Entuziazmi i shifrave rekord tek IHD është i madh, por përfitimet e tyre duhet të reflektohen realisht në ekonomi dhe në mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që të punohet në drejtim të përmirësimit të faktorëve që kushtëzojnë ndikimin e IHD mbi rritjen ekonomike.
Nga Klea Duçka, ekonomiste*
Para disa ditësh, Milken Institute, një “think tank” i pavarur ekonomik në SHBA dhe me zyra në qendrat më të rëndësishme financiare të botës publikoi raportin vjetor të Indeksit të Mundësive Globale (Global Opportunity Index), që bën vlerësimin e klimës së investimeve (kryesisht të shkallës së tërheqjes për investimet e huaja direkte, IHD) në vendet e botës në zhvillim.
Ndër 10 vendet evropiane në këtë klasifikim, midis tyre edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet e fundit, pas Moldavisë, në dy nga pesë treguesit e marrë në studim: shërbimet financiare dhe kuadri institucional, duke shënuar 93 dhe 84 pikë respektivisht.
Studiuesit theksojnë se si në Moldavi, ashtu edhe në Shqipëri, kornizat institucionale janë veçanërisht të dëmtuara nga performanca e tyre e dobët në qeverisjen publike, nënkategoria e cila bie dy devijime standarde nën mesataren e përcaktuar për vendet e Evropës në zhvillim.
Të dhënat e këtij studimi vijnë pothuajse në të njëjtën kohë me të dhënat e publikuara së fundmi nga INSTAT, të cilat flasin për një krizë të sektorit të prodhimit dhe rritje të importeve, duke dalë në përfundimin se ekonomia shqiptare po mbijeton vetëm falë këtyre të fundit, konstatim ky që nuk mbështet korrelacionin konvencional pozitiv të ndikimi që IHD supozohet të kenë mbi nivelet e përgjithshme të produktivitetit dhe në përgjithësi, të rritjes ekonomike të një vendi relativisht tërheqës për investitorët e huaj.
Sipas INSTAT, rënia e importeve në zërin “makineri-paisje” me 9.5%, më e thella që prej periudhës së pandemisë, ndërkohë që importet nga kategoritë e tjera (komoditetet dhe turizmi), shënuan një rritje prej 20% më të lartë në dymujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithëse bujqësia është një nga sektorët me peshën më të madhe në PBB, në raport me madhësinë e ekonomisë, importet e frutave u rritën me 63% në periudhën janar-shkurt 2024, ndërkohë që 80% e produkteve bujqësore që shiten në tregjet tona dhe pasojnë shokun e çmimeve nga tregjet e jashtme kanë origjinë importi. Pra, po importojmë në një sektor, në të cilin do të duhej të ishim eksportuesit më të mëdhenj në rajon, dhe që sipas vlerësimeve të fundit, pësoi një rënie vjetore në prodhim, prej 0,68% gjatë vitit të kaluar.
Ndërkaq, sipas Bankës se Shqipërisë, përgjatë vitit që lamë pas, investimet e huaja direkte kapën shifrën rekord prej 1.5 miliardë eurosh, duke shënuar kështu një rritje prej 8.7% në krahasim me vitin 2022. Sektorët, të cilët përthithin pjesën më të madhe të flukseve hyrëse të IHD, vazhdojnë të jenë gjithnjë të njëjtët: industria nxjerrëse, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme.
Këto të fundit kanë peshën kryesore me rreth 26% të këtyre flukseve. Fitimet e riinvestuara, duket se kanë luajtur një rol më të madh në rritjen e shifrave të investimeve, (226 milionë euro), në raport me hyrjen e kapitalit të ri (191 milionë euro). Një nga arsyet kryesore që qëndron pas kësaj, është edhe forcimi i lekut përkundrejt valutës euro në kursin e këmbimit, pasi fitimet e riinvestuara raportohen në lekë dhe më pas konvertohen në euro.
Narrativa e Bankës së Shqipërisë dhe e Ministrisë së Financave është se këto nivele rekord të investimeve të huaja, shpjegohen me një përmirësim të ndjeshëm të treguesve makroekonomikë, të shoqëruar me një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe specifikisht me një performancë shumë të mirë në sektorin e turizmit, që deri tani është raportuar edhe si një prej arsyeve më të rëndësishme, bashkë me rritjen e IHD, për të shpjeguar luhatjet e pazakonta të kursit të këmbimit.Vlerësimi i fundit i “Standard & Poors” për Shqipërinë, mbështet këtë narrativë, duke e rritur me një kategori vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran dhe duke konstatuar se qëndrueshmëria ekonomike e vendit, i atribuohet pjesërisht po ashtu rritjes së turizmit, që sipas agjencisë bëri që Shqipëria të rrisë eksportet e shërbimeve me afro 15% të PBB në periudhën 2019-2023, duke forcuar ndjeshëm pozicionin e saj të jashtëm.
Rezultatet e raportit të Milken Institute nga njëra anë, që konstatojnë probleme me përshtatshmërinë e terrenit për thithjen e IHD dhe të dhënat e BSH, apo konstatimet e S&P nga ana tjetër kundërshtojnë njëra-tjetrën. Nëse Shqipëria nuk ofron kuadrin e përshtatshëm institucional apo standardin e duhur te shërbimeve financiare, por arrin të thithë një shifër rekord investimesh të huaja direkte, atëherë çfarë e bën një vend si i joni tërheqës për investitorët ndërkombëtare? A është realisht ndikimi i këtyre investimeve mbi nivelin e PBB mjaftueshëm i madh, sa që të justifikojë luhatjet e kursit të këmbimit e stimulojë rritjen ekonomike dhe a reflektohet konkretisht produktiviteti i tyre në treguesit e mirëqenies?
Ndonëse ekziston tradicionalisht një korrelacion pozitiv midis investimeve të huaja direkte dhe rritjes ekonomike, ky raport, në të vërtetë, kushtëzohet nga shumë faktorë: struktura e këtyre investimeve, stabiliteti politik, funksionimi i kornizave institucionale, shërbimet financiare, stabiliteti i çmimeve, zinxhirët e vlerës globale (Global Value Chains), perceptimi i bizneseve, standardet ndërkombëtare, politikat ekonomike, sistemi arsimor dhe niveli i kapitalit human, etj.
Sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, që kanë arritur të thithin pjesën më të madhe të flukseve hyrëse te IHD, për nga natyra nuk kontribuojnë në mënyrë direkte në rritjen e performancës së eksporteve dhe nuk e bëjnë ekonominë më konkurruese. Në këtë mënyrë, efekti stimulues dhe përfitimet që ato pritet të sjellin në rritjen e PBB, që duket e qëndrueshme, afërsisht në 3,5% (tremujori i tretë 2023) dhe 3,44% (tremujori i katërt) “paradoksalisht” nuk reflektohet në treguesit e mirëqenies, sic është p.sh.: fuqia blerëse.
Sipas Eurostat, fuqia blerëse e pagës minimale në Shqipëri është 4 herë më e ulët, krahasuar me vendet e Evropës Perëndimore. Gjithashtu, vendet e tjera të Ballkanit rezultojnë të kenë një kosto më të lirë jetese se sa Shqipëria. Konkretisht, Maqedonia e Veriut, me fuqi blerëse te pagës minimale sa dyfishi i vendit tonë, ka koston më të lirë të jetesës në rajon.
Të dhënat e shpenzimeve familjare që shkojnë për konsumin e ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike flasin po ashtu për një nivel të lartë varfërie. Përqindja e këtyre shpenzimeve për familjet shqiptare llogaritet në 41% të totalit të shpenzimeve dhe është më e larta në Evropë, gjë që do të thotë se vendi ynë është më i varfri në kontinent, bashkë me Kosovën.
Rritja e investimeve të huaja në pasuritë e paluajtshme, së bashku me flukset në rritje të turistëve te huaj kanë ndikuar pjesërisht në forcimin relativ te lekut në kursin e këmbimit, por shpejtësia me të cilën është zhvlerësuar euro, me mbi 12%, brenda një harku kohor prej një viti, nuk justifikohet nga fondamentet ekonomike dhe jo detyrimisht është lajm i mirë për ekonominë, përveçse për 3 nga agjentët e saj: qeverinë (për shkak të reduktimit të borxhit publik të jashtëm me 12%), importuesit (sepse i faturojnë konsumatorëve çmimet finale të mallrave dhe shërbimeve me një kurs disa herë më të lartë se sa ai aktual) dhe huamarrësit (për huatë e marra në euro).
Duke pasur parasysh që bilanci tregtar i Shqipërisë vazhdon të mbetet negativ dhe deficiti është rritur për të kapur shifrën e 42 miliardë lekëve në shkurt të këtij viti, nga 31 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, arsyet e vërteta të luhatjes së kursit, duhen kërkuar përtej fazave të ciklit të biznesit dhe lidhen kryesisht jo vetëm me një shkallë të lartë informaliteti në ekonomi, të llogaritur në 32.5% të PBB, sipas World Economics, por edhe me mundësinë e hyrjes së parave nga aktivitete të jashtëligjshme jashtë kufijve, të cilat pastrohen pikërisht në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme. Kjo tezë mbështetet nga disa fakte lehtësisht të verifikueshme: Së pari, rritja jashtë çdo logjike e çmimit të pasurive të paluajtshme dhe e lejeve te ndërtimit, edhe pse oferta nuk justifikohet nga kërkesa e brendshme, pjesërisht për shkak të shpopullimit.
Konkretisht, vetëm në kryeqytet, çmimet e apartamenteve janë rritur nga 1000 euro /m2 në 2017, deri në 4000 euro /m2 ne 2024 (zona e ish-Bllokut), ndërkohë që nga 8000 apartamente bosh në 2017, aktualisht numri i tyre ka shkuar në 40.000.
Së dyti, sipas disa investigimeve të flukseve hyrëse valutore nga IHD në ndërtim, midis tyre edhe ai i prestigjozes britanike “The times”, rezulton se në Shqipëri investohen realisht rreth 3.7 miliardë euro në vit në këtë sektor (ekuivalente e 15% të PBB), nga të cilat në sistemin bankar figurojnë vetëm 847 milionë euro, ndërkohë që sipas observimeve të ekspertëve, rreth 2.85 miliardë burojnë nga aktivitete të dyshimta dhe nga këto, rreth 1.3 miliardë, dyshohet se janë të gjeneruara ekskluzivisht nga trafiku i lëndëve narkotike. Ky konstatim është tregues edhe i mosfunksionimit te kuadrit ligjor e institucional, sidomos në luftën ndaj krimit të organizuar.
Luhatjet e pazakonta të kursit, përveç efektit shkatërrues mbi eksportet, kanë një ndikim negativ mbi aktivitetin privat vendas, sidomos biznesin e vogël dhe fasoneritë qe kërcënohen nga falimentimi dhe janë drejt mbylljes. Për shkak të potencialit që këto të fundit ofrojnë në tregun e punës, kontributit në eksporte, rritjes së produktivitetit, të ardhurave dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë, efekti që ato kanë në kushte ideale mbi mirëqenien dhe rritjen ekonomike, në rastin e vendit tonë është disa herë më i madh se sa ai i IHD, prandaj tkurrja e aktivitetit të tyre është sinjal shqetësues. Studime më të hershme, kanë treguar se investimet nga kapitali vendas nga 1996 deri në 2013 kanë pasur një peshë 5-11.5 herë më të madhe se sa IHD në PBB.
Studiuesit i lidhin këto rezultate me sektorët ku janë të përqendruara investimet e huaja në Shqipëri, si dhe me faktin që shumë prej tyre janë përthithur si rezultat i privatizimeve dhe kontratave koncesionare, duke mos pasur efekte të mëdha stimuluese në ekonomi. Në këtë mënyrë, lind nevoja e krijimit të një mekanizmi për rishikimin e IHD, si dhe hartimin e një kuadri ligjor nga ana e qeverisë për të orientuar trendet e tyre drejt sektorëve me potencialin për të zhvilluar dhe rritur nivelin e eksporteve: bujqësia, agrobiznesi, minierat, etj.
Dy faktorë të tjerë të rëndësishëm, prania e të cilëve është pozitivisht e lidhur me IHD, janë edhe niveli i arsimit dhe ai i kapitalit human. Vitet e fundit, Shqipëria po çalon ndjeshëm edhe në këta dy komponentë jetikë për ekonominë. Indeksi i Progresit Social tregon se Shqipëria është përkeqësuar me 10 pozicione në kategorinë e arsimit bazë dhe atij të lartë.
Ky pozicionim mbështetet edhe nga rezultatet e fundit të testit të PISA-s, në të cilin vendi ynë kishte humbur 47 vende në lexim, 41 në shkencë dhe 69 në matematikë. Këto shifra flasin për mungesë investimesh në arsim dhe një nivel tejet të ulët të mësimdhënies në institucionet e arsimit, që reflekton koston oportune në terma afatshkurtër, por me efekt afatgjatë, të një ekonomie që është e orientuar drejt konsumit. Në terma afatgjatë, mungesa e investimeve në kërkim shkencor, arsim dhe dije pengon konvergjencën drejt niveleve më të larta të të ardhurave dhe produktivitetit.
Kjo për arsye se në dallim nga kapitali fizik, dija nuk ka veti rivalizuese, pra nuk i nënshtrohet fitimeve margjinale zbritëse (diminishing marginal returns to capital). Gjithashtu, duke marrë parasysh se arsimi në vendin tonë nuk i plotëson aktualisht nevojat e tregut të punës, është e nevojshme të punohet në këtë drejtim, me politika reformuese për institucionet arsimore.
Ndërkohë, problemi dhe plaga më e madhe sociale në Shqipëri e kohëve të fundit është rreziku i shterimit të kapitalit human, si pasojë e rënies së popullsisë nga zvogëlimi i numrit të lindjeve dhe emigracionit, kryesisht të të rinjve, shumica në moshë pune. Sipas Eurostat, në vitin 2023, në krahasim me vitin 1990, popullsia në Shqipëri është reduktuar me 15.1%, duke zbritur ne 2,761,785 banorë, nga 3,254,541 që ishte përpara se të fillonte cikli i emigracionit dhe plakja graduale e popullsisë. Kapitali human është në çdo ekonomi, faktori më i rëndësishëm i prodhimit.
Ai luan gjithashtu një rol vital në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë mes ofertës dhe kërkesës agregate. Në kontekstin e investimeve nga kapitali vendas dhe i huaj, të larguarit janë forcë pune e humbur. Edhe këtu nënvizohet rëndësia e orientimit të trendeve të IHD drejt sektorëve me potencial më të madh punësimi, me qëllim që të ofrojnë një perspektivë shpresëdhënëse për të rinjtë dhe ekonominë, por edhe për të rritur peshën e sektorit privat, për të rrëzuar “kultin” e shtetit si punëdhënësi kryesor dhe më i preferuari.
Në kushtet kur fuqia blerëse është e ulët, kuadri institucional dhe ligjor nuk funksionojnë siç duhet, mungojnë investimet në arsim, popullsia është në rënie dhe kapitali human i limituar, faktorët e vetëm që logjikisht mund të shpjegojnë tundimin e të huajve për të investuar në Shqipëri, janë kostoja e ulët e punës dhe me shumë mundësi, edhe popullariteti. Në varësi të llojit të investitorit, disa prej tyre mund të kenë edhe interesa të lidhura me politikën, përveç se me rritjen e shpejtë të fitimit, apo lehtësimeve fiskale. Në rastin e atyre që investojnë para me origjinë të dyshimtë në pasuritë e paluajtshme p.sh., vendi ynë mund të jetë një miniparajsë (mini-Dubai) i pastrimit të parave që burojnë nga aktivitete kriminale.
Entuziazmi i shifrave rekord te IHD është i madh, por përfitimet e tyre duhet të reflektohen realisht në ekonomi dhe në mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që të punohet në drejtim të përmirësimit të faktorëve që kushtëzojnë ndikimin e IHD mbi rritjen ekonomike.
Është e nevojshme të bëhet një punë më e madhe nga ana e qeverisë dhe institucioneve për të rritur konkurrencën, forcuar tregjet dhe aktivitetin e brendshëm privat, për të ngritur mekanizma të rishikimit të investimeve të huaja, me qëllim riorientimin e flukseve të tyre në sektorët me potencial më të madh eksportues dhe punësimi, për të investuar në arsim, kërkim shkencor dhe zhvillimin e kapitalit human, hartuar politika sociale që nxisin shtimin e lindjeve dhe parandalojnë plakjen e popullsisë, si dhe përmirësuar kuadrin ligjor e institucional dhe shërbimet financiare.
Nëse ka një vullnet politik për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, ky duhet manifestuar konkretisht edhe në parandalimin e hyrjes së parave të pista në tregun e brendshëm, që destabilizojnë çmimet dhe dëmtojnë eksportet, pagat dhe remitancat, ashtu sikurse edhe në rritjen e transparencës dhe parandalimit të praktikave korruptive, sidomos me kontratat PPP.
*Revista “Monitor”