Programi i rindërtimit/ Raporti I KLSH-së: Të hetohet ku ka shkuar lënda e parë e përjashtuar nga taksat

Programi i rindërtimit që nisi pas tërmetit shkatërrues të nëntorit 2019 u shoqërua me sërë masash shtesë të qeverisë që synonin përshpejtimin e tij dhe uljen e kostove. Të tilla ishin përjashtimi nga taksa e infrastrukturës apo TVSH-së për lëndët para.

 

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ngre si shqetësim mbikëqyrjen që i është bërë masës për lehtësimin nga taksat të lëndëve të para të përdorura nën këtë program dhe ato janë orientuar vërtet ku duhet. Raporti specifikisht ka nxjerrë këtë konstatim pas një auditimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave duke iu referuar si rast degës së Lezhës.

“Nga auditimi i praktikave te importit te hekurit për Degës Doganore Lezhë, lidhur me subjektet që kanë përfituar përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar në kuadër të rindërtimit, konstatojmë se SVQ(Sektori i Vlerës në Qendër) dhe SKAO (Sektori i Kontrollit Aposterior Operativ) nuk kanë vepruar sipas pikës II/3 të Udhëzimit nr.5, datë 26.01.2018 të DPD, duke mos i rikanalizuar këto praktika në kanale të tjera me nivel më të lartë risku pasi për specifikën e tyre kanë risk të lartë.

Në përpunimin e tyre marrin pjesë shumë struktura, ku SVQ dhe SKAO kanë kontrolluar vetëm një pjesë të praktikave dhe në përpunimin e tyre kanë marrë pjesë edhe Drejtoria e Tarifës dhe Origjinës, Sektori i Tarifës dhe strukturat e tjera të degës doganore Lezhë. Gjithashtu DTO nuk ka mbikëqyrur këto operacione, sipas pikës 4, neni 68, i Rregullores së DPD-së, ndër detyrat funksionale të Drejtorisë se Tarifës dhe Origjinës është administrimi operacioneve të privilegjuara dhe përjashtimet nga TVSH” thuhet në raport.

Në këtë kontekst audituesit sjellin në vëmendje se subjektet përfituese nuk janë mbikqyrur nga autoritetet doganore për përputhshmërinë e veprimtarisë me detyrimet që rrjedhin prej vendimit, pra mospërdorimin e hekurit për qëllime të tjera, duke mos vepruar sipas pikës 5 të nenit 28 të Kodit Doganor.

“Nga auditimi konstatohet se është vepruar në kundërshtim me Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet DPD-së me nr.14355 prot., datë 19.06.2018 dhe DPT –së me nr.12819 prot, date 19.06.2018, me synim forcimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit mbi veprimtarinë e tatimpaguesve/operatorëve ekonomikë konkretisht moslejimin e përdorimit për qëllime te tjera” thuhet në raport.

Duke pasur parasysh këtë panoramë KLSH ka kërkuar që nga ana e dy institucioneve siç janë Doganat dhe Tatimet të bëhen hetime për të verifikuar nëse përfituesit nga këto përjashtime e kanë orientuar atë tek programi i rindërtimit.

“DPD dhe DPT në zbatim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet tyre, me synim forcimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit mbi veprimtarinë e tatimpaguesve/operatorëve ekonomikë, të marrin masat për miratimin e programeve të përbashkëta, të realizojnë hetime dhe kontrolle të përbashkëta në lidhje me verifikimin e përdorimit të hekurit për ndërtim sipas destinacionit të përcaktuar për operatorët ekonomik të sipërcituar” thuhet në raport.

Rindërtimi nisi në vitin 2020 dhe akoma edhe sot vazhdon në Bashkinë e Tiranës dhe të Durrësit teksa në një pjesë të bashkive të tjera është finalizuar. Deri në fund të vitit të shkuar shpenzimet faktike për këtë program ishin 730 milionë euro./Monitor

Artikulli paraprakKate Middleton shfaqet në publik krah princit William, u jep fund spekulimeve dhe teorive konspirative për shëndetin e saj
Artikulli tjetërVizita në Kosovë/ Gabriel Escobar takon familjen e Afrim Bunjakut, policit që u vra në sulmin e Banjskës