Siç edhe mund të pritej, te Interi plas çështja Gabigol. Edhe pse momentalisht zikaltërit përballen me shumë probleme, trajneri Stefano Pioli dhe drejtuesit duhet t’i kushtojnë vëmendje çështjes së sulmuesit brazilian, një nga dy blerjet e mëdha të verës që këtë sezon e ka veshur fanellën zikaltër për më pak se 20 minuta në total. Që nga Brazili, agjenti i futbollistit Wagner Ribeiro, u ankua publikisht për aktivizimin e paktë të futbollistit.
“Gabriel nuk është i kënaqur te Interi, përtej raportit shumë të mirë që ka me shokët e skuadrës. Problemi ka të bëjë me fushën, pasi nuk po shikon ende asnjë shans për të luajtur. Do të kthehem në Itali në janar për ta zgjidhur këtë situatë njëherë e mirë”, u shpreh ai.
Agjenti i Gabigol në intervistën e tij u shfaq mjaft kritik ndaj të dy trajnerëve që kanë drejtuar Interin këtë sezon. “Fola me Kia Joorabchain dhe ai më tha se kishte patur një bisedë me Frank de Boer, pak para se të largohet me Interin duke e pyetur se çfarë kishte ndodhur me Gabigol dhe holandezi i ishte përgjigjur se nuk kishte asnjë problem. Shpjegimi nuk ishte shumë bindës. Pastaj erdhi Pioli, trajneri i ri tha se do t’i jepte një shans, por deri më tani asgjë. Javën e kaluar Interi humbi 3-0 dhe Gabriel mbeti në stol pa hyrë në fushë, atëherë kur do të luajë?”.
Më pas vështrimi hidhet nga e ardhmja. Në Brazil do të donin një rikthim të sulmuesit te Santos, por siç shpjegon agjenti është më i mundshëm një huazim në Itali.
“Mundësia për t’u kthyer më 2017 në Brazil ekziston, edhe pse është diçka shumë e vështirë. Kjo do të thoshte të kthehej si një humbës dhe mbi të gjitha nëse do t’i duhej të linte Interin e të kthehej në huazim, do të humbiste vendin e ekstrakomunitarit që fitoi kur u ble. Tani nëse shkon në një skuadër tjetër italiane mund të kthehet në qershor te Interi si komunitar dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse qëndron në Itali”.