Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Sokol Sadushi, thotë se si gjykata që ai drejton, ashtu edhe gjithë sistemi i drejtësisë po përballen me sfida, por shpreh besimin se ato janë në rrugë të mbarë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Sadushi, i cili ndodhet në Uashington me një delegacion të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, tha se reforma e drejtësisë, që filloi tetë vjet më parë, po jep rezultat. Ai thotë se akuzat politike dëshmojnë se organet e reja të drejtësisë po funksionojnë.
Zëri i Amerikës: Zoti Sadushi, megjithëse reforma në drejtësi u vlerësua për atë që arriti, për ngritjen e institucioneve të reja, ajo la pasoja edhe në Gjykatën e Lartë, e cila u plotësua me gjyqtarë vetëm vitin e kaluar. Në këto kushte cilat janë sfidat me të cilat përballet Gjykata e Lartë sot?
Sokol Sadushi: Gjykata e Lartë dhe gjithë sistemi i drejtësisë është përballë sfidave. Në fakt drejtësia është sfidë në vetvete. Kur u formatua në vitin 2020, Gjykata e Lartë është përballur me një sfidë, sepse vetëm një gjyqtar ishte në atë gjykatë për shkak të procesit të vetingut, që e shkarkoi pjesën dërrmuese. Dukej një situatë e pashpresë, me një volum prej 36 mijë dosjesh. Në fakt, ritmi është i kënaqshëm dhe sfida që ka Gjykata e Lartë për të bërë të mundur uljen e kësaj ngarkese, për të parandaluar ardhjen e çështjeve të reja, për të bërë të mundur që vendimet të ekzekutohen, që qytetarët të marrin drejtësi në mënyrë sa më të shpejtë; sigurisht që të gjitha këto në vetvete janë sfida. Tashmë me 18 gjyqtarë, Gjykata e Lartë funksionon në mënyrë të plotë, por ka vështirësitë e veta, që lidhen me aspektin e burimeve njerëzore, infrastrukturore dhe financiare. Gjykata e Lartë ndeshet me këto çështje në mënyrë të përditshme, por ne kemi marrë përsipër që të bëjmë maksimumin e mundshëm që kjo gjykatë të bëhet një gjykatë që jep shpresën, dhe besoj se jemi në rrugë të mbarë, pavarësisht problemeve të shumta që ndeshim përditë.
Zëri i Amerikës: Kur mendoni se mund të mbyllet trajtimi i dosjeve të prapambetura, dhe çfarë garanton gjykata që ky trajtim të bëhet në mënyrë të hapur dhe sipas radhës, dhe të mos ketë situata që vjen një dosje sot dhe kalon përpara atyre që janë të prapambetura?
Sokol Sadushi: Ne kemi vendosur kriterin kronologjik. Ne po gjykojmë çështjet sipas kohës së regjistrimit. Këtu kemi qenë shumë rigorozë, që të përmbysim një mendësi që çështjet gjykohen jashtë radhës. Gjykata e Lartë nuk ka çështje që gjykohen jashtë radhës, përjashtimisht çështjet që janë të arsyetuara, për shkak të situatës që paraqet çështja, që duhet të bëhet jashtë radhës. Ky numër i madh çështjesh do të ketë kohën e vet, por mund t’iu them shifra: është ulur rreth 40 për qind ngarkesa e prapambetur në 4 vite, ose më saktë në 3 vite e gjysmë. Të ulet ky stok në 40 për qind në kaq kohë është një shpresë shumë e madhe, që çështjet do të kenë një ritëm shumë më të shpejtë. Fakti që Gjykata e Lartë punon me 18 gjyqtarë në mënyrë të plotë, atëherë ritmi do të jetë më i kënaqshëm në vitin në vijim. Me një lloj analize që ne kemi bërë, besoj që, duke hequr vitet 2017- 2018 që kanë numrin më të lartë të çështjeve të regjistruara në Gjykatë të Lartë, dhe vitet e tjera kanë më pak, besoj se për dy vjet ne do të jemi në dy vitet fundore.
Zëri i Amerikës: Një nga çështjet e tjera të sfidave tuaja është numri i lartë i ankimimeve që vijnë tek ju dhe ju keni vendosur gjoba ndaj avokatëve që solli edhe një reagim të fortë të tyre. Cila do të ishte zgjidhja në këtë drejtim?
Sokol Sadushi: Unë dhe gjithë të kolegët do të reagojmë shumë fort për mënyrën se si paraqiten rekurset në Gjykatën e Lartë. Të vjen keq që 70 për qind e rekurseve që paraqesin avokatët janë papranueshme. Dhe kjo është një shifër shumë e rëndë, kur mendon se 70 për qind e qytetarëve pretendojnë që të marrin drejtësi dhe nuk arrijnë ta marrin sepse rekursi i paraqitur nga avokatët është i një niveli të ulët. Për këtë arsye ne kemi aplikuar dhe gjobat. Sigurisht që gjoba nuk është qëllim në vetvete dhe Gjykata e Lartë nuk mund të merret me gjobitje, por kemi dhënë një mesazh duke gjobitur avokatët. Këtu kam parasysh që vitin e kaluar ne kemi gjobitur në dy raste Avokaturën e Shtetit, ndërsa avokatët privatë janë gjobitur në vitet e mëparshme.
Sjellja e rekurseve haptasi të pabazuara është një dukuri që duhet të ndërgjegjësojë avokatët privatë, Avokaturën e Shtetit dhe prokurorin, që të mos kemi këtë situatë. Nëse 70 për qind e rekurseve të shtetit nuk pranohen nga Gjykata e Lartë për çështje administrative, kemi mbi 70 për qind të individëve që nuk pranohen në çështje penale.
Kemi një invers që do të thotë se ose shteti nga njëra me avokatët e tij ose individët me avokatët e tyre nuk arrijnë të bindin me rekurset e tyre, që çështja ka lëndë për t’u trajtuar në Gjykatën e Lartë. Ky është një ndërgjegjësim që u bëhet avokatëve, që ta marrin seriozisht këtë çështje, sepse nuk mund të pranohen rekurse në këto shifra.
Zëri i Amerikës: Mund të kuptohet kur janë çështje private nga persona të veçantë, por kur një gjë e tillë vjen nga shteti, si e shpjegoni? A është një mosnjohje, apo është një mënyrë për të shkuar drejt tek niveli më i lartë i gjykimit?
Sokol Sadushi: Kjo është një nga përfundimet që kemi nxjerrë në këto vite, që shteti përfaqësohet jodenjësisht në Gjykatën e Lartë. Por kjo është një avantazh për qytetarin, sepse nëse shteti humbet 70 për qind, qytetari ka fituar në këtë 70 për qind, derisa ka humbur në 30 për qind. Në çështjet penale është e kundërta; shteti del aty më i favorizuar në raport me individin. Kjo lidhet ndoshta edhe me rolin që ka Avokatura e Shtetit, e cila duhet të jetë më në avantgardë për të ndjekur praktikën e Gjykatës së Lartë, për të kuptuar që në Gjykatën e Lartë duhet të paraqiten rekurse ashtu si e kërkon ligji dhe nuk mund të paraqitësh rekurse ashtu si janë paraqitur në Gjyaktën e Apelit, e cila është një gjykatë fakti dhe nuk është gjykatë ligji. Kjo kërkon ndërmjetësim të avokatëve të shtetit dhe të avokatëve privatë për të kuptuar që Gjykata e Lartë është gjykatë ligji dhe çështjet aty nuk trajtohen si në gjykatat e shkallës së parë dhe në Apel.
Zëri i Amerikës: 8 vjet pas nisjes së zbatimit të reformës, proces tek i cili ju keni qenë i angazhuar, si do ta vlerësonit sot këtë reformë? Çfarë mund të përmirësohet? Cilat janë sfidat?
Sokol Sadushi: Suksesi apo dështimi i një reforme mund të ketë subjektivizëm dhe nuk është e lehtë që ta matësh, por duhet kohë për të kuptuar se si kanë ecur gjërat. Duke nisur nga fakti se pse nisi reforma; për shkak të korrupsionit, për shkak të ndikimit politik, për shkak të korporatizmit, për shkak të mungesës së profesionalizimit, dhe për shkak të mungesës së llogaridhënies, jam i bindur se kur i shohim sot këto 5 drejtime kryesore, kur bën një bilanc gjithësecili është në gjendje të kuptojë se gjërat janë më ndryshe. Shpresa është dhënë në të gjithë aspektet. Kjo kuptohet në mënyrën se si po funksionojnë gjykatat.
Ka një shpresë që gjërat do të jenë më mirë, por çështja është që reforma do kohën e vet, duhet të jemi të matur dhe të duruar. Ne kur kemi bërë projektimin e reformës, kemi menduar të paktën një situatë gati 10 vjeçare, sepse lidhej me përfundimin e procesit të vetingut. Procesi i vetingut përfundon në vitin 2026, çka korrespondon pak a shumë edhe me pritshmërinë tonë. Institucionet janë riformatuar dhe po ecin, duke krijuar mundësitë e funksionit. Gjykatat dhe prokuroritë po plotësohen me numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve besoj se për dy vite.
Zëri i Amerikës: Një nga gjërat që vihet re është se organet që dolën nga kjo reformë, varësisht nga vendimet që marrin ose nga akuzat që bëjnë, vihen në shënjestër herë pas here nga politikanë nga të dy krahët edhe nga shumica edhe nga opozita. A e cënon efektivitetin e reformës një përpjekje e tillë për të kritikuar atëherë kur mund të ketë prekje të disa njerëzve të një grupimi apo tjetrit?
Sokol Sadushi: Kjo tregon që organet e drejtësisë janë duke funksionuar. Fakti që të dyja krahët politike janë kritike ndaj organeve të drejtësisë do të thotë që ato mbase janë në rrugë të mbarë. Ne e kuptojmë që gjërat po ecin më mirë nga ç’kanë qenë. Sulmet janë të kuptueshme nga ana e politikës, por edhe opinioni publik do të jetë kritik. Ne e vlerësojmë edhe faktin që kritika ndikon pozitivisht tek ne. Qenia nën sulm ne nuk duhet të na bëjë që të ndihemi nën presion. Qenia nën sulm nuk do të thotë që ne të mos ushtrojmë funksionin, për të cilin jemi ngarkuar. Gjyqtari dhe prokurori duhet të jetë i qetë nga pjesa e sulmeve sepse nëse ai ushtron detyrën e tij, edhe sulmet do të jenë të pranueshme, por ai duhet të jetë në gjendje që nga këto sulme të mos cedojë në ushtrimin e detyrës së tij, për të cilën është ngarkuar.
Zëri i Amerikës: Po ndërgjegjësimi i një klase politike që nuk duhet të ndërhyjë në procet e drejtësisë, mendoni se nuk ka arritur në atë nivel siç mund të dojë të arrijë drejtësia në këto çaste?
Sokol Sadushi: Ndërgjegjësimi i klasës politike lidhet ndoshta edhe me vetë shoqërinë. Është shoqëria që e pranon këtë klasë politike, dhe mua më vjen keq që e them këtë gjë. Për sa kohë që kjo shoqëri e voton këtë klasë politike, do të thotë që ne jemi në një situatë, që duhet secili të shohë nga vetvetja.
Klasa politike do të vetëedukohet ndoshta edhe përmes evoluimit ose emancimit, por pse jo edhe përmes llogaridhënies dhe ndëshkimit.