Prokuroria e Posaçme, pas arrestimit të ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro, ka sekuestruar pjesën e dytë të sipërfaqes së investimit strategjik të bashkëshortit të Olta Xhaçkës.
SPAK njofton se është vendosur masa e sekuestros preventive për një sipërfaqe toke prej 5080 m2 në Himarë.
Nga hetimet ka rezultuar se Jorgo Goro në bashkëpunim me persona të tjerë, përmes falsifikimit të dokumenteve, kanë realizuar zhvendosjen faktike në terren të kësaj sipërfaqe toke duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
“Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren”, raporton SPAK.
Prokuroria e Posaçme informon se planvendosja ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5.512 m2 të sekuestruar më parë nga SPAK.
E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10.592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal Nr. 189, të vitit 2023, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25, të Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2, i Kodit Penal, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 176, datë 28.03.2024, ka vendosur:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me nr. 176 regjistri themeltar, datë regjistrimi 19.03.2024, me palët dhe objektin e përcaktuar në pjesën hyrëse të vendimit;
2. Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme të identifikuar si “Pasuria numër 36/341, sipas AMTP nr. 9715 datë 07.02.1994, aktualisht e identifikuar në vërtetimet hipotekorë me nr. 112, datë 16.04.2020, dhe nr. 1116, datë 24.12.2013, e cila është konturuar nga Bashkia Himarë në zonën me nr. Pasurie 36/35 me sipërfaqe 5080 m2;
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit, kanë marrë masat për ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Posaçme datë 28.03.2024, nxjerrë mbi bazën e vendimit penal të mësipërm të marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në vijimësi edhe të njoftimeve të mëparshme të bëra nga Prokuroria e Posaçme, (sipas linkut: https://spak.gov.al/njoftim-per-shtyp-date-23-03-2024-2/ ) nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, persona të cilët tashmë kanë pozitën procedurale të shtetasve nën hetim, kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5 080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren.
Kjo planvendosje ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5 512 m2 të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme.
E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.
Arrestimi i Jorgo Goros dhe investimi strategjik
Jorgo Goro u arrestua më 23 mars nën akuzën për shpërdorim detyre në lidhje me pronën ku Artan Gaçi, ish-deputeti socialist dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, po ndërton një investim strategjik në miliona euro.
SPAK e akuzon Goron se ka shpërdoruar detyrën në dy episode, në të parin duke shmangur Këshillin e Qarkut për sipërfaqen prej 5512 metra katrorë tokë dhe mbi bazën e dokumentit të tij, toka u regjistrua në Kadastër në kundërshtim me ligjin dhe më pas iu shit nga Stavri Mëhilli ish-deputetit Gaci, me një vlerë relativisht të ulët krahasimisht me tregun.
Stavri Mëhilli e kishte siguruar pronën përmes dokumenteve false e për këtë, ai është shpallur në kërkim, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Kryebashhkiaku në detyrë i Himarës akuzohet edhe për sipërfaqen prej 5080 metra katrorë, që po ashtu në finale ka kaluar në duart e bashkëshortit të Olta Xhaçkës. Në lidhje me këtë sipërfaqe, ai e ka kaluar përgjegjësinë tek Drejtoria e Menaxhimit në tokës.
Goro ka deklaruar para prokurorëve, se thjesht ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni drejtuar Kadastrës së Vlorës pas përpilimit të dokumentacionit nga drejtoria përkatëse. Por sipas SPAK, Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, në atë kohë drejtori i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, pa kryer verifikime kanë përcjellë dokumente të falsifikuara pranë organeve kompetente dhe mbi bazën e tyre, ka bërë të mundur regjistrimin e sipërfaqes prej 5512 m2 tokë bujqësore pronësi shtet në favor të subjektit “Pribta”.
Prokuroria thotë më tej së ka kryer veprime faktike në terren të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 5080 metra katrorë duke ia mbivendosur atë një pasurie toke shtet.
Jerasimo Bashi dhe Stavri Mëhilli nuk janë gjetur ende nga policia, ndaj masat e sigurisë për ta nuk janë ekzekutuar.