Dy futbollistët shqiptarë Jahmir Hyka dhe Albian Ajeti janë përzgjedhur nga e përditshmja zvicerane “Blick” në formacionin më të mirë të javës së 17 të Super Ligës zvicerane. Të dy realizuan nga një dopietë personale, duke u bërë protagonistë në fitoret e ekipeve të tyre.
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Jahmir Hyka, realizoi dy herë në fitoren 3-0 të Luzernës në shtëpi ndaj Vaduzit. Ai shënoi golin e dytë dhe të tretë në minutat 51 dhe 58. Në minutën e 65-të u zëvendësua nga trajneri i tij. Me këto dy gola, Hyka arriti kuotën e 5 golave në këtë sezon.
Ndërkohë sulmuesi i St. Gallenit, Albian Ajeti, me dy golat e tij përmbysi shifrat, duke i dhënë fitoren 2-1 në shtëpi ekipit ku aktivizohet ndaj Sionit. Ai shënoi në minutën e 63-të dhe në të 3-ën e shtesës. Falë këtyre dy golave, Ajeti tashmë numëron 5 gola në kampionat në këtë sezon. Ai është aktivizuar deri më tani me ekipet kombëtare të moshave të Zvicrës, ndërsa nuk ka bërë ende një zgjedhje sa i përket ekipit të parë. Albiani është vëllai i mbrojtësit të kombëtares shqiptare dhe Torinos, Arlind Ajeti.