Ironia e një ligji, që kundërshton qëllimin e vet

Nga Doriana Musai

Shqipëria, në tre dekadat e fundit, ka marrë iniciativa të vazhdueshme me qëllim zhvillimin e turizmit. Pas 1990, do të ishte ligji “Për turizmin” i 1993, i cili nëpërmjet statusit “Person i stimuluar” që i jepej investitorëve, do të tentonte të zhvillonte struktura hotelerie për t’ju vendosur në dispozicion turistit lokal dhe atij të huaj.
Ligji nisi aplikimin mirë, por shumë shpejt, mungesa e kontrollit mbi territorin, çoi në degjenerim të hapësirave, jo vetëm duke shkatërruar burimet por edhe duke zaptuar me ndërtim mijëra hektarë në bregdet dhe gjetkë. Ishte pikërisht ky ligj, në dukje largpamës, i cili i hapi rrugë urbanizimit të bregdetit duke krijuar fenomenin e “golemizimit”.

Turizmi ka në qëllim të vet, tërheqjen e banorëve të një rajoni apo shteti tjetër për t’i ofruar atyre kulturën, pasuritë dhe trashëgiminë vendase. Këto tre kushte, janë të panegociueshme për turistin. Të konkurueshëm në rajonin mesdhetar, kur përballë kemi gjigandë të turizmit botëror si Italia, Kroacia, Greqia, Spanja, Egjipti apo Turqia, nuk bëhemi dot duke favorizuar miq e shokë e duke i dhënë atyre pasuritë dhe trashëgiminë publike vetëm sepse i vendosim emrin “investitor strategjik” pa garë dhe pa transparencë, pa plan dhe pa garanci. Të konkurueshëm mund të bëhemi nëse ofrojmë atë çfarë kemi identitare kulturore, natyrore, origjinale dhe lokale, dhe kjo ofertë ka kushtin e gjithëpërfshirjes të të gjithë aktoreve lokalë, banorëve, pronarëve, komuniteteve, ekspertëve, aktivistëve, dhe akademikëve.

Ligji për zonat e mbrojtura, i cili ironikisht po heq nga mbrojtja territore në kundërshtim me qëllimin pse është krijuar, në kushtet kur po zhvillohet, favorizon pastrimin e parave dhe korrupsionin, por nuk shfaqet të garantojë as turizëm, as zhvillim, aq më pak qëndrueshmëri në kohë. Hipotetizohet për parà që do të vijnë nga të pasurit, në këtë turizëm “ekselent” në një vend që ende nuk ka ujë 24 orë, ku hotelet punojnë ende me gropa septike dhe banorët po vazhdojnë të braktisin shtëpinë të pashpresë duke marrë rrugët e emigracionit.

Ligji i miratuar më 22 shkurt të këtij viti, nga ana tjetër, kundërshton Planin e Përgjithshëm Kombëtar,(Shqipëria 2030), duke orientuar politika të pastudiuara dhe të paplanifikuara të cilat mund të dëmtojnë më shumë se sa të zhvillojnë. Mungesa e planifikimit, ndryshimi i ligjeve që kundërshtojnë qëllimin pse janë krijuar, çon në situata të njejta me Golemin, Velipojën, Shëngjinin, Ksamilin dhe shpërhapjen e urbanizimit në territore të cilat sot janë garanci e vazhdimësisë së jetës. Njëherazi dëmtuar këto burime, rijetëzimi dhe rigjenerimi i tyre implikon dekada, në mos shekuj.

Cili jep garanci se ky turizëm “ekselent” do të jetë i suksesshëm dhe do të japë frytet për të cilat është propozuar? Cili garanton se ky model nuk do të impaktojë burimet të cilat garantojnë vazhdimësinë dhe jetën e qindra mijëra njerëz? Deri më sot askush! Sepse askush nuk ka bërë një planifikim të këtij zhvillimi. Jemi ende në situatën e statuseve në media sociale, një dokumenti të palexuar nga 72 deputetë të cilin e miratuan nën tymin e flakadanëve, dhe centralizimin e menaxhimit dhe kontrollit të këtyre territoreve, në rastin më të mirë, të 8 personave, anetarë të Këshillit Kombëtar të Territorit përfshirë Kryeministrin.

Andaj, politikat e ditës, të cilat për nga nxitimi dhe kokëfortësia në këmbënguljen e aplikimit të tyre pa planifikim, pa përfshirë aktorët e tjerë të shoqërisë, nuk bëjnë gjë tjetër përveç se na vendosin përpara skenarëve të testuar dhe të dështuar në territor. Futja brenda habitateve natyrore, garanci e vazhdimësisë së jetës së komuniteteve që jetojnë me to dhe pranë tyre, duke kafshuar dhe më pas urbanizuar ato, në pak vite mund të rezultojnë fatale për pasuritë dhe burimet natyrore, dhe më tej jetën e banorëve jo vetëm pranë këtyre burimeve por të të gjithë neve që jetojmë në këtë territor.

Dritarja për tu ndërgjegjësuar se veprimet mbi mjedisin ku jetojmë do të na impaktojnë jetën dhe vazhdimësinë është e ende hapur. Njëherazi humbur ky moment, situata mund të precipitojë në mënyrë të pakthyeshme.

Artikulli paraprakKush janë futbollistët që vlejnë mbi 100 milionë euro, 3 të parët me shifra të barabarta
Artikulli tjetërPD nis procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet. Kryesia përcakton rregullat dhe kriteret e kandidatëve