Opinion nga Neptun Bajko/ Gjimshiti dhe Broja janë shtylla jonë, Silvinjo pa… gjumë

Ishte një ndeshje që per sonalisht dua ta vlerë soj shumë për lojën që zhvilloi Kombëtarja jonë. Për mendimin tim, Suedi-Shqipëri nuk ishte miqësore. Ishte një ndeshje e vërtetë vlerash dhe e një niveli të lartë, ashtu siç do të na presin duelet në Europian. Së pari, dua të nxjerr në pah anën më pozitive të kësaj ndeshjeje, që ishte loja në bllok e skuadrës.

Ky ishte çelësi dhe ekipi shprehu në fushë disa vlera pozitive të lojës së futbollit. Sulmi më i mirë është kur di si të mbrohesh. Në të njëjtën kohë, sulmuam duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara dhe kapur në befasi Suedinë. Taktikisht, një mënyrë loje e tillë, i dha mundësi ekipit të dilte me zgjuarsi në sulm, duke rrezikuar disa herë në trikatër raste, sidomos në pjesën e parë.

Po ashtu, Broja tregoi që është një lojtar tipik i veprimeve të tilla, qoftë individuale, por edhe kolektive, sidomos në 45 minutat e para. Një dukuri tjetër pozitive që nuk u pa në ndeshjen e kaluar me Kilin ishin goditjet në portë nga distanca, si në aksione, ashtu edhe në tentativa standarde. Nuk diskutohet që sa më lart të ngrihesh në nivel me ekipe të tilla, aq më e vështirë do të jetë. Kjo na pret në Europian, por që trajneri dhe stafi i tij, sigurisht që duhet t’i paraprinë një studimi të hollësisht në çdo aspekt.

Në dy ndeshjet miqësore kishte pak ndryshime në formacion, në krahasim me skuadrën që mbajti peshën kryesore të kualifikimit. Këto konfirmuan se Silvinjo ka disa dilema për strategjinë që do të ndjekë në Europian. Të mos harrojmë se aty do të kemi kundërshtarë si Spanja, Italia dhe Kroacia, që janë shumë më të fortë sesa Kili apo Suedia.

Prandaj dhe këto miqësore vlerësohen nga stafi jo vetëm për formën e lojtarëve, por edhe taktikën që duhet të ndjekim, duke bazuar gjithçka te ajo që na pret në qershor. Duhet të kuptojmë që ndryshimet në formacion mund të qëllojnë pozitive, por kanë edhe sensin e kundërt. Në këto dy ndeshje që bëmë, fillimisht dështuam në shumë aspekte kundër Kilit.

Gjendja e lojtarëve në atë takim nuk ishte në lartësinë e duhur, por ndoshta kjo erdhi nga ndonjë vetëkënaqësi e skuadrës. Euforia ekzistonte në skuadër, por pas humbjes me Kilinë, pamë që me Suedinë kishim më shumë fenomene pozitive për atë që presim nga ekipi.

BAZA E SKUADRËS

Konkluzioni që mund të ketë nxjerrë Silvinjo, nisur nga ajo që unë mendoj, është se skuadra pasqyroi dy vlera të rëndësishme për të ardhmen. Dua të ndalem tek loja e mbrojtësit Gjimshiti dhe sulmuesit Broja, që janë dy shtylla, mbi të cilat duhet të funksionojë taktikisht dhe teknikisht Kombëtarja në të ardhmen. Më i rëndësishëm se talenti, në çdo aspekt është karakteri i lojtarit dhe skuadrës. Ata mund të jenë baza e ekipit tonë në vazhdimësi.

Nga këto dy miqësore morëm mësimet e duhura dhe mund të themi se ishin dy humbje që vlejnë. Në ndeshjen e parë ishim të mpirë si skuadër, por me Suedinë u kthyem në realitet dhe ekipi reagoi, në një kohë që vinte pas një shoku emocional dhe fizik. Skuadra më pëlqeu shumë, sidomos për veprimet e menduara dhe qarkullimin e topit. Loja në bllok duhet veçuar. Sa herë ekipi rreshtohej mirë në mbrojtje, rreziku ishte thuajse i pamundur.

ZËVENDËSIMET

Sigurisht që Balliut duhet t’i jepej shansi dhe aktivizimi i tij nga minuta e parë ishte i logjikshëm, pasi për Hysajn mendimi është i përfunduar dhe Silvinjo e di sesa vlen. Nga ana tjetër, Hoxha më duket teknikisht shumë mirë, por pak individualist.

Muçi u aktivizua pak dhe ndoshta mund të kishte më tepër hapësirë. Megjithatë, unë mendoj se vlejnë në përbërjen e përgjithshme të ekipit. Padyshim që në këtë aspekt doli në pah edhe loja e mirë e portierit Strakosha, i cili ka bërë një paraqitje shumë të mirë kundër Suedisë. Në shumë aspekte i dha moral lojës së ekipit, duke shmangur gola të sigurtë.

MIQËSORET E FUNDIT

Dy ndeshjet e fundit miqësore janë përcaktuar me ekipe të nivelit jo të mirë si Lihtenshtejni dhe Azerbajxhani, por që do të na shërbejnë për të kristalizuar të gjitha mangësitë që duheshin korrigjuar.

Janë ndeshje me rivalë që nuk kanë rëndësi dhe stres psikologjik, por i shërbejnë më mirë trajnerit për të gjitha problemet që ka. Shpresoj të mos na shkojnë si ndeshjet që patëm me Moldavinë dhe Ishujt Faroe.

DILEMAT E LISTËS

Trajneri do të ketë dilema deri në fund, sepse janë edhe dy muaj aktivitet, por nuk përjashtohen as dëmtimet. Për listën unë mendoj se nuk ka mendim absolut në këtë moment Silvinjo. Edhe pse e vlerësoj shumë lojën në mesfushë, prapë unë kam dyshime, sepse Asllani, Ramadani, Laçi dhe Bajrami nuk janë në role 100% fikse. Duhen katër lojtarë me aftësi individuale dhe fizike të jashtëzakonshme për të përballuar Europianin.

Mesfusha është mushkëria e skuadrës, kështu që në këtë këtë moment ka shumë halle për Silvinjon. Dikush ndoshta e kishte fshirë Brojën, por tani ai është baza e skuadrës. Patjetër që ai do të jetë në Europian dhe shumë i rëndësishëm për ne. Dilema mund të ketë për Cikalleshin, Manajn dhe ndonjë mesfushor apo mbrojtës. Silvinjo do të jetë pa gjumë derisa të mbarojë Europiani.

* Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen e kompanisë.

Artikulli paraprak80% e mjekëve gabimisht besojnë se nikotina shkakton kancer të mushkërive! Ja si ta nxirrni atë jashtë trupit
Artikulli tjetërShefja e delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të KiE: Serbisë i është ngushtuar rrethi, Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës