Në mes të Korrikut të vitit 2022, zyra e Shtypit e Bashkisë së Tiranës shpërndau një kasetë të gatshme, ku shfaqej Erion Veliaj gjatë inspektimit të punimeve për rindërtimin e shkollës “Dritas” në zonën e Zall-Herrit, të shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Veliaj premtoi se shkollat e fshatit do të ishin njëlloj, në mos më të mira se të qytetit.
“Parimi është që edhe nxënësit e Zall-Herrit të kenë një shkollë me të njëjtën cilësi, standard dhe hapësira si çdo shkollë tjetër që po bëjmë në Tiranë. Shumë prej shkollave në ish Bllok nuk kanë as gjysmën e këtij standardi…”, deklaroi kryebashkiaku.
Sipas dokumentave që ka
, u zhvillua nga Bashkia e Tiranës në maj 2021 dhe fitues u shpall një bashkim operatorësh, i drejtuar nga kompania “V.A.S Construction”, e njohur më pas me emrin “5D Konstruksion”.
Më herët, e njëjta kompani, ishte pjesë e grupit ekonomik që fitoi një tjetër tender për Rindërtim shkolle në kryeqytet.
Në shtator 2020, “V.A.S Construction” fitoi kontratën me vlerë 2.5 milionë euro. Edhe për këtë investim, nuk mungoi reklamimi i Veliajt, gjithnjë nëpërmjet kasetave të gatshme.
“Shkolla “Hasan Vogli” me gjasë do imponojë këtë estetikë dhe këtë kulturë në gjithë këtë komunitet. Unë mezi pres të marr aplikimet nga pallatet përreth…”, deklaroi Veliaj në ceremoninë e inagurimit, në Tetor të vitit 2022.
Kompania “V.A.S Construction” (“5D” shpk) është kontrolluar nga drejtorët e tij më të rëndësishëm, Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tusha, sipas hetimeve të zhvilluara së fundmi nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka zgjedhur rolin e të paditurit.
Në një intervistë dhënë në “Opinion” rreth një vit më parë, Veliaj deklaroi se nuk ka asnjë dijeni që drejtorët e tij të jenë pjesë e ndonjë kompanie private që ka fituar tendera në bashkinë e Tiranës, duke iu përgjigjur me mohim akuzave publike që vinin për këtë fakt nga Partia Demokratike në opozitë.
Nëse merren të mirëqena deklarimet publike të Veliajt, duket se ai është i vetmi person në Bashkinë e Tiranës që nuk ka pasur informacion se “5D” shpk (e njohur më parë si “V.A.S Construction” apo “Igor Electric”) zotërohej nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.
Të dhënat e publikuara në media nga dosja hetimore e SPAK-ut dëshmojnë se një numër i konsiderueshëm personash, përfshirë zyrtarë të lartë të Bashkisë së Tiranës apo punonjës të thjeshtë të kompanisë “5D”, ishin në dijeni të pronarëve realë të shoqërisë, të cilët, sipas Prokurorisë së Posaçme dyshohet se janë Mariglen Qato dhe Redi Molla.
“Pazaret” për shkollën “Hasan Vogli”
Në një pasazh të dosjes hetimore, thuhet ndër të tjera:
Gjatë hetimeve paraprake, nga kontrolli i ushtruar në zyrën e shtetasit Nestor Muhametllari (pronari në letra i kompanisë “5D” shpk, shën.red), nga vëzhgimi i pajisjeve telefonike e kompjuterike të sekuestruara, ka rezultuar se në njësinë kompjuterike të sekuestruar këtij shtetasi është gjetur një foto e komunikimit me shtetasin Taulant Tusha (Drejtor në bashkinë e Tiranës, shën.red), në aplikacionin Whatsapp.
Sipas përmbajtjes së këtij komunikimi, shtetasi Taulant Tusha i ka dërguar një personi tjetër një folder, me emërtimin “Mangësitë.doc” dhe në komunikim përmendet emri “Hasan Vogli”.
Më tej, midis tyre zhvillohet biseda si më poshtë:
Bashkëbiseduesi: Kush e solli këtë?
Taulant Tusha: Dr ime. (drejtoria ime)
Bashkëbiseduesi: T’i plotësoj sot me urgjencë. Po ja çoj.
Taulant Tusha: Nuk e kuptoj pse nxitohen….Thuaj Nestorit, fol me Anjezën për projektin.
Bashkëbiseduesi: I kam thënë unë shpejt, shpejt….. Ok.
Taulant Tusha: Se Ilda qenka 1….
Bashkëbiseduesi: Direkt.
Sipas SPAK-ut, lidhur me bisedën e mësipërme, nga hetimet ka rezultuar se Bashkia Tirane ka realizuar procedurën e prokurimit me referencë nr.REF-67231-07-28-2020, me objekt “Rindërtimi i 8 (tetë) objekteve arsimore në Bashkinë Tiranë-Ndërtim i shkollës ‘Hasan Vogli”, e cila është zhvilluar në datên 10.08.2020 dhe lidhur kontrata në datën 30.09.2020.
Në datën 09.09.2021 është nënshkruar marrja e përkohshme e objektit në dorëzim. Të dhënat tregojnë se data e modifikimit të fundit të këtij imazhi është data 25.11.2020.
Po ashtu, rezulton se personat që përmenden në këtë bisedë janë shtetasi Nestor Muhametllari, ortak dhe administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si dhe shtetaset Anjeza Callpati dhe Ilda Qazimilari, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Punëve Publike pranë Bashkisë Tiranë.
Komunikimi i mësipërm dëshmon faktin se shtetasi Taulant Tusha, i cili ka patur cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe cilësine e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka pasur komunikime me bashkëbiseduesin e mësipërm, i cili është një person që “urdhëron” dhe “udhëzon” shtetasin Nestor Muhametllari per mënyrën se si duhet të veprojë për punët e shoqërise “5D Konstruksion” sh.p.k. ku vete ai i fundit është administrator i shoqërisë.
Ky komunikim krijon dyshime se shtetasi Taulant Tusha ka pasur dijeni ne lidhje me pronarët e vërtetë të shoqërisë “5d Konstruksion” sh.p.k dhe njëherësh ka dijeni për faktin se shtetasi Nestor Muhametllari është vetëm i punësuar në këtë shoqëri dhe interesohet që ky i fundit të komunikojë me punonjës të drejtorisë së tij, me qëllim ndreqjen e mangësive në projektin me objekt “Ndërtim i shkollës “Hasan Vogli”.