Shtatë fshatra në Shkodër furnizohen me ujë të papijshëm

Nga Elira Kadriu 

Banorët e shtatë  fshatrave, Domen, Milan, Boks, Dragoc, Kullaj, Fshati i Ri, Qendër Urë e Mesit në Shkodër konsumojnë ujë të ndotur në çezmat e tyre. Ky është rezultati i hetimit të prokurorisë së Shkodrës, pas një kallëzimi që bënë banorët ndaj kompanisë “Babasi COO“, e cila ka dy gurore në Postribë. Banorët akuzojnë kompaninë se ka shkatërruar kanalin e ujitjes, ujësjellësin nga furnizohen me ujë këto shtatë fshatra dhe ka rrafshuar veprat kulturore.

Më 12 shkurt 2024 Prokuroria e Shkodrës bëri publik përfundimet e hetimit mbi procedimin penal nr. 92/1 nga banorët.

“Në veprën e marrjes (burim), uji ka shije dhe parametra normal për konsum human, kurse kur kalon në depon e përpunimit (që nuk është më tepër se 100 m nga vepra e marrjes) ky ujë merr shije të papërshtatshme dhe rritet turbullira nga 4.7 NTU, në 9.1 NTU duke u bërë i papërshtatshëm për konsum human “ – citohet në përfundimin e hetimeve.

Hetimi thekson se përderisa turbullira rritet në depon e përpunimit të ujit dhe shtohet më tepër në tubacionet kur shpërndahet në fshatra, nuk arrihet dot në konkluzionin se turbullira shkaktohet nga inertet e “NGA Group“ (kontraktor i “Babasi COO“). Për këtë arsye organi i akuzës do ta pushojë hetimin e çështjes “shkatërrim i rrjetit të ujësjellësit“.

Pavarësisht rezultatit të hetimeve, banorët e konsiderojnë genocid situatën me ujin e pijshëm.

“Sot bashkia na helmon me këtë ujë, edhe unë e quaj për vete një gjenocid“- shprehet një banor i zonës, Zamir Milani.

Aleksandër Shytani, administratori i “NGA Group Shpk“, mohon që punimet në gurore të ndikojnë në turbullimin e ujit. Sipas tij, uji i përroit Rrasek ndikohet vetëm nga shirat.

“Ne po punojmë në Shkodër ashtu siç punohet në Bashkimin Evropian“- i tha Citizens Channel, Shytani.

Gjatë këtij hetimi janë gjetur një seri shkeljesh nga zotëruesi i lejes minerare “Babasi Coo”, por që kompani i shpëton ndëshkimit për shkak se veprat janë parashkruar. Hetimi vlerëson se përsa i përket aktit të ekspertimit mjedisor, me anë të të cilit kompania ka përfituar leje mjedisore të tipit B është i paplotë. Raporti i thelluar nuk është nuk është i nënshkruar nga administratori i subjektit juridik “Studime, Projektime Minerare“  ShPK, por nga një individ i paautorizuar dhe si i tillë ky raport nuk duhej të merrej në konsideratë nga Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit.

“Meqenëse leja minerare nr. 1835, datë 30.06.2017 është dhënë nga Drejtoria e Politikave dhe Zhvillimit të Minierave pranë Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë dhe leja Mjedisore është dhënë nga Ministria e Mjedisit, hetimet e mëtejshme të procedurave të dhënieve të këtyre lejeve duhet të vazhdojnë të kryhen nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Tiranë“- thekson hetimi.

Sa i përket dëmtimit të kanalit vaditës të fshatit Urucaj me 820 m gjatësi lineare, subjekti “NGA Group“ i ka konsumuar elementët e veprës penale. Por duke qenë se nga momenti i kryerjes së kësaj vepre penale e deri më tani kanë kaluar më shumë se pesë vite, referuar nenit 66/d të kodit penal, organi i akuzës do ti pushoj hetimet.

Vetë administratori Shytani nuk pranon se e kanë shkatërruar kanalin vaditës, por pretendon “se nuk ka ekzistuar as kur kompania ka nisur punimet”.

Nga një vizitë në terren e datës 25.05.2018, e raportuar edhe në Arkivin e ish – Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (tashmë Instituti i Trashëgimisë Kulturore) u konstatua se në periferi të një rruge të hapur nga firma u vërejt një përqëndrim gurësh, i ngjashëm me tumat prehistorike.

“Gjithsesi për arsye se firma deri në atë kohë kishte kryer ndërhyrje të konsiderueshme në terren ishte e pamundur të vërtetohej nëse kishim të bënim me një varrezë tumulare të dëmtuar“- citohej në raport.

Por edhe për akuzën “shkatërrim i veprave kulturore“ Prokuroria e Shkodrës e ka pushuar hetimin për shkak se nga ekspertimi topografik, nga pamjet me ortofoto nuk mund të identifikohen tumat.

Pavarësisht të pushimit të hetimeve për tre akuzat e ngritura nga banorët, ata nuk e kanë ndalur rezistencën e tyre me anë të protestave të vazhdueshme përpara Bashkisë Shkodër.

Shtatë fshatra në Shkodër furnizohen me ujë të papijshëm

Artikulli paraprakSokol Cikalleshi shënon dy gola në Superligën turke, një me panenka (VIDEO)
Artikulli tjetërMos pyet “Google” (map) se të degdis në Qafë të Murrizit!