Shteti i xhepistëve

Nga Klodian Tomorri

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave rezulton i akuzuar nga një biznesmen turk se ka marrë para për emërimet e konsujve gjatë kohës që shërbente si ambasador në Turqi. Emre Telyar thotë se Gent Gazheli i mori, nëpërmjet atasheut të tregtisë në ambasadën shqiptare në Turqi, Nertila Doka, disa pagesa për ta emëruar si konsull nderi të Shqipërisë në Turqi.

Zonja Doka rezulton një njohje e hershme dhe shumë e afër me zotin Gazhelin. Sipas disa denoncimeve në rrjetet sociale, raporti i tyre ka qenë përtej atij epror-vartës. Biznesmeni turk tashmë e ka paditur çështjen në gjykatë, duke i kërkuar zonjës Doka që t’i kthejë paratë.

Por pavarësisht akuzave kaq të rënda dhe dokumentave implikuese, që biznesmeni nga Izmiri ka paraqitur në gjykatë, sërish zoti Gazheli vazhdon të qëndrojë në një nga postet më të rëndësishme të shtetit, në krye të doganave.

Në agjensinë tjetër të të hyrave publike, situata nuk është më e mirë. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve është zyrtarisht nën hetim nga SPAK për për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Nga SPAK, nën zë kanë rrjedhur informacione se dosja e dosja e zotit Klosi ka brumë dhe mund të ketë zhvillime të forta. Megjithatë drejtori i Tatimeve vazhdon të qëndrojë në detyrë. Madje përtej administratës tatimore, ai qeveris edhe sektorin e energjisë.

Këta janë dy drejtorët më të rëndësishëm të shtetit shqiptar sot. Të dy nën akuza të rënda. I pari për xhepist, që merrte para edhe për emërime konsujsh. (Vaj halli se ç’mund të bëjë një njeri kështu në krye të doganave.) I dyti për korrupsion dhe mashtrim.

Sigurisht që para ligjit, çdo njeri prezumohet i pafajshëm deri në vendimin e gjykatës. Zoti Gazheli dhe zoti Klosi kanë gjithë të drejtën e tyre të kërkojnë pafajësinë për akuzat që ju janë ngritur. Por edhe qytetarët shqiptarë kanë të drejtën që në krye të institucioneve më të rëndësishme të shtetit të kenë njerëz të cilët nuk janë rob i proçeseve penale potentialisht të rënda.

Në një vend ku institucioni i dorëheqjes e ka humbur prej kohësh sensin, mekanizmi korrektues do të duhet të ishte përgjegjshmëria politike. Por edhe kryeministri duket se është lodhur me shkarkimet e ushtarëve dhe kapterëve që i bien rob në telat e drejtësisë. Tashmë atij nuk i bën më përshtypje hiç. Drejtorin e fundit të rëndësishëm, atë të rrugëve nuk denjoi fare ta hiqte nga detyra edhe pse e dinte shumë mirë se çfarë do të ndodhte, por e la që t’ia zinin rob në zyrë.

Dikush që e njeh nga afër thotë se kryeministri tashmë mendon vetëm në anglisht, për hallet e botës dhe nuk ka më kohë e as nerva të merret me vogëlsirat e katundit që qeveris prej 11 vitesh. Por ndërsa kryeministri mediton në anglisht, shtetin ka rënë peng. Tek xhepistët, emrat e të cilëve dalin sa në gjykatat e botës ashtu dhe në dosjet e SPAK./ Kapitali.al

Artikulli paraprakPërse nuk ka Shqipëria ‘’investitor strategjik’’ të huaj?
Artikulli tjetër“SPAK-u po godet, do të ketë ‘vula’ të tjera”/ Zheji: Dalja e Berishës në ballkon mesazh për Bardhin, “jam unë kryetari”!