Manaj ishte i pari i cili gjeti rrugën e rrjetës për Sivaspor me një goditje dënimi spektakolare. Ky gol e çoi në kuotën e 15 të tillëve të shënuar në kampionat. Kjo e bën sezonin aktual më të suksesshmin në karrierë në këtë drejtim për sulmuesin shqiptar, i cili maksimumin në një edicion e kishte regjistruar me Barcelonën B në 2020-2021, kur shënoi 12 gola në sezonin e rregullt e pastaj 2 të tjerë në play-off.
Më pas e kishte radhën Sokol Cikalleshi, i cili me dy golat që shënoi për Koniaspor, çoi në 11 bilancin e tij sezonal në kampionatin turk. Edhe në këtë rast, ky rezulton të jetë sezoni më i suksesshëm sa i përket shënimit të golave në një edicion për Cikalleshin në një kampionat të huaj.
Ai ishte ndalur në kuotën e 10 golave më parë me Split në Kroaci, Koniaspor në Turqi dhe Al Khalej në Arabinë Saudite. I vetmi sezon ku ai ka bërë më mirë në realizimin e golave në kampionat ishte ai 2013-2014, kur shënoi 17 gola me fanellën e Kukësit në Superiore.