Sipas një njoftimi, Banka e Postës e Serbisë i ka ngritur degët e improvizuara në pjesën serbe të pikëkalimeve kufitare, Jarinjë, Bërnjak, Konçulj dhe Merdarë.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se ky veprim është bërë me qëllim që serbëve nga Kosova t’u lehtësohet tërheqja e pagesave nga buxheti i Serbisë, të cilat i marrin në dinarë.
Kjo vjen pasi, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e futi në fuqi një rregullore më 1 shkurt, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme për transaksionet e pagesave në Kosovë.
Në bazë të saj, Dogana e Kosovës, dy herë gjatë muajit të kaluar, ndaloi hyrjen e dinarëve nga Serbia në Kosovë, me arsyetimin se nuk e ka miratimin e BQK-së.
Si pasojë, pjesëtarët e komunitetit serb në komunat në jug të Ibrit nuk kanë mundur t’i tërheqin të ardhurat nga buxheti i Serbisë prej mesit të muajit shkurt, ndërsa në komunat në veri të Kosovës është e mundur të tërheqin një shumë e kufizuar parash në sportelet e Bankës së Kursimeve Postare.
Zyra për Kosovën thekson se tani, klientët e Kursimores së Postës në degët e improvizuara në pjesën serbe të katër pikave kufitare me Kosovën, do të mund të kryejnë të gjitha veprimet bankare: tërheqje të pagave, pensioneve, ndihma financiare sociale dhe të ardhurave të tjera.
Ata gjithashtu mund të kryejnë pagesa në llogaritë në dinarë dhe valuta dhe transaksione të tjera bankare, sipas njoftimit.
Sipas njoftimit, çdo objekt është i pajisur me një bankomat të Kursimores së Postës, ku do të mundësohet tërheqja e mjeteve nga llogaritë e dinarit në çdo kohë.
“Në mbështetje të qytetarëve, banka dërgoi dy degë të lëvizshme me rrota që do të jenë në dispozicion në këto lokacione në përputhje me nevojat e qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Shtohet se “kjo zgjidhje teknike është e karakterit të përkohshëm derisa të vendoset funksionimi normal i transaksionit të pagesës në zonat serbe në Kosovë”.
Përveç Kursimores së Postës, dinarët në Kosovë i përdorin edhe zyrat postare që punojnë në sistemin serb, si dhe përdoret edhe në tregti në zonat ku jetojnë serbët.
Bashkësia ndërkombëtare shprehu shqetësimin se vendimi i BQK-së për ndalimin e dinarit mund të ketë ndikim negativ tek serbët e Kosovës dhe se mund të rrisë tensionet etnike, prandaj ka kërkuar shtyrjen e zbatimit rregullores.
Megjithatë, Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se faza kalimtare e zbatimit të rregullores së saj nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.
Çështja e dinarit ishte edhe temë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt në Bruksel, i cili përfundoi pa rezultat konkret dhe i dërguari i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak tha se nevojiten takime shtesë.
Për Kosovën çështja e dinarit është çështje e brendshme teknike, ndërsa Serbia ngul këmbë që kjo çështje të zgjidhet në dialogun e Brukselit./REL