Loja e qeverisë me rritjen e pagës minimale

Elona BEDALLI

Nën zë, prej kohësh flitej se qeveria ishte duke diskutuar mbi mundësinë e ndryshimit të pagës minimale për efekt të kontributeve shoqërore. Por, tashmë, duket se vendimi është marrë e se nuk do të vonojë edhe zyrtarizimi në institucionet përkatëse, më së pari në Këshillin Kombëtar të Punës e më pas, edhe në qeveri. Paga minimale pritet të shkojë në 25,000 lekë ose rreth 13.6% më shumë se sa niveli aktual, ndërsa efektet do të nisin nga janari i vitit 2017.
Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, paga minimale për efekt të kontributeve shoqërore, u bë 22,000 lekë nga rreth 19,000 lekë që ishte. Në këtë kohë u përcaktua edhe që paga minimale për efekt të sigurimeve shoqërore do të ishte e barabartë me pagën minimale për efekt punësimi të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. Kjo u bë edhe për efekt llogaritjesh për ndryshimet që pësoi sistemi i pensioneve.
Por, a duhet të ndërmerret ky ndryshim? Biznesi, ekspertët e sindikalistët ndajnë mendime të ndryshme. Sektori privat do të jetë ai që do ta ndjejë më shumë këtë ndryshim, veçanërisht eksporti dhe prodhimi. Me rritjen e pagës minimale, bizneset do të përballen me kosto më të larta e që mund ta reflektojnë këtë te çmimet. Apo, më keq, siç thonë edhe vetë sipërmarrësit, mund të nxisë, me dëshirë, informalitetin.
Kjo gjë e bën diskutimin specifik. Një pjesë e ekspertëve e marrin në konsideratë këtë fenomen e disa të tjerë jo. Institucionet financiare ndërkombëtare, veçanërisht Banka Botërore, thekson se informaliteti në tregun e punës është sa 48% e tregut në tërësi. Një argumentim, i cili vendoset përballë atij mbi rritjen e pagës minimale.
Rritja e pagave minimale, në terma realë, ka qenë shumë e ulët në periudhën midis viteve 2000-2015, me qëllim për të mos nxitur efekte negative në treguesin e punësimit. Punëdhënësit kanë përdorur mekanizma rregullues në vend të angazhimit për rritjen e kostos së punës. Në anën tjetër, ekspertët thonë se norma e rritjes së pagës minimale nuk ka qenë e njëjtë me atë të normës së rritjes së çmimeve të konsumit. Ky raport në mes të rritjes së pagës minimale dhe ndryshimit të çmimeve të konsumit konfirmon se rritja e pagave nuk ka efekt të drejtpërdrejtë në normën e inflacionit. Gjithsesi, kontributi relativisht i vogël i rritjes reale të pagës minimale të sektorit formal tregon se pagat minimale nuk mund të merren si element i fortë për rritjen e ekonomisë apo të investimeve. Për ekspertin e ekonomisë, z. Selami Xhepa, pagat e ulëta në Shqipëri më shumë se konkurrueshmëri të ekonomisë, reflektojnë dobësi. “Pagat reflektojnë nivelin e produktivitetit të ekonomisë. Pagat e ulëta ishin një faktor konkurrues në fillimet e tranzicionit, atëherë kur vendi dispononte një fuqi punëtore me kualifikime të mjaftueshme dhe të pranueshme për industri të caktuara, që ishin pjesë e trashëgimisë pozitive nga sistemi i mëparshëm. Ndërsa sot, pagat e ulëta nuk mund të konsiderohen më të tilla. Fakti që shumë investitorë të huaj vitet e fundit kanë zgjedhur vendet fqinje dhe jo Shqipërinë, është dëshmi se fuqia jonë punëtore nuk ka kualifikime të mjaftueshme në raport me kërkesat e investitorëve, pra dhe nivel më të ulët produktiviteti. Nga ana tjetër, tërheqja nga Shqipëria vetëm e investimeve të tipit fason dhe call center, do ta mbajë vendin në një gjendje varfërie e pagash të ulëta”, thotë z. Xhepa. Sipas tij, vendi duhet të adoptojë një model ekonomie konkurruese me paga e produktivitet të lartë, kjo do të çonte drejt progresit dhe mirëqenies.

Linjat e qeverisë

Në projektbuxhetin e vitit 2017, qeveria tashmë ka projektuar rritjen e pagave për administratën.
Kreu i Financave, Arben Ahmetaj, e prezantoi përpara përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar këtë rritje, si reformë në administratë për të rritur eficiencën e saj. Nga ana e saj, FMN ka këshilluar qeverinë shqiptare që nëse do të rrisë performancën e administratës, duhet ta bëjë me pagat mesatare dhe jo me rritjen e pagave të vogla. Ahmetaj deklaroi se qeveria kishte vendosur që të rriste me 36% pagën minimale, pra nga 22,000 lekë në 30,000 dhe kjo do të kishte efekte detyruese edhe për sektorin privat. Numri total i përfituesve nga rritja e pagës minimale në administratën buxhetore për vitin 2017 është rreth 6,900 punonjës dhe fondi i nevojshëm nga kjo rritje ishte parashikuar në rreth 1 miliard lekë në vit.
Në një intervistë të posaçme për “Monitor”, në fund të muajit shtator, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë deklaroi se debati i ndryshimit të pagës minimale për efekt të kontributeve shoqërore kishte ardhur nga vetë komuniteti i biznesit dhe i sindikatave. “Ka një debat për nivelin e rritjes. Por, padyshim, që në paketën dhe në buxhetin e vitit të ardhshëm do të përpiqemi të kemi një rritje të pagës minimale, por sërish nuk do të arrijë në nivelin e dëshiruar, por të paktën do të jetë një rritje, e cila do të vihet në shërbim të të punësuarve”, pati deklaruar ministri Klosi.
E përtej këtyre deklarimeve, duket se tashmë vendimi, i cili pritet të zyrtarizohet, është marrë dhe rritja e pagës minimale do të jetë me 13.6%, duke u llogaritur në 25,000 lekë.

Biznesi: Për ne do të ishte shkatërrim

Nëse ka një sektor që do ta ndiejë fort ndryshimin e pagës minimale është fasoni.
Florjan Zekja, drejtues i një biznesi fason, thotë se nuk kanë marrë asnjë informacion për këto ndryshime. “Rritja e pagës minimale për sektorin tonë do të ishte shkatërruese. Kostot e punës do të rriteshin ndjeshëm. Kjo do të bënte që porositësit të largoheshin në vende të tjera, si në Maqedoni apo në Tunizi. Një tjetër vend konkurrues është edhe Rumania, që ka një nivel të ulët pagash. Fondi i pagave në industrinë e fasonit llogaritet në rreth 70% të shpenzimeve. Me rritjen e pagës minimale, këto shpenzime do të rriten edhe më tej. Nuk duhet të harrojmë edhe faktin se në Shqipëri është vështirë të gjesh krah pune të kualifikuar për këtë sektor. Vetëm Tirana, sot për sot, ka nevojë për 10,000 forca pune”, thotë z. Zekja.
Gjergj Liqejza, një tjetër drejtues kompanie fasoni në Shkodër, numri i punonjësve të së cilës llogaritet në rreth 700, thotë se biznesi i tij në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk do të preket, pasi siç konfirmon nuk ka asnjë punëtor që e paguan me pagë minimale. Sipas tij, paga është një element, i cili rregullohet nga vetë tregu dhe nuk është e nevojshme që të bëhet me politika diktuese e detyruese. Por, për sektorin e fasonit, një lajm i tillë do të ishte tejet negativ, pasi do të rriste tendencën për abuzime dhe informalitet. Liqejza thotë se në sektorin e fasonit, fondi i pagave zë rreth 60% të kostove dhe se rritja do të cenonte rëndë marzhin e fitimit të kompanive që operojnë. Në anën tjetër, do të nxiste ekonominë informale.
Rëndimi i situatës, shton Liqejza, mund të çojë deri atje sa të bëjë që firmat e huaja që punojnë me fasonin shqiptar të tërhiqen e të gjejnë tregje të tjera si Bullgaria (e cila ende ka pagë më të ulët në rajon) apo Maqedonia, e cila ofron edhe zona të lira ekonomike. “Në këto kushte, mund të themi qartë se po pranohet me dashje nxitja e informalitetit”. Ai thotë se nuk është kundër vendosjes së një kufiri për pagën minimale, por këtë duhet ta bëjë tregu jo qeveria. Në anën tjetër, përcaktimi i tyre pa vendosur zyrtarisht minimumin jetik, është i pastudiuar.
“Nga njëra anë, tatimfitimi 15%, po kaq edhe tatimi mbi dividentin, 9% nga rritja e pagës minimale, të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin koston e punës dhe na bëjnë jo konkurrues”, thotë z. Liqejza.
E duket se në të njëjtën linjë janë eksportuesit, si dhe prodhuesit në vend. ‎Alban Zusi, pronar i kompanisë “INCA Nord Fish”, që vepron në qytetin e Lezhës, shprehet i shqetësuar për këtë vendim që po synon të marrë qeveria, ku pak kohë më parë ishte edhe vetë pjesë.
Rritja e pagës minimale për efekt të kontributeve shoqërore, sipas tij, do ta nxisë biznesin të rrisë informalitetin.
Një tjetër efekt, sipas tij, do të ishte “taksimi i fshehtë”, pasi në fakt do të kishim të bënin me një rritje të taksës së punës. Në këto kushte, sipërmarrësit, thotë z. Zusi, ose do të pranojnë të “skllavërohen” ose do të gjejnë forma të ndryshme reagimi, ku një skenar mund të jetë ai i rritjes së pagës minimale, por punonjësi do të detyrohet që shtesën ta kthejë mbrapsht te pronari.
Zusi thotë se po kaq e vështirë, situata do të bëhej edhe për sektorin e prodhimit vendas, i cili do të gjejë mënyra “për të shkarkuar” këto shpenzime e që ka gjasa të jetë rritja e çmimeve për konsumatorët fundorë. Kjo rritje do të jetë e vështirë që të kontrollohet. “Punonjësit e varfër nuk do të kenë ndonjë përfitim. Rritja e pagës minimale do të bëjë që biznesi ta reflektojë te çmimet dhe kështu do të blihen mallra që kushtojnë më shumë”, thotë z. Zusi.
Sipas tij, prodhimi vendas gjithashtu do të konkurrohet nga importi. Në kushte të tilla, thotë Alban Zusi, nuk mund të përjashtohet edhe ndonjë mbyllje biznesi.
Një tjetër sektor që ai veçon është edhe manifaktura. Sipas tij, kostot e punës llogariten në 50% të shpenzimeve, ndërsa paga minimale do të zërë rreth 20% të 50%. Sipas tij, rritja e pagës minimale do të rrisë koston e punës rreth 10%, në një kohë kur normat neto të fitimit në këtë sektor nuk shkojnë më shumë se 15-20%. Në sektorin e fasonit, thotë z. Zusi, është e pamundur që të rrisësh çmimet, sepse të huajt nuk do të mendoheshin dy herë dhe do të iknin, do të zgjidhnin ato vende, ku krahu i punës do t’ju kushtonte më pak. Në anën tjetër, edhe reduktimi me pothuajse 50% i normës neto të fitimit do të ulte aftësinë investuese. Biznesi nuk do të nxitej që të kryente investime dhe fasoni, në këto kushte, nuk do të bënte asnjë përpjekje për të dalë në prodhim. “Shumë biznese kanë një normë fitimi neto në 10% dhe rritja e pagës minimale do të thotë më shumë vështirësi për ta. Në anën tjetër, kjo rritje mund të shkaktojë efektin e kundërt, atë të reduktimit të vendeve të punës. Pra, rritja e kësaj page (e cila realisht nuk do të jepej nga punëdhënësi) nuk do të ishte një përfitim për punonjësit, por për buxhetin e shtetit, i cili do të vilte më shumë të ardhura nga taksa e punës.
Alban Zusi tregon se, nëse mjedisi i të bërit biznes është pozitiv, nëse biznesit i lihen hapësira për t’u zhvilluar, atëherë ai është i aftë të gjejë vetë mekanizmat për të rritur pagat. Ai thotë se gjatë këtij viti i ka rritur gati tre herë pagat për punonjësit e fabrikës së peshkut në Lezhë. “Nuk ka më punonjës që të vijnë të të trokasin në derë. Asnjë eksportues nuk është më në kushte të tilla. Punonjësit për ne janë investim, pasi ne i trajnojmë dhe ndihmojmë që ata të marrin përvojë. Unë nisa të aplikoj pagesa për punë sipas njësive, duke i motivuar punonjësit që të nxiteshin për të rritur produktivitetin. Kam nisur të zbatoj edhe shtesë në paga 1% për vjetërsi në punë dhe automatikisht një pjesë e punonjësve e përfituan. Janë disa masa që i kam ndërmarrë për të motivuar krahun e punës, me qëllim që ata të mos largohen. Është biznesi ai që i krijon vetë kushtet për t’i rritur pagat punonjësve, e kjo nuk mund të ndodhë me një të rënë të lapsit nga ana e qeverisë. Kjo është një çështje që tregu e rregullon vetë. Në vitin 2008, kur nisa aktivitetin, kisha 5 punëtorë, ndërsa sot kam rreth 100. Në muajin tetor të këtij viti, gjithashtu i rrita pagat në masën 10-12% dhe këtë e bëra sepse mora rezultatet e investimeve që bëra në modernizimin e teknologjisë. Vetëm nga kjo rritje, arrita të marr në punë 13 punëtorë të rinj. Gjithashtu unë iu siguroj punëtorëve të mi edhe transportin, i cili nuk më njihet si kosto në punë. Por, kjo ndihmon që të zhvillohet zona rreth e rrotull fabrikës dhe të dalë nga varfëria”, thotë z. Zusi. Sipas tij, nuk duhet harruar që biznesi bën të mundur kualifikimin e krahut të punës, që sot është një aspekt i rëndësishëm.

Si u përcaktua paga minimale

Një studim i disa viteve më parë i Organizatës Botërore të Punës (ILO) nënvizonte se institucionet e pagës minimale në Europën Juglindore nuk janë zhvilluar në mënyrë të barabartë.
Në vitin 2009, Pakti Global i Punës, miratuar nga Konferenca Ndërkombëtare e Punës, për përgjigje me punë të denjë ndaj krizës, u bëri thirrje qeverive të konsiderojnë mundësi të tilla, si paga minimale, që kontribuojnë në uljen e varfërisë dhe pabarazisë, në rritjen e kërkesës dhe stabilitetit ekonomik). Pakti Global i Punës përmend se Konventa e ILO-s për përcaktimin e pagës minimale e vitit 1970 (Nr. 131) ofronte udhëzime në këtë drejtim.
Në studim thuhet se shumica e vendeve të Europës Juglindore kanë një pagë minimale të përcaktuar me ligj.
Në Shqipëri, paga minimale pas konsultimit në Këshillin Kombëtar të Punës, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave në nivel kombëtar dhe është e detyrueshme si për sektorin privat, ashtu dhe për atë publik.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, paga minimale u përcaktua në vitin 2005 me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, si një përqindje e lartë e pagës mesatare (50%).
Në vitin 1989, pak para ndryshimit të regjimit, Hungaria miratoi me ligj pagën minimale. Nga viti 1992 deri në vitin 2011 (me një ndërprerje katërvjeçare), paga minimale negociohej çdo vit në Këshillin trepalësh të Interesave Kombëtare të Pajtimit dhe ligjërisht, ishte detyruese për gjithë ekonominë. Në korrik të vitit 2006, Hungaria ndërmori një reformë origjinale ku paga minimale diferencohej në bazë të kërkesave të kualifikimit dhe përvojës në punë. Diferencimi, si pasojë e përvojës në punë, u hoq më 1 janar të vitit 2009.
Në Serbi, paga minimale negociohet midis qeverisë dhe organizatave përfaqësuese të punëmarrësve dhe punëdhënësve. Që nga viti 2005, ajo përcaktohet si një shumë neto për orë dhe shprehet dhe në ekuivalentë mujorë dhe vlerë bruto, sipas vendimit të marrë dy herë në vit nga Këshilli Trepalësh Ekonomiko-Social.
Sidoqoftë, nëse nuk arrihet marrëveshje në lidhje me shumën, është qeveria ajo që merr vendimin përfundimtar në lidhje me të. Paga minimale, në përgjithësi, është e ulët, nën 40% të pagës mesatare.
Bullgaria bëri përcaktimin e pagës minimale në vitin 1997. Qëllimi ishte të realizohej lidhja midis pagës reale minimale me zhvillimin ekonomik dhe kështu të arrihej një lidhje më e mirë me produktivitetin, të përmirësohej situata e punëtorëve me të ardhura të ulëta dhe të stimuloheshin nivelet e pagave në vend. Gjatë viteve 2001–2007, rritja prej 80% e pagës nominale, pati rezultat në uljen e varfërisë.
Në Rumani, deri në vitin 2011, paga kombëtare minimale ishte kompetencë e qeverisë pas konsultimit me partnerët socialë. Pritshmëritë ishin që ajo të mbulonte gjithë punëmarrësit, të përbënte një nivel bazë për negociatat mbi pagat dhe të garantonte minimumin jetik.

Artikulli paraprak500 mijë euro për një konsulent hekurudhash?
Artikulli tjetërRënia e Renzit shpresë për call center-at