United s’di të fitojë

Mançester United vazhdon të mos fitojë duke humbur terren dhe me zonën e Europës. “Djajtë e kuq” regjistruan të tretin barazim radhazi duke u ndalur në 1-1 në transfertën e Liverpulit. Një gol i pësuar sërish në fund nuk i dha “Djajve të kuq” mundësinë për të marrë 3 pikë në “Goodison Park”.
Baines ishte ai që realizoi për Evertonin duke i dhënë një pikë të merituar vendasve. Në fakt ekipi i Mourinhos në pjesën e parë, e cila ishte përgjithësisht pa shumë raste arriti të kalojë në epërsi falë Zlatan Ibrahimoviçit, goditja e të cilit goditi shtyllën dhe traversën bashkë përpara se të kalonte vijën e portës.
Rastet e krijuara më pas nga Evertoni në pjesën e dytë u konkretizuan një minutë para fundit, kur Baines u tregua i saktë nga pika e bardhë. Një barazim që pavarësisht se çon në katër serinë e ndeshjeve pa fitore për blutë e Liverpulit gjithsesi shërben për moral pasi arrihet ndaj një skuadre të fortë, ndërsa për United pritet të sjellë një tjetër javë tensioni për Mourinhon.
Mançester United është ndalur në barazimin e tretë radhazi në kampionatin anglez duke humbur hapin e kreut të klasifikimit. “Djajtë e kuq” lanë t’u ikte fitorja nga duart në minutat e fundit të ndeshjes pas një penalltie fatkeqe të Fellainit të sapofutur në lojë.
Në një pjesë të parë ku Mançester United luajti më mirë, skuadra e Mourinhos gjeti avantazhin në fund të 45 minutave me anë të Zlatan Ibrahimoviç, i cili dënoi Stekelenburg për një dalje të pastudiuar. Në fillimin e pjesës së dytë, Herrera goditi edhe traversën, por më pas Mançester u zhduk nga fusha e lojës.
U deshën disa pritje të De Geas për të mbajtur në lojë skuadrën e Mourinhos, derisa në fushë hyri Fellaini. Mesfushorit iu deshën vetëm 2 minuta për të shkruar emrin e tij mes protagonistëve, duke shkaktuar penallti kur regjistrohej minuta e 89-të e takimit. Beins ekzekutoi me qetësi duke çuar në 1-1 rezultatin dhe vulosur fatin e ndeshjes. Me këtë barazim, Mançester United mbetet 9 pikë pas Sitit të vendit të katërt që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.
Edhe Liverpuli hedh një tjetër hap të gabuar në garën për titullin kampion. Në javën e 14-të të Premier Ligës, të kuqtë u mposhtën 4-3 nga Bërnmuthi në një duel triller. Pas golave të shpejtë të Manes dhe Origit (20’, 22’), dukej se gjithçka do të shkonte vaj për ekipin e Jurgen Klopit. Megjithatë vendasit u zgjuan pas pushimit dhe ngushtuan disavantazhin me një penallti të Kallum Uilliamsit (56’).
Në të 64-n Emre Xhan e thelloi përsëri epërsinë e miqve, për të cilët në fakt ndeshja mbaroi në këtë moment. Golat e njëpasnjëshëm nga Frejzër (76’) dhe Kuk (79’) rivendosën baraspeshën, ndërsa Natan Ejk ndëshkoi Liverpulin në minutën e tretë shtesë. Kjo disfatë i zbret të kuqtë në pozitën e tretë me 30 pikë, 4 më pak se Çelsi kryesues dhe -1 nga Arsenali.

Artikulli paraprakCila do të jetë skuadra antiJuve?
Artikulli tjetërHiguain nuk shënon? Do fitojë titullin