Polici kërcënon me armë shoferin e furgonit të nxënësve

Një efektiv policie ka kërcënuar me armë shoferin e një furgoni që transportonte nxënës shkolle në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme tek “21 dhjetori”, ndërsa skandali është denoncuar nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-kryeministrit Berisha. “Qytetari dixhital denoncon: Kërcënim me armë nga banda me uniformë!”, shkruan Berisha në Facebook ku ka publikuar një video nga qytetari dixhital.
Në video duket një efektiv policie, i cili kërcënon me armë një shofer furgoni tek “21 dhjetori”. Denoncimi është bërë nga një qytetar. “Përshëndetje doktor, këtë video e bëra vetë para 20 minutash tek “21dhjetori”. Polici me uniformë kërcënon me armë një shofer furgoni me fëmijë shkolle. Ngjarja ka ndodhur tek shkolla “Sabaudin Gabrani” në Tiranë”, shkruan qytetari.
Bëhet e ditur se Policia Rrugore e Tiranës ka ushtruar kontrolle në mjetet që transportojnë nxënës të shkollave të ndryshme të kryeqytetit, për vendosjen e rripit të sigurimit gjatë qarkullimit me mjet, si nga drejtuesi i mjetit ashtu dhe nga pasagjerët. Këto kontrolle kanë si qëllim sigurinë e jetës së nxënësve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, por gjatë ushtrimit të kontrolleve në mjaft raste forcat policore kanë ushtruar terror psikologjik ndaj drejtuesve të mjeteve dhe nxënësve.
Ndërkohë, disa persona të armatosur që lëviznin me një makinë kanë terrorizuar qytetarët mbrëmë në Tiranë, duke i kërcënuar me armë. Ka qenë një qytetar që ka telefonuar në numrin 112 të policisë dhe forcat e Policisë Tiranës janë vënë në ndjekje të makinës që tmerroi qytetarët.
Forcat e rendit janë drejtuar në rrugën “Siri Kodra” në kryeqytet ku është raportuar ngjarja dhe kanë arritur të pikasin makinën tip “Alfa Romeo”. Pas ndjekjes disa minutëshe, autorët e braktisën makinën tek trafikndarësja në Unazë pranë rrugës “Siri Kodra”, dhe u larguan pa lënë gjurmë.

Artikulli paraprakZyra e Romanës: Faji juaj që na besuat
Artikulli tjetërTaksa 22 milionë euro në vit për Jakën