Anëtari i kryesisë së PD, Myzafer Elezi, në një deklaratë për shtyp u shpreh se “policia është në gjendjen e saj më të keqe se kurrë”.
Ai u ndal në deklaratën e pak ditëve më parë të kreut të SPAK, Altin Dumanit, që foli për mosbesim te puna e policisë, për shkak të lidhjeve të tyre me botën e krimit.
“Megjithatë, problemi më alarmant lidhur me Policinë e Shtetit është deklarata
publike e kreut të SPAK, i cili konstaton lidhje të disa krerëve të saj me krimin e
organizuar. Është një akuzë publike që nuk e bën një forcë politike, që nuk e bën një gazetar apo një OJF, por e bën institucioni më i rëndësishëm i vendit për luftën kundër krimit të organizuar, SPAK.” – u shpreh Elezi.
“Partia Demokratike mbështet pa rezerva SPAK dhe e inkurajon atë në luftën ndaj krimit të organizuar në administratën shtetërore, përfshi edhe krimin brenda strukturave të Policisë.” – përfundoi ai.
DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYESISË SË PD, MYZAFER ELEZI
Të nderuar qytetarë.
Partia Demokratike ndanë shqetësimin e saj me qytetarët e vendit lidhur me gjendjen e sigurisë dhe kriminalitetit të shtuar në vend.
Aktualisht kemi një polici në gjendjen e saj më të keqe se kurrë, me dobësi të mëdha
në aspektin e organizimit dhe të funksionimit të saj.
Kemi një polici, e cila si gjithë vendi ynë aktualisht po përjeton sëmundjen e
hemorragjisë. Janë me mijëra efektivët e larguar, pavarësisht se Ministria e Brendshme nuk jep asnjë shifër në këtë drejtim. Por, nuk mjafton vetëm ky fakt, i cili cënon praninë e saj në terren duke j’ua lënë kontrollin e territorit vjedhësve dhe bandave të krimit.
Por, aktualisht e riorganizuar ajo paraqitet si një piramidë me kokë poshtë për shkak
të fryrjes në ekstrem të nivelit të saj qendror.
Është kjo polici, e cila funksionon në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2014. Këtij ligji, maxhoranca i ka bërë 12 ndërhyrje ligjore duke prekur edhe themelet e tij.
Dhe si të mos mjaftonin këto ndërhyrje klienteliste në këtë organ kaq të
rëndësishëm, lidershipi politik i saj ka nisur konsultimin publik të një projekti të ri
të ligjit për Policinë e Shtetit.
Propaganda flet për ndryshime, kurse realiteti flet për paqëndrueshmëri ligjore dhe
për pavazhdimësi procedurash. Këto të fundit ngjallin vetëm konfuzion dhe mungesë
efikasiteti.
Megjithatë, problemi më alarmant lidhur me Policinë e Shtetit është deklarata
publike e kreut të SPAK, i cili konstaton lidhje të disa krerëve të saj me krimin e
organizuar.
Është një akuzë publike që nuk e bën një forcë politike, që nuk e bën një gazetar apo
një OJF, por e bën institucioni më i rëndësishëm i vendit për luftën kundër krimit të
organizuar, SPAK.
Një fakt i tillë përbën një këmbanë të fortë alarmi për publikun, për fëmijët tanë, për
të rinjtë që largohen çdo ditë nga vendi, por edhe për partnerët ndërkombëtar që asistojnë e bashkëpunojnë me këtë polici.
Partia Demokratike mbështet pa rezerva SPAK dhe e inkurajon atë në luftën ndaj krimit të organizuar në administratën shtetërore, përfshi edhe krimin brenda strukturave të Policisë.
Ju faleminderit.