SHBA mbetet në krye me një diferencë të gjerë pas COVID-19, ndërsa vendet e tjera po përballen me recesione
Shtetet e Bashkuara janë pesha më e rëndë dhe e padiskutueshme kur bëhet fjalë për ekonomitë më të mëdha të botës. Prodhimi i brendshëm bruto i Amerikës në vitin 2022 ishte më shumë se 40% më i madh se ai i Kinës, ekonomia e dytë më e madhe në botë. Akoma edhe më e habitshme, PBB-ja e SHBA ishte mbi pesë herë më e madhe se ajo e dy ekonomive të tjera më të mëdha, Japonisë dhe Gjermanisë.
Të dhënat e fundit se Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar rrëshqitën në recesion, por rënia nuk ishte zyrtare, e përforcon hendekun e krijuar midis SHBA-së dhe ekonomive të saj homologe perëndimore, ndërkohë që aktualisht edhe Kina po përballet me sfidat e saj ekonomike.
Fuqia e ekonomisë amerikane pas pandemisë COVID-19 konsiderohet një mrekulli për shumë ekonomistë dhe ekspertë të ekonomisë botërore. Ata ia atribuojnë këtë tregut të fuqishëm të punës dhe natyrës dinamike të SHBA-së, në krijimin e bizneseve dhe teknologjive të reja, si dhe stimulin masiv fiskal dhe monetar gjatë pandemisë për të arritur një tjetër rezultat mbresëlënës në vitin 2023. Ekonomia e SHBA u rrit me 2,5% vitin e kaluar.
Në të kundërt, Japonia u përball me tkurrjen e ekonomisë së saj gjatë tremujorit të fundit të 2023 për shkak të rënies së konsumit të brendshëm. Në Mbretërinë e Bashkuar normat e larta të interesit dhe produktiviteti i ulët kanë ndikuar negativisht në treguesit ekonomikë të këtij vendi.
“Dallimi i madh këtu është se shkalla e rritjes së vendeve tona të punës ka tejkaluar rritjen e fuqisë punëtore për disa dekada,” thotë Brad McMillan, shefi i investimeve në Commonwealth Financial Network. Edhe pse popullsia e Amerikës po plaket dhe pensionet e reja ndikuan negativisht në tregun e punës gjatë pandemisë, McMillan thotë se vendi i saj ka ende një demografi më të favorshme se sa vendet e tjera homologe të Europës. Imigrimi gjithashtu ka nxitur tregun e punës në SHBA gjatë vitit të kaluar.
Maxime Darmet, ekonomist i lartë për SHBA-në dhe Francën në Allianz Trade, thotë se që nga pandemia, Europa ka humbur terren kur krahasohet me SHBA-në. Që nga fundi i vitit 2019, pak para se COVID-19 të mbërrinte në Amerikë, ekonomia amerikane është zgjeruar me 8.2%, thotë Darmet, ndërsa Eurozona është rritur me 3.5% dhe Japonia me 2.8%.
“Dallimi është politika fiskale,” thotë ai, teksa Kongresi i SHBA-ve ka stimuluar drejtpërdrejt konsumin duke i çuar paratë në duart e konsumatorëve kurse politik-bërësit europianë i kanë dhënë përparësi infrastrukturës dhe investimeve të tjera sistematike që kanë qenë shumë më të ngadalta për të gjeneruar vlerë ekonomike.
Gjithashtu, si printer i monedhës rezervë për botën, SHBA mund të marrë hua më shumë para përmes shitjes së borxhit të qeverisë dhe të ketë një deficit më të madh si përqindje të ekonomisë së saj sesa vendet e Europës.
“Ajo që kemi parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet evropiane është goxha e ngjashme – divergjenca në rritje me performancën më të mirë të ekonomisë amerikane”, shton Darmet.
Pavarësisht dominimit ekonomik të Amerikës, sipas të dhënave të fundit vendi më i zhvilluar i botës mbetet paksa pas në perceptimet e ndikimit të tij në ekonominë globale. Gjithsesi për matjen dhe performancën e një ekonomie, perceptimet je publikut anë të ndryshme. Në renditjen e vendeve më të mira të vitit 2023, publikuar nga “US News”, të anketuarit në sondazhin global e konsideruan Kinën si vendin nr. 1 me ndikim ekonomik, dhe SHBA-në e nxorën në vendin e dytë.