cigares, të cilën fatkeqësisht e përdorin mbi 68% e shqiptarëve.
Njeriu që premtoi se do t’i heqë biznesit taksën, i dy-trefishoi biznesit taksën nëpërmjet qirasë së lokalit, nëpërmjet taksës së energjisë apo asaj të qarkullimit.
Njeriu që premtoi i dhembsur se do të hiqte TVSH-në për 5 produktet ushqimore bazë, mashtroi 5 herë të tjera sepse nuk lëvizi asnjë qindarkë nga TVSH e produkteve ushqimore.
Njeriu që premtoi se do të paguante deri në 5 rroga në fund të vitit, jo vetëm rrogën e 13-të, nuk iu dha qytetarëve as shpërblimin. Sot çdo shqiptar merr minimumi 12% më pak për shkak të inflacionit dhe inflacionit të shportës sesa në vitin 2013.
Njeriu që premtoi rimbursim korrekt të TVSH. Sot ai rimburson 20% më pak se sa çfarë rimbursonte qeveria e mëparshme në muajin e fundit të saj.
Njeriu që premtoi rritje të të ardhurave buxhetore, dyfishoi taksat dhe pesëfishoi abuzimin me taksat buxhetore.
Njeriu që premtoi heqjen e referencave në dogana, jo vetëm që nuk i hoqi, por i rriti ato dhe u grabit bizneseve 50 milionë dollarë më shumë me referencat ndërkohë që realizimi i planit këtë vit është 60 mln më pak në dogana.
Njeriu që premtoi uljen e çmimit të TVSH të energjisë me 6%, e rriti atë me 24% dhe detyron fukarenjtë të paguajnë njëlloj si kryeministri.
Njeriu që premtoi reformën në energji, sot ky mashtrues i ka humbje 31% kundrejt 30% që ishin në vitin 2010 dhe këtë e thotë ERE që është e juaja. Po ky reduktim pse është? Prishi sahatët dhe nga 15 mijë familje që paguanin aforfe, detyroi 200 mijë familje të paguajnë aforfe. Pra, 200 mijë familje paguajnë 3-fishin se sa paguante kryeministri në sarajet e tij të Surrelit.
Njeriu që u premtoi fermerëve 5-fishimin e granteve, bllokoi totalisht grantet për fermerët.
Njeriu që premtoi heqjen e taksave për imputet në naftën për fermerët, mashtroi për të gjitha.
Seriali i mashtrimeve ju djeg ju, po keni tre orë që recitoni me mashtrime. Unë do ju demaskoj ju këtu.
Njeriu që u premtoi të përndjekurve se brenda dy viteve do i dëmshpërblente totalisht, akoma s’i ka dhënë këstin e parë të gjithë kontigjentit.
Njeriu që premtoi dyfishimin e investimeve në infrastrukturë, nga 2.3 miliardë euro që ka investuar në tri vite nuk ka përfunduar dot asnjë kilometër rrugë sepse vjedh dhe vetëm vjedh.
Njeriu që premtoi reformë të thellë në energji, shkatërroi sistemin dhe e shndërroi në institucion terrori. Arrestoi 22 mijë shqiptarë për faturat e energjisë, ndërkohë që borxhet e biznesit janë tre herë më të mëdha se ç’ishin dikur.
Njeriu që premtoi barazi për biznesmenët, më 2013 ne lamë një detyrim të bizneseve ndaj shtetit 70 miliardë lekë, sot detyrimi bizneseve ndaj shtetit është 178 miliardë lekë.
Njeriu që premtoi 5% të prodhimit të brendshëm për arsimin, mashtroi 100%. Sot janë vetëm 2.8%.
Njeriu që premtoi se do të përmbushë zotimet, shkatërroi buxhetin dhe ka lëshuar 1/3-tën e investimeve.
Njeriu që premtoi mbylljen e universiteteve private, sot ato janë 20-30% më shumë por sot, me mekanizmin vrastar të të drejtave për universitetet publike, la 18 mijë të rinj pa hapur dyert e universiteteve. 38 mijë kanë qenë më 2013, këtë vit janë 22 mijë.
Njeriu që premtoi se do të luftojë borxhin, e ka rritur atë në 74% dhe janë 1 miliard dollarë koncesione dhe borxh i pashpallur, të cilat e çojnë borxhin e Shqipërisë në 85% të prodhimit të brendshëm, për të cilin ai s’ka idenë se çfarë është. Ndaj dhe ju dilni këtu, recitoni, fantazoni, trilloni, shpifni, por e vërteta është se s’keni përfunduar 1 km rrugë, s’keni ndërtuar dot 1 shkollë, 1 spital. E vërteta është se nga 70 miliardë lekë që kishte biznesi prapambetje shtetit, sot janë 178 mld. Kjo është qeverisja juaj, një qeverisje plotësisht e dështuar.
Ju bëmat dhe gjëmat e tij nuk ja u rrok dot mendja. Shihni statistikat se çfarë ju thonë. Pra, 108 mld rriti prapambetjet e pagesave ndaj biznesit, se 70 po ja u heq meqë ato i trashëguat, por po ju them sa e shtuat ju. Pra, nëse e shihni këtë buxhet ai është kurora e zezë e dështimit tuaj katërvjeçar.  Por tronditëse është se ky buxhet nuk ka asnjë zë, asnjë artikull, asnjë shpenzim për proceset integruese europiane të Shqipërisë, kusht themelor ky në procesin e integrimit.

Artikulli paraprakRama në llumin e plehrave të historisë, mos kërcëno BE
Artikulli tjetërMashtruesi i Euralius pezullohet nga BE, si gënjeu me përkthimin