EMRAT/ Ndërtuan 7 vila me dokumente të falsifikuara, Prokuroria e Tiranës merr të pandehur 10 persona. Sekuestrohen të gjitha objektet e ndërtimit

Prokuroria e Tiranës, ka marrë të pandehur 10 persona të cilët dyshohet se kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, duke falsifikuar dokumentet, 7 vila në zonën e Mulletit.

Burime për Panorama Online, bëjnë me dije se të pandehur janë marrë shtetasit, Armand Prelezi, Klevis Bregu, Manush Teqja, Florian Zela, Abaz Teqja, Tefta Visha, Dorina Dushku, Arblin Harizi dhe Gani Moka.

Sipas prokurorisë, Armand Prelezi dhe Klevis Bregu, në cilësinë e arkitektit, akuzohen për veprën penale “Falsifikim i dokumentave”, ndërsa 8 shtetasit e tjerë, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.

Gjithashtu, Prokuroria ka vendosur në sekuestro preventive të gjitha objektet e ndërtuara.

Njoftimi:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka regjistruar Procedimin Penal nr. 1285, të vitit 2023 (I bashkuar), për veprën penale të “Ndërtimit të paligjshem” parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.

Në funksion të hetimeve paraprake për sa është kallzuar, nga ana e organit të prokurorisë janë kryer hetime intensive, si marja në pyetje e personave, kqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerje e ekspertimeve teknike, dhe ne përfundim është arritur në konkluzionin, se bëhet fjalë për konsumim të elemeteve të veprave penale të parashikuara nga nenet 199/a/3, 186/2, 186/3 në bashkëpunim dhe 300 të Kodit Penal, pasi në zonen e Mulletit, në ekonominë pyjore 1/a dhe 2/a, janë ndërtuar 7 objekte (vila), formalisht të pajisura me leje rindërtimi, por që ka rezultuar se dokumetacioni tekniko ligjor i përdorur pasqyronte të dhëna të rreme, si dhe duke cenuar fondin pyjor, në juridiksion të Bashkisë Tiranë.

Në këto kushte, nga ana e organit të prokurorisë është çmuar, se ka prova dhe dyshim të arsyeshëm për të proceduar me marjen si të pandehur, për veprat penale shtetasit si më poshtë:

  1. A. P, arkitekt, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/3 dhe 25 të K.Penal;
  2. K. B., arkitekt, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentave” parashikuar nga neni 186/3 dhe 25 të K.Penal;
  3. M. T., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 dhe “Falsifikim i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal;
  4. F.Z., i akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 dhe “Falsifikim i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal;
  5. A.T., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 dhe “Falsifikim i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal;
  6. M. D., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 dhe “Falsifikim i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal;
  7. T. V., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 dhe “Falsifikim i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal;
  8. D. D.u, akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 i K.Penal;
  9. A. H., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 dhe “Falsifikim i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal; dhe
  10. G. M., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 dhe “Moskallezim i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal.

Njëkohësisht, referuar parashikimeve të nenit 274 të Kodit Procedurës Penale, nga ana e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është kerkuar sekuestrimi i objekteve të paligjshme dhe me vendimin nr 3625 datë 20.11.2023 Gjykata e Shkallës së Parë e Juridikisonit të Përgjithshëm Tiranë ka disponuar vendosjen e sekuestros preventive mbi objektet e ndërtuara.

Hetimet vijojnë në drejtim të veprimeve dhe mosverimeve të enteve publike si dhe bashkpunëtorëve të mundshëm për veprat penale të “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 186/3 dhe 248 të Kodit Penal.

Artikulli paraprakHistoria tronditëse/ Emra të ndryshëm, mbiemër ndryshe, kush është Elvis Roshi i vërtetë
Artikulli tjetërShembja e urës së Baltimores, eksperti i sigurimeve në SHBA: Mund të kemi dëmshpërblimin më të madh të bërë ndonjëherë! Ja shifrat marramendëse që mund të paguhen