Ministrja ‘fluturuese’, KLSH nxjerr zbuluar Belinda Ballukun për fluturimet me avion dhe dietat jashtë vendit

Ministrja Balluku nuk justifikon me letra as udhëtimet jashtë vendit, të cilat ngrenë dyshime nëse kanë qenë për turizëm apo për punë me taksat e shqiptarëve?

KLSH: Nuk ekziston asnjë dokument zyrtar për udhëtimet e Ballukut

Në shtator 2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të publikonte një raport për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për periudhën nga 1 gushti 2018 deri në 31 dhjetor 2021.

Një detaj i rëndësishëm që bie në sy nga raporti janë udhëtimet e Ballukut dhe stafit, ku KLSH-ja zbulon se Ministria e Infrastrukturës nuk ka dorëzuar dokumentet që provojnë takimet zyrtare, për të cilat janë bërë udhëtime ndërkombëtare.

Sipas KLSH MIE:

“Në të gjithë urdhër-shpenzimet e blerjes së biletave të transportit ajror ndërkombëtar të përzgjedhura për t’u audituar nga grupi i auditimit, si dhe në disa urdhër-pagesa të shërbimeve-dieta jashtë vendit të punonjësve, të likuiduara nëpërmjet arkës, u konstatua mungesa e ftesës së vendit pritës.”

UDHETIMET E BALLUKUT RAPORT KLSH MIE PA FTESE ZYRTARE

Si pasojë, mungesa e dokumentacionit për ftesën është në kundërshtim me ligjin, rrjedhimisht kemi dyshime për shpërdorim të parave publike për udhëtimet jashtë vendit.

Përveç mungesës së dokumentacionit, nga auditimi i KLSH-së evidentohen shkelje ligjore që ngarkojnë me përgjegjësi Ministrinë e Infrastrukturës, kryesisht ministren Belinda Balluku dhe paraardhësin e saj, Damian Gjiknurin. Kujtojmë se në 17 Janar 2019, në këtë post është emëruar Balluku, duke përfshirë më së shumti në auditim periudhën që institucioni është drejtuar nga kjo e fundit.

KLSH MIE:

“Subjekti i audituar (MIE), në disa raste nuk ka vepruar në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore, të cilat kanë shërbyer si kritere vlerësimi, duke u evidentuar mangësi në përcaktimin e kritereve të vendosura në procedurat e prokurimit, në  monitorimin dhe zbatimin e kontratave, mangësi në zbatimin e kontratave koncesionare; mangësi në vlerësimin nga “Komisionet e Vlerësimit të Aplikimeve për miratimin e impianteve fotovoltaike/eolike”

Për më tepër, raporti evidenton parregullsi në plotësimin e pasqyrave financiare dhe zbatimin e ligjeve në fuqi.

Artikulli paraprakSHBA: Shqetësimet për lidhjet e Hungarisë me Rusinë “s’mund të injorohen”
Artikulli tjetër“Evis Berberi e ka pritur arrestimin”, Sefa: Kreu i ARRSH, njeriu i dytë më i rëndësishëm pas Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës