Sekretari i përgjithshëm i PD dhe bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj tregoi se përse nuk ishte i pranishëm ditën e djeshme në mbledhjen për komisionet hetimore.
Ai theksoi se nuk u vu në diskutim reforma zgjedhore dhe sipas tij dhe Edi Rama por edhe pala e Rithemelimit kanë interesin e tyre.
“Nëse e keni vënë re, ne kemi qenë të vetmit që edhe gjatë kohës që e bëheshin online ne kemi qenë prezent. Pjesa e parlamentit që e ka dashur debatin dhe ka dashur të flasë me njerëzit nepërmjet debatit ka qenë pala jonë. Dy palët e tjera nuk e kanë dashur. E dimë se si kanë kaluar ligjet në Kuvend.
Kisha kërshëri për të parë, vutë re ndonjë diskutim lidhur me reformën zgjedhore apo çështje të tjera lidhur me interesat e publikut. PS do të bëjë sikur asgjë s’ka ndodhur. 7 miliardë të shqiptarëve nuk dimë se ku shkuan. Përkeqësuan rregulloren e Kuvendit. Çfarë ka humbur nga situata para dhe pas. Sakrifikimi i parë është komisioni për reformën zgjedhore”-tha ai për Euronews Albania.
Alibeaj shtoi se qëllimi i vërtetë i Rithemelimit nuk është të vijë në pushtet. Sipas tij, qëllimi i një pjese të Rithemelimit është të ruajnë pushtetin e tyre dhe të mbajnë në pushtet Edi Ramën.
“Ajo që duket që ka ndodhur ose do ndodhë së shpejti është të dështosh komisionin e reformës zgjedhore. Për sa kohë kishim një komisioni ku ishin 9 anëtarë të opozitës përfshirë të gjithë, të shkosh në një sistem tjetër me 2 ose 3 anëtarë, si mundet të jesh i kënaqur me një përfaqësim 3 me 3 kur ke pasur 9 kur ke qenë në kushte pariteti me mazhorancën, ke pasur edhe të drejtën e vetos.
Duket fare qartë që interesi i një pjese të rithemelimit nuk është për të ardhur në qeveri dhe për t’i shërbyer publikut që kërkon largimin e qeverisë aktuale, por kanë interesa të tjera për të ruajtur pushtetin e tyre dhe për t’i shërbyer Edi Ramës. Duke i krijuar komoditetin Edi Ramës që të mbajë listat e mbyllura, duke mos lejuar diasporën të votojë, i ke krijuar kushtet që ai të fitojë një mandat të katërt”, tha Alibeaj