Të dhënat mbi për vitin 2022 tregojnë se në sektorin e biznesit, mbi 90 mijë persona raportohen “të punësuar pa pagesë”.
Sipas Instat, ata përbënin mbi 16.5% të totalit të të punësuarve prej 519 mijë personash.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se përqindjen më të lartë të punonjësve pa pagesë e ka sektori i tregtisë dhe riparimit të automjeteve.
Tregtia me pakicë është punëdhënësi më i madh në sektorin e biznesit me 73 mijë të punësuar gjithsej në vitin 2022.
Rreth 27 mijë e tyre ose 38% e totalit të punësuarve në këtë sektor janë pa pagë. Këta përfaqësojnë të vetë-punësuarit në bizneset familjare, të cilët zyrtarisht raportohen si të punësuar pa pagesë.
Pas tregtisë me pakicë dhe riparimit të automjeteve, aktivitetet e pasurive të paluajtshme raportuan se kanë 30% të të punësuarve pa pagë.
Të dhëna e INSTAT referojnë se punësimi pa pagesë në biznesin e familjes është zgjeruar shumë më tepër se punësimi me pagë.
Sipas vlerësimeve të anketës së forcës së punës për vitin 2022, rezulton se për grupmoshën 15 vjeç e lart, 47,0% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 31,5% janë të vetëpunësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 21,5% janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.