Me Açkën dhe Bakiun ulërasin, me Çuçin e Spiropalin qeshin!

Nga Ermal Peçi

Nuk do i isha rikthyer kësaj teme sikur ditën e djeshme mos të kisha parë në orët e vona, fotot e shpërndara nga ministrja Elisa Spiropali në rrjetin e saj Facebook. Për ditën e lindjes së Spiropalit, jashtë syrit të kamerave u panë bashkë “regjimi” me “kundërshtarët më të egër të regjimit”, të cili ishin të qeshur dhe uronin kolegen e tyre. Gazment Bardhi bisedonte normalisht me Bledi Çuçin dhe Tabaku qëndronte e qeshur krah Spiropalit, foto e cila mund të jetë shkrepur pasi të dy palët arritën marrëveshjen për ngritjen e dy komisioneve parlamentare, të cilat nuk kanë asnjë vlerë për shqiptarët.

Nuk do të kishte asgjë kjo foto për t’u komentuar sikur jeta parlamentare të vazhdonte normalisht dhe mos të mbingarkohej çdo ditë me deklarata pompoze nga të dyja krahët politikë. Deklarata pompoze, të cilat kërkojnë të fshehin bashkëpunim që ekziston brenda klasës së vjetër politike, një teatër, i cili luhet për 33 vite me radhë, i cili ndryshon lojtarët, por jo liderët politikë. Në këtë teatër sikur PD mos të mbante qëndrime dinjitoze do të ishte e vështirë që kjo maskë të çirrej. Ishte data 17 Janar kur Bardhi dhe Noka ndërhynë për të prishur punën e Komisionit të Medias, e cila drejtohej nga Flutura Açka. Flutura Açka dhe Merita Bakiu pavarësisht agresionit verbal e fizik qëndruan si dy shqiponja që nuk ju frikësua syri në asnjë moment. Një burrë që ulëriste, i pakontrolluar ndaj Flutura Açkës që mos të bëhej fasadë e bandave në Elbasan, të mos shpërdoronte votën e opozitarëve dhe se ai nuk do të lejonte kurrë vazhdueshmërinë normale të komisioneve parlamentare pa u plotësuar kërkesat e opozitës, e sa e sa thashetheme politike që dalin nga “Ballkoni i Shpresës”, duhet t’i thotë Bardhi e kushdo që është i rreshtuar nën urdhrat e tij. Në këtë teatër politik, të cilit koha po ja heq maskën dhe po i jep të drejtë Bashës dhe Partisë Demokratike, se këta jo vetëm që janë bashkë, me biznese e oligarkë, por po bëhen e bashkë për të sulmuar SPAK-un, shqiptarët duhet t’i hapin veshët dhe sytë për të kuptuar këtë realitet të neveritshëm politik, që s’ka as moral, as virtyte e jo më të kërkosh principe. Tashmë që asnjë nga kërkesat e opozitës nuk u realizua, që vajtën njësoj siç thotë populli “si cjapi tek kasapi”, çfarë kanë për të thënë “luftëtarët antiregjim” për këtë teatër të shëmtuar që nuk i la shqiptarët të kuptonin se çfarë u bë me buxhetin e tyre, me investimet strategjike që u kaluan për 4 minuta.

Shqiptarët e demokratët tashmë po shikojnë realitetin e vërtetë, atë që kemi kohë që po e themi, këta jo vetëm janë bashkë duke i shërbyer njëri-tjetrin, por me Açkën dhe Bakiun ulërasin ndërsa me Çuçin, Gjiknurim edhe Spirolani qeshin. Po në fund të fundit regjimi me hare e gëzim rrëzohet, jo me ndershmëri e dinjitet./dritare.net

Artikulli paraprakShënim/ Degradimi moral, politik e shoqëror ka emër. Shihni si sillen me Spiropalin e PS-së dhe si u sollën me Flutura Açkën e PD-së
Artikulli tjetër“Rithemelimi” zgjodhi që të njihet nga Rama, jo nga qytetarët