“Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër zbatimin e ligjit për zonat e mbrojtura, të votuar javët e fundit vetëm me votat e socialisteve”. Kështu deklaroi gjatë konferencës me gazetarët Raporterja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos.
Ligji i kaluar vetëm nga mazhoranca i jep atributet Kryeministrit Edi Rama, si kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, që të japë leje për ndërtimin e resorteve, vilave, bizneseve të ndryshme në ato që konsiderohen si zona të mbrojtura. “Po ndjekim nga afër ligjin për Zonat e Mbrojtura. Për të parë sesi zbatimi i këtij ligji të ri do të bëhet”.
E pyetur nga News24 në lidhje me veton penguese të Greqisë në rrugën e integrimit të Shqipërisë për në BE, si pasoje e çështjes Beleri, zyrtarja Isabel Santos u shpreh e keq ardhur për deklaratat e palës greke.
“Është një çështje në proces gjyqësor. Nëse të gjitha vendet do të sanksionin apo të bënin të tilla deklarata kur një shtetas i tyre përballet me një proces gjyqësor, bota do të ishte e tmerrshme. Do dalim në përfundim pasi të flasë drejtësia. Po e ndjek çështjen, jam mjaft e vëmendshme ndaj kësaj çështjeje”, theksoi ajo. Sa i takon interesimit të medias që lidhet me humbjen e dy viteve pa bërë asgjë për sa i takon reformës zgjedhore, Santos nenvizoi faktin se mundet ende te behet një pune e mirë mes palëve, përpara zgjedhjeve të 2025-s.
“Në vendin tim thuhet që duhen dy veta për tango, për dialogun duhen dy veta. Faji nuk është te njëra palë. Kur ka mosmarrëveshje apo diçka që nuk ecën, faji është i dy palëve. Jemi ende në kohë, mesazhi është që partia në pushtet dhe opozita të gjejnë një konsensus minimal për të ecur përpara në kohë për zgjedhjet e 2025”, shtoi ajo. Isabel Santos kërkoi vijimësinë e reformave te ndryshme ne arsim, shëndetësi, e sidomos ajo në drejtësi, që për zyrtaren e lartë të BE-se nuk ka kthim pas.