Eksodi i korporatave nga Rusia, që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022, u ka kushtuar kompanive të huaja më shumë se 107 miliardë dollarë, në humbje të të ardhurave.
Vëllimi i humbjeve, është rritur me një të tretën, që nga llogaritja e fundit në gusht të vitit të kaluar, duke nënvizuar shkallën e goditjes financiare, në botën e korporatave, nga pushtimi i Moskës, si dhe duke theksuar humbjen e papritur të ekspertizës perëndimore nga ekonomia ruse.
“Ndërsa pushtimi i Rusisë vazhdon, mes ndihmës ushtarake perëndimore të lëkundur, dhe shkallëzimi i regjimeve të sanksioneve perëndimore rritet,
kompanitë, që ende synojnë të dalin nga Rusia, ka të ngjarë të përballen me vështirësi të mëtejshme dhe do të duhet të pranojnë humbje më të mëdha”, tha Ian Massey, Drejtues i Inteligjencës së Korporatave, EMEA.
Presidenti Vladimir Putin, i sapo rizgjedhur në një fitore dërrmuese, të dënuar gjerësisht në Perëndim, si e padrejtë dhe jodemokratike, tani ka një mandat të rinovuar, për të ndjekur izolimin e mëtejshëm nga Perëndimi, duke përfshirë konfiskimet shtesë të aseteve dhe presionin politik.
Moska kërkon zbritje prej të paktën 50%, në shitjet e aktiveve të huaja, dhe ka shtrënguar vazhdimisht kërkesat e daljes, duke pranuar shpesh tarifa nominale, sa 1 rubël.
Deri më tani këtë vit, janë shpallur shitjet e aseteve në pronësi të Shell (SHEL.L), HSBC (HSBA.L), Polymetal International (POLY.MM), dhe Yandex NV (YNDX.O ), me një total prej afro 10 miliardë dollarësh dhe me zbritje deri në 90%. Javën e kaluar, Danone (DANO.PA), tha se mori miratimet rregullatore, për të disponuar asetet e saj ruse, duke marrë një humbje totale prej 1.3 miliardë dollarësh.
Rreth 1000 kompani janë larguar. Prodhuesi austriak i tullave Wienerberger (WBSV.VI), re shiti fabrikat në Rusi dhe doli nga tregu.
Por, qindra kompani, duke përfshirë shitësin francez me pakicë Auchan dhe Benetton, janë ende duke operuar ose e kanë pezulluar biznesin atje, sipas analizës nga Yale School of Management.
Hakmarrja ruse
Vendet perëndimore, ngrinë rreth 300 miliardë dollarë të arit dhe rezervave valutore të Bankës së Rusisë, pas fillimit të pushtimit të Rusisë në Ukrainë. Gjermania ka kthyer impiantin gjerman të Gazprom-in (GAZP.MM) në pronësi të shtetit, duke e riemërtuar atë Sefe, dhe ka vendosur rafinerinë e Rosneft’s (ROSN.MM), nën kujdestarinë gjermane.
Rusia ka premtuar, se do të hakmerret, kundër propozimeve të BE-së, për të rishpërndarë miliarda euro në interes të fituar në asetet e saj të ngrira, duke paralajmëruar për pasoja katastrofike dhe duke thënë.
Bankat perëndimore, gjithashtu, janë të shqetësuara për problemet ligjore, që mund të shkaktojë çdo konfiskim.
Moska tashmë, ka marrë kontrollin e përkohshëm të aseteve në pronësi të disa kompanive perëndimore, duke përfshirë Fortum (FORTUM.HE), Carlsberg (CARLb.CO), OMV (OMVV.VI), dhe Uniper.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA, llogariti se Perëndimi do të humbiste asete dhe investime, me vlerë të paktën 288 miliardë dollarë, nëse Moska do të hakmerrej.
RIA u bazua, në të dhënat, që tregonin se investimet direkte nga Bashkimi Europian, vendet e G7, Australia dhe Zvicra në ekonominë ruse, në fund të vitit 2022, arritën në 288 miliardë dollarë.
Ai tha se vendet e BE-së, zotëronin 223.3 miliardë dollarë të aseteve, nga të cilat 98.3 miliardë dollarë mbaheshin zyrtarisht nga Qiproja, 50.1 miliardë dollarë nga Holanda dhe 17.3 miliardë dollarë nga Gjermania.
Por, kjo qasje e Rusisë, i shkakton dëm edhe vetë asaj.
Avokati Jeremy Zucker, ekspert sanksionesh, tha se një numër çuditërisht i madh i klientëve të firmës së tij, në një gamë të gjerë industrish, kishin vendosur të largoheshin tërësisht nga Rusia, dhe ka të ngjarë të hezitonin të ktheheshin, edhe pas përfundimit të armiqësive.
Si rezultat, teknologjitë e rëndësishme, janë larguar nga vendi dhe Rusia, mund të mos jetë më në gjendje të mbështesë disa prodhime të teknologjisë së lartë.
Asetet kryesore
Një dekret i vitit 2022, ndalon investitorët nga vendet “jomiqësore”, ato që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë, të shesin aksione në projektet kryesore të energjisë dhe bankare, pa miratimin e qartë presidencial.
Ndërkohë, shumë prodhues të produkteve të përditshme dhe të mallrave të konsumit, nuk janë larguar plotësisht nga Rusia, duke argumentuar se njerëzit e zakonshëm në Rusi, mbështeten në produktet e tyre.
Kompanitë, që ende operojnë ose bëjnë biznes në Rusi, përfshijnë Mondelez International (MDLZ.O), PepsiCo (PEP.O), Auchan, Nestle (NESN.S), Unilever (ULVR.L), dhe Reckitt (RKT.L). Të tjerët, duke përfshirë Intesa Sanpaolo (ISP.MI), po përballen me pengesa burokratike, ndërsa përpiqen të largohen. / Reuters