Edi Rama është drejtuesi i qeverisë më të korruptuar në Europë. Ai ose është i paaftë, ose është bashkëfajtor, në të dyja rastet duhet të mbajë përgjegjësi

Nga Gentian Gaba

Rilindja e tij ka më shumë funksionarë në brug sesa në zyrat e shtetit, ai është përgjegjës kryesor për frymën me të cilën ka qeverisur vendin, me afera të panumërta (kanabizimi, inceneratorët, koncesionet në shëndetësi, rrugët milona euroshe, Becchetti, vjedhja e fundove të BE të bujqësisë, etj. etj. etj.), fryti më i dhimbshëm i të cilave ka qenë shpopullimi dramatik i vendit.

Jetëgjatësia e tij në pushtet mbetet produkti i korrupsionit me të cilin ai dëmtoi interesat publike për të avancuar interesat e tij elektorale, kriminalizimi i jetës institucionale, duke futur kriminelë në zyrat e shtetit, gabimet e opozitës që nuk u reformua mjaftueshëm për të tejkaluar pengesat që pushteti vendosi në rrugëtimin e saj, e mbi të gjitha infrastruktura institucionale e dakordësuar në 2008-ën, nga Rama dhe Berisha, me të cilën u pajtua edhe antagonisti i herëshm i këtyre ndryshimeve, Meta, pasi për dy mandate u bë pakicë bllokuese e për rjedhojë përfituese.

Këtë ekuilibër e shkallmoi nisma e SHBA për sanksionimet në vend dhe rajon për non grata, e cila në Shqipëri përcillet edhe me reformën në drejtësi, si mjet për të ndarë pushtetet dhe zhbërë sundimin e një grupi të vogël njerëzish, që përmes makinacioneve (para krimi e korrupsion, klientelizëm dhe media jo të lira), riciklojnë njëri-tjetrin dhe klikën plot takëme të tranzicionit.

Dhe, mesa duket nga intensiteti përvëlues i ngjarjeve politiko-juridike, jemi në një kapërcyell epokash, të diktuar nga ingranzazhet e vëna në lëvizje në Korrik të 2016-ës, e që me ngadalë, por pa u ndaluar, po shtrëngojnë litarin në fytin e lojës së vjetër, e pikërisht sepse e vjetër, është bërë e ngathët dhe e kuptueshme në lëvizjet e saj, në dukje të forta e kaotike.

Ja një kronologji:

– Pas pezullimit të Berishës nga grupi parlamentar i PD, përfaqësuesja e SHBA deklaron në selinë e PD se mezi pret që të festojnë fitoren e PD;
– Dialektikisht, Rama kupton se perdia po ulej mbi Rilindjen e tij dhe mban në sipërfaqe Berishën; Rama i jep Shkodrën Berishës në 2022 për të sulmuar Bashën, Berisha i jep gjithë Shqipërinë Ramës në 2024;
– Berisha nis përballjen me drejtësinë; Rama bën sikur mohon ngritjen e komisioneve hetimore (e drejtë kushtetuese e pamohueshme e 35 deputetëve), qëllimi është stisja e një krize parlamentare për të futur në lojë përsëri mikun e tij të 2008-ës si faktor bllokues, për të penguar ndryshimet për reformën zgjedhore që Ramës nuk i interesojnë, duke u thënë të hujave, unë duhet të merrem vesh me këta edhe pse ky është non grata (pretekst i non gratës është falsitet i Ramës që prej vitesh bashkëpunon me Dakon, Doshin e Rakipin).
– Kriza artificiale arrin qëllimin, godet Komisionin e Reformës Zgjedhore, aty ku PD kishte propozime konkrete në dobi të interesit publik, e ku PS do të duhej të mbante një qëndrim mbi këto propozime. Sigurisht, PS ka interes të mbaj gjërat kështu siç janë, nuk do reformë zgjedhore reale, sikurse edhe Rithemelimi, që sot e kësaj dite nuk ka një propzim konkret për sistemin. (Intermezzo: Thonë që me Ramën nuk ka zgjedhje të lira, po si mundet ky Rama i fortë atëhere?! Duke bërë aleancë me partnerë më të fortë se Rama, që janë matanë Adriatikut, por sovranistët dun babën);
– Por kjo nuk mjafton për Rilindjen dhe Rithemelimin, sepse atyre nuk u duhet vetëm bllokimi i një Refrome të vërtetë Zgjedhore, u duhet edhe një pretekst për të mbyllur diskutimet, për të mos lejuar ndryshime që janë kundër interesave të tyre, dhe këtu vijmë të kriza e dytë artificiale pas asaj që shpërtheu në Tetor, dosja e “Xibrakës”.
– Pyetja lind natyrshëm pse tani? Pse jo para marrëveshjes? Pse kur je ulur për të bërë “reforma” me Ramën? Mesa duket, pasi stuhia e parë në gotë u mbyll me dy komisione hetimore që shërbejnë si zbor për revolucionin imagjinar dhe vrasjen e Komisionit të Reformës, dhe dashuria e rigjetur u festua me lule e buzëqeshje për Ministren e Ramës, shpërthimi me detonator të kurdisur 5 muaj më parë në studio televizive i dosjes, ka si qëllim krijmin e perceptimit në publik të një mosmarrëveshje të re (që ka sebep të vjetër), e cila shumë shpjetë do të bëjë që palët të bëhen refraktare (sigurisht me kurdisje), kur do vijë momenti për të prekur tema të rëndësishme për ndryshimet zgjedhore. E ku ka më mirë se shpërthime të kontrolluara për të hedhur në erë një urë që nuk i hynë në punë as Rilindjes, e as Rithemelmit, pasi tashmë janë të dyja në të njëjtën anë të lumit, atë anti-SPAK dhe në mbështetje të STATUS QUO-së (mbajtjes së gjendjes kështu siç është, ku mund të ndryshojnë personazhet dytësorë, tretësor, por jo ingranazhet që i lëvizin);
– Dhe vijmë te thembra e Akilit, SPAK. Teksa dashuria e ripërtërirë mes Rilindjes dhe Foltores nisi të bëhet e sikletshme për palët në sytë e qytetarëve, ndërkohë që po përgatisnin celeberimin e radhës në publik, amnistinë, Xibraka ishte shpërthimi i kontrolluar më i mirë për të bërë sikur po zihemi, ndërkohë që duke bashkuar votat, i japim një mesazh SPAK, përveç atyre që vijnë me zë e me figurë, por edhe me kartona: “Kujdes, se nuk ka vetëm Amerikë këtu, ka edhe parlament.”

Ky ishte pra Revolucioni i rilindur, apo Rilindja e rithemeluar, anë të ndryshme, të së njëjtës monedhë fallso. Tani, trashja e zërit, me akuza të ricikluara, në dukje të hatashme, por që shërbejnë vetëm për një polarizim fiktiv, që mbush ekranet, që ul arsyetimin, që asgjeson debatin, kanë në thelb vetëm pengimin e çdo ndryshimi në interes të njerëzve.

E thënë thjeshtë, revolucionarët në tentativë do thonë: Rama është koka e krimit, nuk mund të ketë reformë me të (a thua nuk është ky me të cilin janë ulur te komisini 3+3, a thua nuk është ky dhe Manja i “Dosjes 184”).

Ndërsa Rama, nga ana tjetër, do thotë që e provuam dhe nuk eci, ata janë të pandreqshëm, janë non grata etj etj. (a thua se nuk e dinte çfarë ishin deri para 2 ditës, a thua nuk di që non gratat i ka në qeveri).

Dhe kështu, të bashkuar në qëllime, por të ndarë sa për sy e faqe, do përpiqen të tërhiqen zvarrë, derisa dikush të trokasë te dera e një vile, apo e një zyre, e të thotë vijmë nga BKH, lini telefonat dhe kompjuterat në vend.

Dhe sa më shumë do afrohen, aq më agresiv do bëhen kundër SPAK, të cilin do kërkojnë të marrin nën kontroll me pretekstin e rrjedhjes së një lajmi diku, e një informacioni diku tjetër, që sipas Pallatit të politikës, diskrediton të hetuarit, shkel të drejtat e njeriut etj etj.

E ndërkohë që SPAK do kryej punën e tij, si në rastin e Bashkisë Tiranë, që e ka lënë Veliaj si gjethe fiku të korrupsionit me të cilin ka ushqyer pushtetin politik dhe zgjedhor, do ketë portesta e përplasje, por nuk do të ketë propozime politike për të pamundësuar që, përtej institucioneve hetimore, degradimi të shkojë deri në nivelin aktual të pushteti të Rilindjes.

E që kjo të ndodhë, politika nuk duhet të ketë hallin e drejtësisë, apo t’i mbivendoset asaj, por duhet të ketë sensin e përgjegjshmërisë për të ofruar alternativa reformuese, që fuqizojnë njerëzit dhe u japin atyre në dorë mjete për ta ndryshuar qeverisjen përmes votës, u japin mjete që forcojnë përfaqësimin dhe llogaridhënien. Pra, ndryshime të vërteta që vijnë përmes politikës e jo përmes rrokjes së histerimit akuzues, që nuk njeh vlera e parime, e që ka për qëllim krijimjn n
te qytetarët e ndjesisë së neverisë ndaj politikës, në mënyrë që lodra të mbetet në dorë të një pakice të vogël, e cila tërheq fijet e teatrit të kukullave, që nxjerrin në skenë. Thënë më thjeshtë, kërkojnë riciklimin e lojës ‘të ikë Lena e të vijë prena”, dhe nuk kërkojnë asnjë ndryshim strukturor që pamundëson abuzimin me pushtetin.

Por Rilindja e rithemeluar, apo Rithemelimi i rilindur dukshëm nuk ka interes ta bëj këtë; sepse, të vetëdijshëm për fundin e tmerrshëm që i pret, gjejnë lumturi te zgjatja me lojëra të rëndomta të këtij tmerri pafund. Nuk shpëtoni dot!

Artikulli paraprak“Djalli fshihet në procedurë”, avokati Artan Murrizi tregon dënimet e protestuesve: Asnjë prej tyre nuk përfiton nga amnistia e djeshme
Artikulli tjetër“Edi Rama në pazar me Rithemelimin e Berishës. Amnistia është vetëm fillimi”/ Karabina: PD e vendosur për t’i denoncuar pazaret e pista në kurriz të njerëzve