“Pronarët u torturuan për të treguar ku kishin fshehur arin”- Si rrëmbyen komunistët pasuritë e tregtarëve pas ardhjes në pushtet! Dhjetëra persona u varrosën për së gjalli në Durrës

Pas çlirimit të Shqipërisë, pushtetarët e rinj u përfshinë nga “ethet e arit”. Të shpallurit “kriminelë lufte”, të arratisurit, të burgosurit, bashkëpunëtorët, zogistët, u bënë shënjestrat e para të zhveshjes nga çdo monedhë. Ndër ata që u rrënuan nga pushteti i ri, ishte edhe një shtresë tjetër e popullsisë. Ajo nuk kishte bërë asnjë faj, përveç faktit që ishte e kamur, kishte prona, aksione, shtëpi të mëdha, dyqane… ishin marrë me tregti.

 

Përmes ligjesh pushteti komunist i detyronte ata të dorëzonin gjithçka, deri në kacidhen e fundit. Nëse nuk dorëzoheshin vullnetarisht, atëherë kishte “forma” të tjera. Një ndër to edhe tortura. Në librin “Konfiskimi i pronës dhe grabitja e arit (1944-1955)”, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, autori Alvin Saraçi, përmes një pune hulumtuese në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, na tregon se ç’ngjau në dekadën e parë pas çlirimit të vendit.

Shifra, fakte, kilogramë, lista hyrje-daljesh, emra tregtarësh apo eksponentësh politikë, që u bastisën. Kush hyri në dyert e shtëpive më të mëdha të Tiranës, cilët ishin tregtarët që vdiqën prej torturave për të treguar ku e fshihnin arin etj. Nga libri “Konfiskimi i pronës dhe grabitja e arit (1944-1955)”, kemi përzgjedhur disa pjesë, që tregojnë konfiskimet e mëdha dhe përmbysjen shtresore në Shqipëri.

******

NGA LIBRI

Regjimi totalitar komunist në Shqipëri nuk mund të realizohej pa kontrollin total të ekonomisë nga Partia Komuniste Shqiptare. Për rrjedhojë, goditja e ekonomisë private u bë njëkohësisht me konsolidimin e pushtetit politik të PKSH. Strategjia e shndërrimit të pronës private në pronë shtetërore u krye sipas një programi ekonomik, që erdhi pas luftës. Prona shtetërore ishte një eufemizëm, i cili fshihte faktin që prona kontrollohej totalisht nga një grup i ngushtë në krye të PKSH, i cili mbeti thuajse i pandryshuar nga fillimi deri në fund të diktaturës. Ata ishin të vetëdijshëm që një zaptim i tillë i pronës ishte një nismë, e cila nuk mund të gjente mbështetje te publiku shqiptar dhe për këtë arsye përdorën mashtrimin.

Gjatë Luftës, Këshilli Nacionalçlirimtar, si organ i vetëshpallur ligjvënës, organi më i lartë i FNÇ, pas të cilit fshihej PKSH, shpalli se nuk do ta prekte pronën private kur të vinte në pushtet. Pas luftës bëri, duke përdorur dhunën ushtarake, krejt të kundërtën. Fillimisht, në vitin 1945 u vunë nën kontroll firmat private shqiptare dhe të huaja me anë të komisarëve shtetërorë, që kishin si detyrë drejtimin dhe mbledhjen e informatave mbi aktivitetin e tyre deri në likuidimin dhe kalimin e tyre në duart e shtetit (edhe pse deri në vitin 1946 firmat private kishin akoma koncesione dhe punonin për ekonominë shqiptare) dhe monopolizimin e sektorit privat me anë të vendimeve dhe ligjeve të sekuestrimit, konfiskimit dhe shtetëzimit të pasurive private dhe më vonë transformimin e ekonomisë në të centralizuar, me krijimin e pronës së përbashkët shtetërore.

Kjo solli si pasojë eliminimin e tregtarëve, biznesmenëve, industrialistëve dhe sipërmarrësve të mëdhenj dhe të mesëm në vitet 1946-1948, si dhe grumbullimin e rezervave të arit të privatëve të ekonomisë së paraluftës, që u krye në vitet 1944-1955 dhe u drejtua si ndaj të arratisurve e të dënuarve politikë, që përbënin klasën e të konfiskuarve, edhe pas kësaj date, ashtu dhe ndaj tregtarëve që iu sekuestrua ari disa vite para shpalljes së ligjit të vitit 1960, që i dha një armëpushim formal me anë të një amnistie tatimore dhe ndaloi përkohësisht kërkimin e arit të fshehur të tregtarëve, edhe pse ky proces mund të konsiderohet se kishte avancuar përtej qëllimeve të tij.

Thithja përfundimtare në sektorin shtetëror e pronës së vogël dhe punishteve të artizanatit privat u krye plotësisht në vitin 1969 dhe i gjithë ky proces u shoqërua me ligje, që ndalonin çdo formë prone private që mund të jepte fitim dhe shkëmbimit tregtar privat, me dënime të ashpra si gjoba dhe heqje lirie për këdo që i ushtronte. Ligji i konfiskimit të pasurive të të arratisurve politikë doli në vitin 1943, siç e dëshmon rregullorja e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar.

Në Kongresin e Përmetit u parashtrua marrja nën kontroll e firmave private nga Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar, që të furnizonin Ushtrinë me prodhimet e tyre. Dolën listat e kriminelëve të Luftës, ku u futën plot kundërshtarë politikë dhe mbrojtja e pushtetit për të mos e ndarë atë me partitë e Legalitetit dhe Ballit Kombëtar.

Si rezultat, më 15 dhjetor 1944, doli ligji i konfiskimit të pasurive private të të arratisurve politikë sipas modelit sovjetik dhe jugosllav, çka solli inkriminimin politik të kundërshtarëve dhe një pjesë e madhe u përkiste klasës aristokrateçifligare, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha pronash private në ligjin e Reformës Agrare, si rrjedhim i vendimeve të konfiskimit të pronave private dhe shpronësimeve pa shpërblim të atyre që dispononin pasuri të patundshme…

Gjithashtu, pas vendimeve të konfiskimit, tokat, shtëpitë, dyqanet, mallrat, fabrikat, punishtet, llogaritë bankare i kaluan shtetit dhe u sekuestrua edhe ari pas marrjes nën kontroll të shtëpive të kundërshtarëve politikë. Ligjet e konfiskimit të plotë dhe të pjesshëm mbas ligjit nr.41 për organizimin e gjykatave u shtrinë edhe ndaj të burgosurve politikë, të cilëve iu konfiskua pasuria private…

Zbatimi në praktikë i vendimeve të sekuestrimit dhe pasojat e tij

Në qendër të vëmendjes së vendimeve të sekuestrimit të komiteteve ekzekutive ishin figurat më të rëndësishme të shtetit shqiptar të para mbarimit të Luftës, që ishin shpallur si kriminelë lufte dhe bashkëpunëtorë me pushtuesin, edhe pse nuk i përkisnin kësaj kategorie, sepse Organizata e Kombeve të Bashkuara kishte bërë publike listën e 385 kriminelëve të vërtetë të Luftës për të gjitha shtetet pas mbarimit të konfliktit, ku bënin pjesë edhe bashkëpunëtorët shqiptarë. Megjithatë, shumica prej tyre u dënuan si “kriminelë të luftës” me dënime kapitale, burgim të përjetshëm ose me heqje lirie sipas kategorive, dhe me dënim konfiskimi të pasurisë private, sipas vendimeve të gjykatës speciale të 13 prillit 1945. Megjithëse kishte kaluar një vit pas vendimit të konfiskimit, Komiteti Ekzekutiv Durrës i dërgonte “Gazetës Zyrtare” për publikim vendime të disa prej pjesëmarrësve në qeveritë e mëparshme, si vendimi nr.3 i datës 9 janar 1946 të sekuestrimit të pasurisë së patundshme dhe të tundshme të Idomeno Kosturit dhe nr.5, datë 15 janar 1946 të Maliq Bushatit, Zef Kadares, Mark Kodhelit nga Shkodra dhe Ymer Fortuzit nga Tirana. Vendimet e të dënuarve të tjerë u publikuan gjatë gjithë vitit 1946.

Dokumenti i datës 18 korrik 1945, që ishte vendimi i parë i sekuestrimit i shpallur në “Gazetën Zyrtare”, përmban listën me 36 personalitete politike të arratisura dhe të sekuestruara të prefekturës Tiranë dhe nënprefekturave Petrelë e Valias, që përjashtonte nga sekuestrimi vetëm Faik Shuaipin, sepse pas hetimeve të reja nuk figuronte i arratisur, vinte në dukje se si ndryshoi konfiguracioni politik në Shqipëri pas Luftës. Shumica e të arratisurve i kishin lënë të lira vilat e tyre në Tiranën e Re dhe lagjet në qendër të Tiranës, që u morën nga klasa e re politike. Nga lista e të arratisurve të Komitetit Ekzekutiv të KANÇ të prefekturës Tiranë si dhe pasuritë që ata kishin lënë më datë 11 korrik 1945, dalin edhe të dhëna mbi banuesit e rij të shtëpive të të arratisurve politikë, që shpesh janë vila dhe vihen në dispozicion të drejtuesve të ushtrisë partizane ose të aleatëve të tyre, por në raste të tjera ka dhe shtëpi të mëdha dhe të lëna me qira nga këta deracines dhe qiranë e merrte shteti. Shtëpia në Tiranën e Re e Prenk Previzit banohej nga Sefedin Koleci, partizan i Brigadës IV dhe Ilija Budini, indentent në Korpusin e Armatës, banesa e Mehdi Frashërit i ishte dhënë Misionit Ushtarak Sovjetik, në banesën e Ymer Fortuzit në Rrugën e Fortuzëve jetonte Myslym Peza, ndërsa shtëpia e Asim Abdurramanit në Tiranën e Re ishte e banuar nga dr. Ymer Dishnica, banesa e Sali Vuçiternit regjistrohet se ishte marrë me qira nga Beqir Balluku dhe dy persona të tjerë, si dhe vendbanimi i Hamdi Kërçikut mbahej si qiramarrës nga Koço Tashko dhe tetë persona të tjerë. Disa nga këto banesa u jepeshin dhe partizanëve e personave me gjendje të mirë politike nga Seksioni i Strehimeve pa qira. Kjo praktikë, siç do të shohim, në vitet e mëvonshme do të ndiqet edhe me të pasurit dhe tregtarët, shtëpitë më të mira të të cilëve do t’u jepen drejtuesve komunistë pas largimit të pronarëve të mëparshëm.

Persekutimi i tregtarëve për arin

Faza e parë e mbledhjes së arit kishte qenë hartimi i deklaratës së pasurisë për çdo tregtar dhe pagesa e tatimit të jashtëzakonshëm me monedha ari e argjendi shqiptare dhe të huaja, krahas pagesës me franga ari. Tregtarët u munduan t’u shmangeshin statistikave ekzakte të arit, që komiteti ekzekutiv i kërkoi, siç kishte vepruar me statistikat e vlerësimit të pronave dhe të mallrave.

Mbledhja e mallrave të fshehur dhe magazinave me mall u shoqërua edhe me zbulimin e arit të fshehur me të gjitha mënyrat edhe me torturat për nxjerrjen e tij. Për këtë qëllim u krijua edhe sektori i tretë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që do të përgatiste dhe tri procesverbale të sekuestrimit të arit, njëri drejtues i Bankës së Shtetit dhe tjetri i degës lokale të Punëve të Brendshme. Sipas raporteve nga Policia e Korçës, tregtarëve në këtë qytet u ishin marrë 400 kg flori dhe 48 mijë napolona. “Organet e Mbrojtjes së Popullit” dhe seksionet e tyre lokale në qytete të ndryshme ishin të angazhuara në zbulimin e arit të fshehur në qypa ose mallrave të fshehur dhe në bastisjen e shtëpive të të pasurve, duke sekuestruar jo vetëm monedha floriri, por çdo lloj takëmi dhe sendesh me vlerë, si bizhuteri ari, argjendi dhe sermi, unaza, varëse etj., por edhe servise lugësh, pirunësh të larë në ar ose në argjend, si dhe objekte antikuariati si punime në ar të shekujve të kaluar, monedha ari për zbukurim, si dhe kujtime të trashëguara nga paraardhësit e familjeve. Viti 1946 që ishte dhe viti i shtetëzimeve, do të kishte presion të madh ndaj tregtarëve dhe mbledhja e arit do të kryhej me të gjitha mënyrat.

Faza e parë e grumbullimit të arit të tregtarëve përfshiu vitet 1946- 1948 dhe faza e dytë vitet 1950-1952, kurse kundërshtarët politikë u dënuan me konfiskim dhe iu konfiskua ari në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë dhjtevjeçarit të parë. Në vitet 1952-1954 sekuestrimi i arit u shtri edhe mbi shtresa të tjera shoqërore që dispononin ar. Pasojat e ushtrimit të forcës për nxjerrjen e arit të tregtarëve sollën në burgosjen e tyre. Ata u lanë pa ushqim dhe për muaj të tërë jetuan me bukë të thatë. Më pas u burgosën edhe familjarët e tyre dhe iu nënshtruan një presioni psikologjik të vazhdueshëm, me tortura që kishin si qëllim, nën kërcënimin e dhunës, rrëzimin psikologjik dhe kallëzimin e arit. Madje, në Durrës, tregtarët u zhytën me të gjithë trupin në tokë dhe iu la vetëm koka jashtë, derisa të dorëzonin arin. Si pasojë, në Elbasan vdiqën në burg për floririn tregtarët Sulejman Domi, Xhaferr Çelirama, Mateo Papajani, Refik Myftiu etj.

Në Tiranë, Cen Alimehmetit, siç pohon ai vetë, pasi i ishte sekuestruar malli i dyqanit dhe shtëpia te Kodra e Kuqe, që ishte kthyer në jetimore, si dhe dyqanet në qendër dhe tokat në Mëzez, u detyrua të dorëzonte 3 mijë napolona në vitin 1946 dhe shuma të tjera në vitin 1951 dhe u mbajt nga Dega e brendshme, për të nxjerrë se ku e kishte fshehur arin. Ai nuk rezistoi dhe tregoi vendin se ku e mbante floririn, erdhi në shtëpi dhe gjeti 900 napolona të tjerë. I njëjti fat priti dhe tregtarë të tjerë si Tod Çoka që vdiq nga torturat, sepse nuk pranoi të tregonte se ku e kishte fshehur floririn. Tregtarë të tjerë që dorëzuan arin ishin edhe Hoç Këllezi, babai i ish-ministrit të Financave dhe zv.kryeministrit Abdyl Këllezi, si dhe Murat Begeja, Tahir Gjinali, vëllezërit Radheshi, Mihal Dovana nga Durrësi etj.

Shumë tregtarë të mëdhenj u dënuan me konfiskimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme si kundërshtarët politikë dhe u dërguan në kampin e punës në Maliq. Sipas memuareve të Skënder Stefanllarit, i mbijetuar nga kampi i Vloçishtit, tregtarët u bënë viktima të kënetës së Maliqit nën kërcënimin “tregoni floririn ose do të vdisni në kënetë” dhe iu bënë tortura që nuk mund t’i konceptonte mendja njerëzore. Tregtarët që vdiqën në kënetë ishin Sotiraq Lako, të cilin e varrosën në kënetë, si dhe Kosta Fundo, Bexhet Frashëri, kurse tregtari Koço Misrasi vari veten dhe dhëmbët prej floriri iu shkulën. Në korrikun e vitit 1948, Skënder Stefanllari rrëfen se si pasi iu lëshuan akuzat e rreme se gjoja kishte krijuar një gjykatë të burgosurish me në krye Niko Kirkën, me rolin e prokurorit për të dënuar regjimin komunist, ai i prekur në sedër u përlesh me rojet e kampit dhe, pasi e goditën me bel në kokë dhe ra pa ndjenja, i shpëtoi jetën, duke e marrë mbi shpatulla tregtari i madh nga Durrësi me origjinë nga Kavaja, Alfons Dovana.

Konfiskimet e viktimave të Ambasadës Sovjetike

Më 13 prill 1951, Dega e Punëve të Brendshme Tiranë i dorëzoi degës së Bankës Tiranë 28 napolona, 25 paund, 9 lira turke, një mbajtëse monedha ari dhe stoli, si dhe 113.590 lekë të derdhura në buxhetin e shtetit dhe 30 kartëmonedha italiane nga 1 mijë30 mijë lireta jashtë qarkullimit, të konfiskuara nga Gjykata e Lartë Ushtarake me vendim nr.64, datë 27 shkurt 1951, të të ekzekutuarve të akuzuar padrejtësisht për bombën në Ambasadën Sovjetike: Lluka Raskoviç, Tefik Sheku, Haki Kodra, Reis Selfo, Manush Peshkëpia, Ali Qoralli, Qemal Kasoruho, Petro Konomi, Hekuran Tresake, Mehmet Ali Shkupi, Reshit Shima, Sabiha Kasimati dhe Pandeli Nova.

Më 24 mars 1953, Policia kishte vendosur që për stolitë e gjetura Mediha Libohovës, gruas së ish-ministrit Eqrem Libohova, t’i kthehej asaj shuma prej 31 mijë lekësh, sepse ndaj saj nuk ishte marrë vendim konfiskimi, por ministri i Financave nuk qe dakord dhe kërkoi që me dispozita Ligjore t’i kalonin Bankës së Shtetit pa shpërblim.

Artikulli paraprakRezistent ndaj të ftohtit, shkencëtarët kanë zbuluar betonin që shkrin vetë borën në rrugë
Artikulli tjetërNdryshimi vezullues mes kryeministrit në detyrë dhe kryeministrit në ardhje mbrëmë në media