Nga Ermal Peçi
Gjatë ditës së sotme i vetmi lajm që qarkulloi në mediat shqiptare për çështjen e politikës së brendshme, ishte vizita e të Ngarkuarit me Punë, David Wisner në zyrën e Kryetares së Parlamentit, Lindita Nikolla. Takimi pati fokusin e ritheksimit të angazhimit të Shteteve të Bashkuara në forcimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë, si dhe përpjekjet e saj në zbatimin e ligjit dhe kundër korrupsionit, teksa vendi ecën përpara drejt integrimit Euroatlantik. Takim, i cili u realizua kur në ambientin politik të Tiranës po flitet për një marrëveshje okulte mes mazhorancën dhe Rithemelimit. Këto marrëveshje që në politikën shqiptare janë totalisht pazare që rëndojnë në kurrizin e shqiptarëve njësoj si ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008, të një klase politike, e cila po sundon çdo qelizë politike dhe ekonomike në Shqipëri. Qëllimet dhe arsyet e kësaj vizite që publikoi Ambasada Amerikane në rrjetin e saj facebook, lidhen drejtpërdrejt me lajmin që qarkulloi pas disa orësh në media. Marrëveshja për të rikthyer normalitetin parlamentar është një pazar i mirëfilltë që ska lidhje as me demokracinë, por as me të mirën për qytetarët. Në fakt është komplet e anasjellta, protagonistë nga të dyja palët i thanë BIRN se kishin zhvilluar bisedime mes tyre rreth tre çështjeve kyçe; ngritjen e të paktën dy komisioneve hetimore parlamentare, reformën zgjedhore si dhe ndryshime të mundshme ligjore për reformën në drejtësi.
Në anën tjetër, ideja për ndryshime ligjore në sistemin e drejtësisë rikthehet disa muaj pasi një grup pune i përbashkët u tërhoq nga propozimet fillestare, pas kundërshtimit të ekspertëve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këtu është dhe thelbi i marrëveshjes që kërkon të ribashkojë ata që miratuan ndryshimet kushtetuese të 2008 dhe tani kërkojnë t’i fusin thikën pas shpine Reformës në drejtësi. Këtu bëhet bashkë Rama me Berishën për të kontrolluar edhe monitoruar SPAK-un sepse realisht duke qenë një investim i SHBA-ve ai nuk kontrollohet nga liderët politikë. Berisha dhe Rama kanë kohë që po bëhen bashkë në sulmet mediatike ndaj SPAK-ut, dikush më ashpër dhe dikush më butë, e di shumë mirë se çfarë e pret kur të përballen me drejtësinë. Duke parë sesi bashkëpunëtorët e tyre të afërt po kalojnë çdo ditë derën e SPAK-ut dhe po përfundojnë pas hekurave, ata zgjedhin të bashkëpunojnë kundër shqiptarëve. Prandaj sot Wisner takoi Nikollën, si një këmbanë për t’i rikujtuar që Reforma në Drejtësi nuk preket.