Nga Ermal Peçi
Para disa kohësh shkruaja për izolantrikët, se çfarë ata përfaqësojnë dhe tiparet e tyre. Izolantrikët janë njerëz të pasur, të cilët dominojnë politikën shqiptare prej 33 vitesh. Pavarësisht çfarë ndodh në botë apo cili është lajm i vërtetë dhe që përbën interes për jetën e qytetarëve, ata e nisin ditën e tyre me thashethemet që ata servirin në mediat shqiptare duke qenë se kanë dhe fuqinë për të zhvendosur opinionin publik me anë të këtij mekanizmi që disponojnë. Në realitetin e ri gjeopolitik që po përballet bota, në një luftë të ftohtë që ajo përballet pas agresionit rus në Ukrainë, duket se konteksti politik po ndryshon. Ballkani gjithashtu për shkak të së shkuarës së saj komuniste, po zhvillohet një luftë e fortë ku po përplaset kultura perëndimore me atë lindore, pra politikanë, të cilët përkrahin SHBA-të edhe politikanë, të cilët mbështesin Rusinë dhe kërkojnë që të rritet hegjemonia e saj në Ballkan. Në këtë situatë ku ndodhet bota askush nga politika, por dhe nga mediat e Tiranës nuk i bëri jehonë prezantimit në OKB të rezolutës për konfiskimin e aseteve ruse dhe vendosjen e tyre në funksion të rindërtimit të Ukrainës.
Një javë diplomacie shumë e rëndësishme, ku kryetari i PD-së, pasi ishte në Paris, ku Komiteti i Çështjeve Ligjore i miratoi dhe i hapi rrugën përfundimtare aprovimit të rezolutës në sesionin e përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare në muajin prill. Më pas Basha udhëtoi drejt OKB-së, në New York, ku në emër dhe të Shqipërisë, pati mundësinë të paraqiste këtë rezolutë, e cila ka një rregull fare të thjeshtë: Agresori paguan! Në situatën ku ndodhet Ukraina në këto momente kjo është një rezolutë që e ndihmon shumë mbi të gjitha nga ana ekonomike, duke vënë theksin tek pronat që disponojnë oligarkët rus jashtë kufijve dhe sidomos në Evropë. Sa më shumë të forcohet Ukraina ekonomikisht në këtë luftë aq më shumë dobësohet Rusia edhe propaganda e saj. Një rezolutë e paraqitur nga një politikan i Shqipërisë dhe kryetar i PD-së do të thotë shumë edhe për simbolikën që merr Shqipëria në betejë e re me të cilën po përballet demokracia me autokracinë. Por për deputetët, median, gjithollogët e meidaneve politike kjo nuk do të thotë asgjë. Më i rëndësishme se ky lajm, është bashkimi i grupit të Bardhit me Berishën. E quajnë bashkim i opozitës, por duket tërësisht që janë të pashpresë. Të pa shpresë në mesazhet që japin, por dhe në pompozitetin që duan t’i japin këtij bashkimi dhe vendosjen e dy nënkryetarëve të rinj Bardhit dhe Gjekmarkajt në lëvizjen e Rithemelimit.
Në çdo emision të darkës u analizua ngërçi moral që ka ky bashkim, por u mundua nëpërmjet kakofonisë të kalohej në heshtje sepse prevalonte konteksti që bashkimi është më i rëndësishëm se akuzat politike. Por në fakt askush nuk pyeti, ky bashkim mekanik a ja hoqi Sali Berishës, non gratën e vendosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Britania. Pse në ditën që do miratoheshin ndryshimet statutore brenda Rithemelimit, reagoi ambasadori Britanik e përforcoi thirrjen që nuk bashkëpunonte me non grata. Kësaj duhet t’i japë përgjigje çdo deputet, gazetar apo edhe analist që i bie trumpetave të bashkimit të opozitës. Ndarja e opozitës është ndarje politike dhe ideologjike mbi realitetin e ri politik, për të qëndruar krah SHBA-së apo për të qenë kundër, për të qëndruar krah SPAK apo për ta sulmuar nga mëngjesi deri në darkë. Kjo është ngjarja më thelbësore, pastaj të tjerat janë thashetheme të politikës së Tiranës që do të largojë vëmendjen nga SPAK-u. E për sa kohë thashethemet e brendshme do të prevalojnë mbi real politikën, të gjithë do t’i kenë sytë në këtë çorbën tonë të vogël, edhe do t’i largohen diplomacisë edhe lajmit të vërtetë që ndodh përtej nesh. Kjo do të ndodhi deri në monentin kur në Shqipëri të vij ambasadori i ri i SHBA-së, David J.Kostelancik i cili do t’i japë fund thashethemeve politike që prodhohet nga grupe interesash anti-amerikane./dritare.net