Ka një dakortësi në opinionin publik se marrëveshja Berisha-Rama e vitit 2008 për ndryshimet kushtetuese është ‘nëna’ prej së cilës kanë derivuar të gjitha të këqiat e sistemit politik në Shqipëri.
Ajo marrëveshje vrau demokracinë, vendosi kryetarokracinë dhe minimizoi nivelin e përfaqësimit, duke i shndërruar deputetët në ‘yes-menë’ të kryetarëve, gjë që i largoi përditë dhe më shumë nga mbrojtja e interesit të qytetarëve.
Në kohët e fundit, i vetmi politikan që ka artikuluar disa propozime konkrete kundër ndryshimit të kësaj ‘status quo-je’, qoftë nëpërmjet vetingut të politikanëve apo propozimeve konkrete për Reformën Zgjedhore, është Lulzim Basha.
Përveç Bashës në aspektin politik, nga ana tjetër, është edhe SPAK-u që është futur thellë në trupin e kalbëzyer nga korrupsioni 30-vjeçar, që po bën punën e vet.
Duke qenë se Rama më së shumti po e ndjen ngushtimn e lakut, por edhe Berisha që e ndjeu i pari në kurriz, ata të dy janë bashkuar kundër SPAK-ut, për ta kontrolluar, dhe kundër Lulzim Bashës, për të pamundësuar ndryshimet që ai ka propozuar, duke ruajtur kështu marrëveshjen e vitit 2008, që rrjedhimisht e lë Ramën në pushtet, ndërsa Berishës i mjafton njohja dhe ulja në tavolinën e bisedimeve, nëpërmjet të dërguarëve të tij.
Çfarë fitojnë njerëzit me këtë?
Absolutisht asgjë!
Çfarë fitojnë demokratët nga e gjitha kjo?
Vetëm tallje dhe mashtrime, vetëm zvarritje dhe një 4-vjeçar më shumë në opozitë.
Në një kohë që Berisha dhe të tijët pretenduan se do t’i sillnin demokratët në pushtet nëpërmjet revolucionit dhe përmbysjes së madhe, ulja në tavolinë dhe pazari me Edi Ramën jo vetëm që i largon ata edhe më shumë nga ardhja në pushtet, por është një prerje në besë e të gjithë atyre që kanë shpresuar dhe kanë besuar te retorika e gënjeshtër e Sali Berishës dhe e njerëzve të tij.
Në një kohë që Lulzim Basha ka propozuar lista të hapura, Berisha dhe Rama nuk i duan ato, sepse ata duan të ruajnë kryetarokracinë nëpërmjet monopolit të vendosjes së të besuarëve të tyre nëpër lista.
Në një kohë që Lulzim Basha ka propozuar Shqipërinë një zonë zgjedhore, ata e duan të fragmentarizuar, sepse ashtu e kontrollojnë më lehtë.
Në një kohë që Lulzim Basha ka propozuar votën e diasporës, Berisha dhe Rama nuk e duan një gjë e tillë, sepse kjo do të hapëte lojën për formacionet e reja politike dhe do ishte një ndëshkim për ata që e kanë kantandisur Shqipërinë në këtë situatë.
Ky pazar i ri mes Sali Berishës dhe Edi Ramës duhet të jetë një kambanë alarmi për rrezikun e madh që paralajmëron se në Shqipëri jo vetëm që nuk do të ketë asnjë ndryshim për mirë, por e keqja do të thellohet edhe më shumë, ndërsa qytetarët do vijojnë ta braktisin këtë vend, duke i humbur përfundimisht shpresat se kanë forcë për ta ndryshuar realitetin e tyre.