Kombëtarja shqiptare ka zbritur në fushë për të harruar humbjen kundër Kilit.
Shqipëria ka vijuar përgatitjet për miqësoren e dytë të marsit ndaj Suedisë.
Kuqezinjtë zhvilluan një seancë stërvitore në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës dhe më pas u nisën drejt Stokholmit. Pas dëmtimit të pësuar, portieri Etrit Berisha ka udhëtuar me ekipin dhe gjendja e tij do të monitorohet gjatë gjithë kohës nga stafi mjekësor.
Lojtarët që u aktivizuan titullarë me Kilin, zhvilluan vetëm disa ushtrime fizike dhe pa top. Ndërsa futbollistët që nuk u aktivizuan apo hynë në fushë si zëvendësues, bënë stërvitje më të ngarkuar dhe taktike. Kombëtarja do të mbyllë përgatitjet për sfidën ndaj Suedisë ditën e nesërme, me seancën e fundit stërvitore që do të kryhet në stadiumin e ndeshjes.