Ish-ministri i Drejtësisë Nasip Naço, i cili u paraqit në SPAK paraditen e sotme (19 mars) është shprehur se ishte thirrur për çështjen CEZ-DIA.
nasip-naco
“Nuk do të doja të isha sot këtu, për shkak të marrëdhënieve të mia me publikun. Skeptikët dhe ziliqarët do të hedhin baltë. Jam thirrur për të deklaruar në lidhje çështjen penale që ka të bëjë me kompaninë CEZ.
Në atë kohë kam patur qëndrim korrekt. Kam folur me letra, jo në heshtje. Fakti që atë kohë për shkak të abuzimeve që bënte kjo kompani me qytetarët apo interesat e shtetit, unë kam ndryshuar ligjin për energjinë elektrike duke nxjerrë jashtë sistemit të energjisë elektrike disa kompani të mëdha në atë kohë që kishin 20% të tregut të CEZ dhe kjo kompani e kishte më të lehtë të faturonte dhe komunikonte me ta më lehtë se me qytetarët.
Ky fakt i kurse buxhetit të shtetit 40 milionë euro dhe nxori këto kompani në treg të lirë.
Sigurisht që ata që notonin në ujëra të turbullta në atë kohë dhe spekulonin morën një përgjigje që pas miratimit të këtij ligji, ish drejtori i CEZ u shkarkua nga detyra dhe Kastriot Ismailajt iu ndërpre kontrata dhe besoj se miratimi i ligjit ka folur gjithçka”, tha ai për mediat.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme ka rihapur në vitin 2019, çështjen CEZ-DIA, pas një denoncimi të juristit të Operatorit të Shpërndarjes Romeo Kara, si dhe pas disa shkrimeve mediatike.
Për këtë çështje, në SPAK është thirrur dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për të dhënë shpjegime për marrëveshjen mes kompanisë çeke CEZ e cila bleu në vitin 2009 kompaninë shqiptare të shpërndarjes së energjisë, dhe shoqërisë DIA, për mbledhjen e borxheve.
Meta vazhdimisht ka thënë se ai nuk kishte asnjë lidhje si me çështjen e CEZ-it si me marrëveshjen e kompanisë çeke me DIA-n.
Çështja është gjykuar njëherë në vitin 2017 ku është dënuar me 11 vite burg administratori i DIA-s, Kastriot Ismailaj.