Zbardhet urdhëri i Gjykatës së Fierit që nuk e lejonte Ferdinand Rukon, autorin e vrasjes makabre të gruas së tij, Liljana Ruko t’i afrohej. Bëhet e ditur se, Liljana Ruko kishte fituar një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Fierit, por nuk u mor në mbrojtje nga policia. Në vendimin me 12 pika, bashkëshorti i saj, Ferdinand Ruko cilësohej rrezik dhe ndalohej t’i afrohej gruas më tepër se dy metra. Por ky urdhër mbrojtje firmosur nga gjyqtari Egys Selmani nuk u zbatua nga policia dhe të shtunën burri hodhi gruan nga kati i katërt i banesës, duke i shkaktuar vdekjen. 43-vjeçarja ishte duke bërë dush, kurse dy fëmijët ndodheshin në dhomën e gjumit.
Urdhri mbrojtës ishte lëshuar nga Gjykata e Fierit në datë 11 nëntor dhe konfirmuar me një tjetër vendim të datës 25 nëntor. Në njërën pikë është përcaktuar qartë, se me zbatimin e këtij urdhri ngarkohej policia, Zyra e Shërbimeve Sociale në Bashki dhe Përmbarimi.
Nuk dihet pse nuk ka funksionuar ky zinxhir strukturash për ta bërë urdhrin të zbatueshëm, në një kohë kur çifti bashkë me fëmijët jetonte në një shtëpi. Sipas burimeve të grupit hetimor, me daljen e këtij urdhri mbrojtës, burri 52-vjeçar largohej shpesh nga shtëpia, por tri ditët e fundit ai ishte rikthyer dhe qëndronte aty, ndërsa policia nuk ndërmori asnjë veprim për ta ndaluar ndonëse kishte një vendim Gjykate që ai duhet të qëndronte 2 metër larg gruas.
Urdhëri mbrojtës
1- Të mos ushtrojë dhunë fizike, psikologjike dhe kërcënime ndaj gruas së tij
2-Urdhërohet i padituri të mos ngacmojë apo kontaktojë paditësen
3- Të lejohet paditësja të jetojë në banesën e ndodhur në lagjen “Kryengritja e Fierit” bashkë me fëmijët.
4- Urdhëron të paditurin të mos i afrohet të paditurës përtej distancës 2 metra
5- Urdhëron të paditurin të paguajë pension ushqimor prej 270 mijë lekësh të vjetra në muaj për dy fëmijët
6- Përcaktohet afati një vit për kohëzgjatjen e urdhërit të mbrojtjes
7- I bëhet me dije të paditurit se shkelja e këtij urdhëri përbën vepër penale të parashikuar nga neni 320 i Kodit Penal
8- Vendimi u dërgohet Komisariatit të Policisë së Fierit, Zyrës së Shërbimeve Sociale në Bashki dhe Zyrës Përmbarimore
9- Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të paditurit
10- Vendimi i delegohet Zyrës Përmbarimore për ekzekutim si titull ekzekutiv.
Rrëfimi i dëshmitarëve
Vrasja e Liljana Rukos mund të ishte shmangur nëse nuk do të vazhdonte të jetonte në të njëjtën shtëpi me bashkëshortin, pasi e kishte denoncuar në polici për dhunë ndaj saj. Dëshmitarët rrëfejnë se burri e kishte nxjerrë viktimën në dritaren e banjës për ta hedhur poshtë, ndërsa ajo kacavirrej për t’i shpëtuar vdekjes. Sipas dëshmitarëve kjo skenë ka zgjatur 3 minuta dhe banorët mund ta shpëtonin vetëm po të reagonin shpejt. Përpjekjet e viktimës për t’u mbajtur nga njëra anë dhe mllefi i autorit për ta shtyrë nga ana tjetër zgjatën të paktën 3 minuta.
52-vjeçari Ferdinand Ruko ka rrëfyer motivin e krimit të rëndë. Fillimisht, ai tha se shkak ishte bërë xhelozia për bashkëshorten, por më pas e ndryshoi këtë deklaratë, duke shpjeguar se shkak për sherrin që e çoi në vrasjen e gruas ishte bërë denoncimi i saj në polici për dhunë nga bashkëshorti. Policia e Fierit konfirmoi se, një muaj më parë kur sapo ishin kthyer nga Gjermania bashkëshortët Ruko janë grindur për probleme ekonomike. 52-vjeçari e ka goditur gruan dhe kjo e ka denoncuar në polici. Nga ky denoncim 43-vjeçarja kishte marrë urdhër mbrojtjeje, megjithëse vazhdonte të jetonte në të njëjtën shtëpi me bashkëshortin. Ferdinand Ruko ishte proceduar penalisht dhe Gjykata e Fierit ku kishte nisur procesin gjyqësor ndaj tij për dhunë në familje. Vendimi i Gjykatës është dërguar instancave përkatëse në Bashki dhe në Polici, por policia nuk e zbatoi urdhërin e mbrojtjes së gruas fatkeqe dhe si pasojë, ajo u vra në mënyrë makabre nga burri i saj.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur dje “arrest me burg” për burrin monstër që hodhi gruan nga dritarja. Sipas dëshmisë së tij, krimin e kreu nga xhelozia. “E qëllova, i vura duart në fyt. Në gjendje të fikti hapa dritaren e banjës e kapa nga këmbët dhe me kokë poshtë e lëshova poshtë”, ka thënë Rukaj.
Vëllai i viktimës Liljana Ruko ka kërkuar të marrë në kujdestari dy fëmijët e saj, të cilët në momentin e krimit ndodheshin në dhomën tjetër të banesës në katin e katërt të një pallati në Fier.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e shtunë, ndërsa gruaja kishte marrë urdhër mbrojtje nga Gjykata, ndonëse vazhdonte të jetonte në një banesë me bashkëshortin.
Basha: Shoqëria shqiptare ndodhet mes varfërisë dhe dëshpërimit
Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar për dy krimet makabre të ndodhura në Fier dhe në Korçë.
Basha shprehet se, shoqëria shqiptare ndodhet mes varfërisë dhe dëshpërimit, që sjellin edhe këto krime brenda familjeve.
“Jam i tronditur nga krimet e tmerrshme në familje në Fier dhe në Korçë. Jam veçanërisht i hidhëruar që këto krime kanë marrë jetë të pafajshme fëmijësh dhe grash. Këto ngjarje më shumë se krime individuale reflektojnë gjendjen e varfërisë dhe dëshpërimit ku ka hyrë shoqëria jonë, si dhe rënien e mbështetjes shoqërore për njëri-tjetrin”, shprehet Basha.
Kryetari i PD thotë më tej se, Shqipërisë duhet t’i kthehet shpresa, duhet t’i kthehen mundësitë në mënyrë që të gjithë të jetojnë të mirëqenë dhe të qetë. “Politika ka rolin kryesor për këtë gjë: ajo duhet të pushojë së punuari për pakicën dhe duhet t’u rikthehet njerëzve dhe halleve të tyre.
Ne nuk mund të vrasim njëri-tjetrin, duhet të vrasim politikën e keqe. Ne duhet të japim jetën për fëmijët tanë dhe jo të marrim jetë fëmijësh”, përfundon Basha.
PD: Policia nuk kreu detyrën për mbrojtjen e gruas në Fier
Partia Demokratike ka reaguar ashpër dje ndaj Ministrisë së Brendshme për mosmarrjen në mbrojtje të gruas që u vra nga bashkëshorti i saj në Fier, ndonëse për të kishte një urdhër mbrojtjeje. Kreu i Departamentit të Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj akuzoi ministrin Saimir Tahiri si përgjegjës direkt për vdekjen e gruas në Fier. Alibeaj tha se, policia nuk e zbatoi vendimin e Gjykatës për marrjen në mbrojtje të gruas.
“Sot është zbuluar me prova e fakte, se viktima Liljana Ruko kishte urdhër mbrojtjeje nga Gjykata, pra që ta mbronte nga bashkëshorti që i mori jetën. Sot që u publikua ky vendim, që tregon se Policia nuk ka bërë detyrën, Saimir Tahiri krekoset dhe jep mend, bën si i dhembshur dhe thotë se fajin e paskan të tjerët, e paska politika! Kjo është një përgjegjësi konkrete, e tija dhe vetëm e tija. “Sepse ai mban përgjegjësi kur policia nuk zbaton një vendim Gjykate, kur nuk mbron një grua të kërcënuar në mënyrë sistematike”, deklaroi Alibeaj.
Alibeaj tha më tej se, Tahiri mban përgjegjësi për vdekjen e gruas në Fier. Me dhjetëra policë sulen për një makinë të parkuar keq, apo për t’i hapur rrugën atij dhe udhëheqësve të tjerë, por nuk gjendet një polic për të mbrojtur jetën e një gruaje. T’i lërë dënglat e të mbajë përgjegjësi, sepse është direkt përgjegjës për humbjen e jetës së gruas në Fier”, deklaroi Alibeaj.
Rritja e krimeve, Hajdarmataj: Tahiri të thirret në seancë dëgjimore
Deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Fier, ku burri vrau gruan apo dhe horrori në Korçë, ku një baba vari dy fëmijët e tij e më pas u vetëvra. Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook” Hajdarmataj theksoi se, familja shqiptare po lëngon nga mosekzistenca e shtetit për gratë.
Nga ana tjetër, deputetja e djathtë i ka bërë apel Presidentit Bujar Nishani që të mbledhë KLD për të monitoruar drejtësinë e vendimeve të gjykatave për viktimat e dhunës. Sakaq, ajo bëri thirrje që të mbahet një seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm për të shpjeguar dështimin e policisë në zbatimin e urdhrave të mbrojtjes për gratë e dhunuara.
“Çfarë na duhen kuotat gjinore në politikë, kur vendi është në një emergjencë kombëtare për kuotat e sigurisë së jetës, sidomos të grave? Sot, në krizën më të thellë që po lëngon shoqëria dhe familja shqiptare nga mosekzistenca e shtetit, ne grave deputete, (absolutisht të pakushtëzuara nga forca politike), duhet të shpallim me emergjencë, një mision kombëtar: “Gratë për gratë, nënat për nënat dhe mbi të gjitha, të gjitha bashkë për fëmijët, për engjëjt e pambrojtur nga instiktet mizore”.
Duke përkrahur me vlerësim, kërkesat e koleges Bregu, mendoj se zëri i saj nuk mund të mbesë vetëm një jehonë, për institucionet që janë në përgjumje ose të kapura nga korrupsioni dhe interesat e qeverisë.
Askush më mirë dhe më me kompetencë se sa Aleanca e Grave Deputete, mund të ndërmarrë nismat e theksuara nga deputetja Bregu për;
-Apel Presidentit të Republikës të mbledhë KLD për të monitoruar drejtësinë e vendimeve të gjykatave për viktimat e dhunës.
-Të thirret në seanca dëgjimore, ministri i Brendshëm për të shpjeguar dështimin e policisë në zbatimin e urdhrave të mbrojtjes për gratë e dhunuara.
-Propozime urgjente ligjore për rëndimin e sanksioneve në legjislacionin kundër dhunës në familje.
Nuk ndreqet asgjë me mallkime, sharje, trishtim apo lutje. Nevojitet një plan kombëtar veprimi konkret, për masat kundër dhunës në familje, para se këtë vend ta marrë vërtetë lumi”, shkruan Hajdarmataj.