“As Veliajn nuk e shpëton dot Rama, as Ramën nuk e shpëton dot pazari me Berishën”/ Lapardhaja: Të gjithë që kanë punë me SPAK-un vijojnë me parimin “bëje Zot ëndërr”

Gazetari Namir Lapardhaja, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në rrjetin social facebook, ka komentuar deklaratën e një dite më parë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, duke u shprehur se “ashtu sikurse nuk mund të ketë një Kryeministër të ndershëm me ministra të korruptuar, ashtu nuk mund të ketë një kryetar bashkie që nuk ka lidhje me drejtorët hajdutë”.

Më tej ai thotë se “pavarësisht shantazheve dhe komunikimit të koduar, as Veliajn nuk e shpëton dot Rama, as Ramën nuk e shpëton dot pazari me Berishën”.

Lapardhaja shprehet se, tashmë, është e qartë se SPAK-u nuk kontrollohet nga shqiptarët dhe të gjithë ata që kanë punë me të nuk duan ta pranojnë, sepse janë të parimit “bëje Zot ëndërr” që të mos jetë e vërtetë.

 

Më poshtë postimi i plotë i Namir Lapardhasë:

Ashtu sikurse nuk mund të ketë një Kryeministër të ndershëm me ministra të korruptuar, ashtu nuk mund të ketë një kryetar bashkie që nuk ka lidhje me drejtorët hajdutë.

Pavarësisht shantazheve dhe komunikimit të koduar, as Veliajn nuk e shpëton dot Rama, as Ramën nuk e shpëton dot pazari me Berishën.

Ndonëse nuk duan ta pranojnë, e vetmja strukturë që funksionon sot në Shqipëri është SPAK-u.

Është Prokuroria e Posaçme që rrëzon të gjitha alibitë, se Tahirit ia bëri Veliaj, se Ahmetaj ia bëri Balluku, se Rama po shet miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij për të lënë pasardhës tjetër.

Që SPAK-un nuk e kontrollojnë shqiptarët, ky është fakt që thjesht ata që kanë punë me të vijojnë ende me parimin “bëje Zot ëndërr”.

Askush nuk e ka menduar se Veliaj do të përfundojë në dyert e drejtësisë, por nuk do të jetë e largët dita që edhe për këtë do të zhgënjehen.

Të gjithë përpara Dumanit ose do tregojnë shokët ose do të përfundojnë si shokët poshtë ballkonit sovranist të Surrelit.

Artikulli paraprakZgjedhja e Gjin Gjonit në krye të Rithemelimit në Lezhë/ Gentian Gaba: Minimi i demokracisë ka, tashmë, një kornizë të qartë për publikun
Artikulli tjetërREL: Aksidenti me emigrantët në Shqipëri ndez polemika për trafikimin me njerëz