Nuk kanë të sosur ankesat e shoqatave të investitorëve të huaj për klimën e biznesit në Shqipëri. Pas Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Dhomës Gjermane, ka reaguar dhe Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), që ka në gjirin e saj disa nga sipërmarrjet më të mëdha të huaja në vend. FIAA e ka vënë theksin në reformën tek gjyqësori, sipas deklaratës së mëposhtme: “Reforma e shumë kërkuar në gjyqësorin shqiptar dhe realizimi i saj është në vëmendjen më të lartë të Komunitetit të Biznesit të Huaj në Shqipëri. Investitorët ekzistues dhe ata potencialë ndjehen optimistë se të gjithë politikanët shqiptarë e kuptojnë rëndësinë e kësaj reforme. Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm se, çdo ditë, vonesa e realizimit te reformës i kushton Shqipërisë investime të reja, vende të reja pune, rritjen e eksporteve si dhe fillimin e negociatave drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ne duhet të pranojmë se reformat kyçe politike dhe administrative të nevojshme në Shqipëri janë duke përparuar, por ende nuk kanë arritur një fazë në të cilën negociatat e pranimit në BE të mund të fillojnë. Është e qartë nga BE se nëse vendi dëshiron të nisë negociatat për anëtarësimin në BE, së pari duhet të intensifikojë përpjekjet për reforma në fushat kryesore prioritare, të tilla si funksionimi i ligjit, reforma në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratën publike dhe të drejtat themelore, të cilat janë të gjitha elementë kyç për rritjen e investimeve të huaja në vend. Qëndrueshmëria e Investimeve të Huaja në Shqipëri është komponent kryesor në rritjen ekonomike të suksesshme dhe të qëndrueshme dhe gjithashtu një rrugë drejt përmirësimit social te vendit. Ne besojmë se çdo qytetar i ketij vendi është i vetëdijshëm mbi përfitimet e investimeve të reja në vend, të cilat do të avancojnë në transferimin e teknologjisë, rritjen e punësimit, rritjen e konkurrencës së biznesit dhe të tregtisë ndërkombëtare. Të gjitha këto përfitime do të kontribojnë në rritje më të lartë ekonomike, e cila është instrumenti kryesor për zbutjen e varfërisë në Shqipëri. Si biznese të huaja që operojmë në këtë vend, ne do të vazhdojmë të theksojmë se roli dhe cilësia e institucioneve shqiptare, ka një rëndësi të madhe për mbarëvajtjen e biznesit. Kontrolli i korrupsionit dhe formalizimi i ekonomisë, funksionimi më i mirë i ligjit duke përfshirë respektimin e rregullave të arbitrazhit ndërkombëtar, si dhe stabiliteti politik, janë treguesit e një qeverisje të mirë dhe cilësie institucionale të këtij vendi. Ne duam të qëndrojmë këtu dhe të vazhdojmë të investojmë më shumë. Por që kjo të jetë e mundur dhe që Shqipëria të tërheqë investime të reja, ne kemi nevojë për një mjedis biznesi ku të mbizotërojë funksionimi i ligjit. Realizimi i reformave në sistemin gjyqësor shqiptar do të ndikojë në masë të madhe kushtet ekonomike në vitet që do të vijnë si dhe do të ndikojë konsiderueshëm në vendimet e sotme për investime”.
Paralajmërimi i investitorëve
Të dielën Monitor paralajmëroi se “Diplomacia ekonomike është vënë në alarm për klimën e rënduar te investimeve, që është krijuar në vendin tonë, aq sa disa prej dhomave të huaja të tregtisë, më të rëndësishmet në vend, janë duke i orientuar investitorët të mos futen në Shqipëri. Pasiguria juridike me kontratat aktuale, mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe korrupsioni duket se janë arsyet themelore”. Të martën, në një anketim të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHA) rezultoi se Shqipëria renditet e 19-ta ndër 20 vende për të investuar, duke lënë pas vetëm Kosovën dhe ne vendin e fundit ( 20-tin), ndaj pyetjes “Nëse do të investonit përsëri në vendin ku operoni?”.