Në Shqipëri është janë rikthyer torturat dhe dhuna nga policia. Departamenti amerikan i Shtetit shpreh shqetësimin serioz mbi keqtrajtimet masive të policisë ndaj qytetarëve që mbahen në qelitë e paraburgimit, të cilët në shumë raste arrestohen edhe gabimisht. Problemet më të mëdha në Shqipëri janë korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë, por veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe të shërbimit shëndetësor, dhuna në familje dhe diskriminimi ndaj grave.
Ky është vlerësimi që jep raporti vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit për gjendjen e të drejtave të njeriut, i bërë publik të mërkurën.
Pandëshkueshmëria është një prej problemeve të tjera me të cilat përballet Shqipëria, sipas raportit. “Ndjekjet ligjore dhe sidomos dënimet e zyrtarëve që kanë kryer shkelje kanë mbetur sporadike dhe të paqëndrueshme. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe personat me lidhje të fuqishme biznesi shpesh kanë mundur t’i shpëtojnë ndjekjes penale”, nënvizon raporti. Qeveria filloi hetimet për disa zyrtarë të nivelit të lartë, por Prokuroria më pas vendosi t’i pushojë këto çështje”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë.
Si probleme të tjera shqetësuese për Shqipërinë përmenden dhuna e ushtruar nga policia dhe keqtrajtimi i të dyshuarve gjatë periudhës kur ata mbahen të ndaluar dhe merren në pyetje; po ashtu evidentohen rastet e mbajtjes për një kohë të gjatë të të pandehurve në qendrat e ndalimit, pa u ngritur akuzat, si dhe kushtet jo normale nëpër burgje.
Një tjetër problem i Shqipërisë përsa i përket shkeljes së të drejtave të njeriut, përmendet përparimi i vogël që është bërë për kthimin e pronës së shtetëzuar gjatë periudhës komuniste.
Në raport po ashtu përmendet keqtrajtimi i fëmijëve, martesat në moshë jo madhore, fëmijët që jetojnë nëpër rrugë, në veçanti ata të komunitetit rom.
Në raport përmendet fakti që Shqipëria vazhdon të jetë burim dhe destinacion i trafikimit të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual dhe për punë të detyruar.
Diskriminimi dhe keqtrajtimi i komuniteteve të romëve dhe egjiptianëve të Ballkanit, diskriminimi bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor, ishin disa probleme të tjera të evidentuara në kapitullin për Shqipërinë.
Për çështjen e lirisë së shtypit, në raport thuhet se Kushtetuta e vendit siguron lirinë e fjalës dhe të shtypit dhe se qeveria në përgjithësi i mbështet këto të drejta, por ka patur njoftime se qeveria, qarqet e biznesit dhe grupet kriminale janë përpjekur të ndikojnë tek shtypi në mënyra të papërshtatshme.
Korrupsioni në gjyqësor
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit evidenton faktin se korrupsioni është në nivele të larta në sistemin e drejtësisë. Aty përmendet rasti i Gjin Gjonit, për të cilin u pushuan hetimet. Sipas të dhënave, në të shumtën e rasteve gjyqtarët nuk dënojnë njëri-tjetrin për veprat korruptive. “Gjatë vitit, gjykatësit e dy çështjeve refuzuan zgjatjen e kohës së hetimit, mbyllën çështjen e një gjykatësi të Apelit dhe të një anëtari të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të akuzuar në vitin 2014 për fshehje pasurie, deklarime të rreme, falsifikim dokumentesh, pastrim parash dhe korrupsion. Teksa autoritetet po hetonin akuzat, i akuzuari po hartonte vlerësime performance për dy gjyqtarë të çështjes. Prokuroria kishte kërkuar më shumë kohë për të marrë prova nga vende të huaja”, theksohet më tej.
Korrupsioni në arsim, shëndetësi dhe polici
“Korrupsioni është një problem në polici, në institucione arsimi, përfshi dhe universitetet publike. Përveç gjyqtarëve dhe zyrtarëve publikë shumë studentë janë ankuar se pedagogët u kanë kërkuar para për kalimin e kurseve”, është theksuar në raport. Nga ana tjetër, një theks i veçantë është vënë te korrupsioni në shëndetësi. “Problemi më i rëndësishëm i të drejtave të njeriut është korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë, veçanërisht brenda sistemit të drejtësisë dhe shëndetësisë, si dhe dhuna në familje e diskriminimi i grave”, theksohet ndër të tjera.
Kapja e mediave
Përveç korrupsionit, Departamenti Amerikan i Shtetit ka përcaktuar si një tjetër problem shqetësues kapjen e mediave nga politika. “Kushtetuta lejon lirinë e fjalës dhe të shtypit, teksa në përgjithësi respektohen këto të drejta. Mirëpo ka pasur raportime se qeveria, bizneset dhe grupe të caktuara kriminale kanë ndikuar mbi median. Në përgjithësi mediat kanë qenë aktive dhe kanë shprehur pikëpamjet e tyre, edhe pse ka pasur përpjekje për të ushtruar presion ekonomik dhe politik, madje duke përdorur grupe kriminale kundër gazetarëve, të cilët tentuan të hetojnë aktivitetet e tyre. Presoni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kanë kufizuar median e shkruar në Shqipëri”, thuhet në raportin e DASH. Aty përmenden dhe abuzime të shumta me të drejtat e njeriut, ku një theks i veçantë është vënë te keqtrajtimi i policisë në paraburgime.
Respektimi i lirive civile
Qeveria, bizneset apo bandat kriminale kanë tentuar të ndikojnë mbi media në mënyra të papërshtatshme. Disa media të pavarura kanë qenë aktive dhe kanë përcjellë këndvështrime të ndryshme, edhe pse ka pasur përpjekje për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë politik dhe ekonomik mbi to, përfshirë këtu kërcënime dhe dhunë nga ana e grupeve kriminale. Gjatë vitit janë regjistruar incidente me dhunë dhe kërcënime ndaj gazetarëve. Presioni politik ,rreziku i dhunës dhe ngacmimeve, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kanë kufizuar median e shkruar të pavarur dhe gazetarët detyrohen të vetë-censurohen. Disa portaleve online kanë dhënë këndvështrime më të pavarura.
Respektimi i integritetit të personit
Mbi sistemin e drejtësisë ushtrohet presion politik. Mos ndëshkueshmëria, korrupsioni dhe moszbatimi i ligjit në mënyrë të barabartë mbeten probleme mjaft serioze në sistemin e drejtësisë. Qeveria nuk ka marrë parasysh kërkesat e ish të burgosurve politikë për kompensim. Mijëra kërkesa për kthimin apo kompensimin e pronës private të marrë gjatë regjimit komunist nuk janë zgjidhur ende. Qeveria prishi disa shtëpi pa një proces të rregullt ligjor, si pjesë e një fushate për rrënimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme, pavarësisht ankesave dhe kërkesave për transparencë të qytetarëve. Deri në shtator, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka regjistruar 50 ankesa të abuzimit policor dhe korrupsionit në institucionet e rendit, ndërsa Avokati i Popullit ka marrë 150 ankesa nga të paraburgosurit për keqtrajtime dhe dhunë fizike. Të burgosurit dhe të arrestuarit janë keqtrajtuar shpesh si nga punonjësit e burgut dhe nga të burgosurit e tjerë. Kushtet në rajonet e policisë dhe në paraburgim janë krejtësisht të papërshtatshme, veçanërisht mungojnë kushtet bazike të higjienës dhe burgjet janë të mbipopulluar.
Diskriminimi, abuzimet shoqërore dhe trafikimi i personave
Policia nuk ka trajnimin apo kapacitetin për t’u marrë në mënyrë efektive me rastet e dhunës në familje. Abuzimi dhe dhuna ndaj fëmijëve dhe grave është e përhapur, edhe pse viktimat rrallë e denoncojnë atë. Ka pasur raste të fëmijëve nën 18 vjeç që janë shfrytëzuar për prostitucion. Fëmijët që lypin në rrugë, kryesisht ato të komunitetit rom, janë më të rrezikuar nga trafikimi. Zyrtarë publikë shpesh kanë bërë deklarata homofobike, pavarësisht mbështetjes formale të qeverisë dhe ligjit për të drejtat e komunitetit LGBT. Gjatë vitit ka pasur vrasje për hakmarrje mes bandave kriminale dhe gjakmarrje.