Lorik Cana është një nga futbollistët emblemë të futbollit shqiptar, teksa ka luajtur për skuadra të ndryshme të njohura. Fillimisht ka mbajtur veshur fanellat e PSG, Marseille, e Sunderland dhe Galatasaray. Më pas, Cana nga 2011-2015 kontribuoi për Lazion, ndërsa s’mund të lihet pa përmendur edhe Nantes. Në një intervistë të dhënë së fundmi për Colintervieë – Oh My Goal, ai tregoi disa gjëra që nuk i ka thënë asnjëherë.
“Në vitin 2015 u diagnostikova me një sëmundje të muskujve të zemrës. Më kishte mbetur edhe një vit nga kontrata me Lazion, isha 32 vjeç. Kisha ardhur nga një sezon i shkëlqyer në Romë: kishim përfunduar të tretët në ligë dhe në finalen e Kupës së Italisë. Kisha kaluar një pjesë të mirë të sezonit me De Vrij në qendër të mbrojtjes dhe në fund u zbulua ky problem. E gjeta veten në një situatë krejtësisht të re që nuk e njihja më parë.
Nuk doja të ndalesha, sepse kishte ende një gjë që doja të arrija në karrierën time: kualifikimin e kombëtares sime për një turne të rëndësishëm, diçka që nuk ishte parë më parë. U afruam shumë sepse na kishin mbetur edhe katër ndeshje, ato të shtatorit dhe tetorit. Nëse do të isha gjendur në të njëjtën situatë një vit më vonë, në vitin 2016, do ta kisha mbyllur menjëherë karrierën time, sepse kardiologët nuk donin që të vazhdoja më dhe menjëherë më këshilluan të ndaloja” – tha ai.