Prof. Asoc. Dr. Irina CANCO
Zhvillimi ekonomiko-shoqëror i një vendi fokuson mirëqënien e shtetasve duke plotësuar nevojat ekonomiko-sociale, shëndetësore dhe rigjeneruese të anëtarëve të shoqërisë. Këto arrihen nëpërmjet të punës dhe vlerësimit të saj, vecanërisht vlerësimit monetar-pagës, për të cilin janë interesuar nga këndvështrime jo të njëllojta si punonjësi ashtu edhe punëdhënësi. Paga përbën një nga parametrat e rëndësishëm të tregut të punës. Nisur nga kjo, paga si parametër ekonomik luan rol të rëndësishëm nga këndvështrimi mikro dhe makro ekonomik. Siguria dhe dobishmëria e përmirësimit të kushteve ekonomike dhe sociale të shtetasve janë të lidhura ngushtësisht me pagën dhe politikat e pagave. Për këtë paga si element i politikave qeveritare dhe në vazhdimësi ka përbërë dhe vazhdon të përbëjë një problem që preokupon edhe organizmat kombëtare dhe ndërkombëtare dhe kryesisht dy organizma të rëndësishme ndërkombëtare si OKB dhe ILO, gjë që dëshmohet me faktin se paga është mjaft e trajtuar në literaturën ekonomike si dhe pasqyrimin që ajo gjen në dokumenta të rëndësishme ndërkombëtare.
Në deklaratën universale për të drejtat e njeriut e deklaruar dhe e proklamuar nga Asambleja e Përgjithshme me rezolutën 217 A 10 dhjetor 1948 artikulli 3 paragrafi 3 thuhet se: “çdo njeri që punon ka të drejtë për një shpërblim të drejtë e të favorshëshëm duke siguruar për veten dhe familjen e tij një ekzistencë të vlefshme për dinjitetin njerëzor”.
Siç lexohet problemi i pagave është mjaft i hershëm. Ajo shikohet jo vetëm nga këndvështrimi ekonomik, thjesht si një shpërblim për punën, por edhe nga këndvështrimi human. ILO nga ana e saj ka miratuar një sërë rezolutash në lidhje me pagën dhe në mënyrë të veçantë për pagën minimale. Ajo në vazhdimësi ka qënë objekt i dokumentacioneve të rëndësishme.
Vendosja e një balance humane në një shoqëri, është e lidhur në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo dhe të tërthortë me pagën, prandaj ajo meriton vëmendje.
Ndërtimi i sistemit të pagave synon në vendosjen e raporteve të drejta midis pagave të larta dhe atyre të ulta e të mesme në mbështetje të kualifikimit që kërkon kryerja e punës për çdo vend pune me synimin për të nxitur rezultate sa më të mira në punë. Të gjitha këto gjejnë pasqyrim në hartimin e piramidës së pagave në rang kombëtar.
Problemi i pagës është i lidhur me interesat e çdo punonjësit dhe qëllimi kryesor për të cilin ai punon si dhe me interesat e çdo organizate. Niveli absolut dhe relativ i saj lidhet me standartin e jetesës, me tregun e punës, emigracionin etj. Paga përbën një faktor motivues për punonjësin, madje është faktori i parë dhe më i rëndësishëm motivues. Ndaj rritja e pagave konsiderohet në çdo rast i rëndësishëm.
Pavarësisht nga sa më lart, si përcaktimi i madhësisë së pagës ashtu dhe ndryshimet e saj në drejtim të rritjes meritojnë vëmendje, pasi duke qënë se ajo është element i shpenzimeve të përgjithshme të konsumatorit dhe mund të shkaktojnë riciklime të parave. Por jo gjithmonë rritja e pagave mund të çoj në inflacion. Rritja e pagave mund të ndikojë në rritjen e kërkesën për produkte të ndryshme në tregun e prodhimit duke ndikuar pozitivisht në rritjen e prodhimit nga bizneset. Megjithatë, rritja e pagave nuk mund dhe nuk duhet të bëhet e sforcuar por sipas një politike pagash që është rezultat i një pune shkencore (studimore) me pjesëmarrje të profesionistëve dhe përfaqësuesve të unioneve të punës. ILO është e përkushtuar të promovojë politika mbi pagat dhe të ardhurat që sigurojnë një pjesë të drejtë të fryteve të punës. Që nga viti 2008, ILO publikon Raportin Global të Pagave, një nga raportet e saj kryesore dhe një burim autoritar informacioni mbi tendencat dhe politikat e pagave në nivel kombëtar dhe global. Është e rëndësishme që rritja e pagave dhe çdo reformim i hierarkisë së pagave të konsiderohet një angazhim profesional dhe transparent ku të spikasi fakti që paga të jetë e bashkëmatëshme me kontributin e punonjësit. Gjithashtu ILO është e përkushtuar të promovojë politika mbi pagat dhe të ardhurat që sigurojnë një pjesë të drejtë të fryteve të progresit për të gjithë dhe një pagë minimale jetese për të gjithë të punësuarit që kanë nevojë për një mbrojtje të tillë.
Reforma e pagave në sektorin publik, krahas rëndësisë që ka si faktor motivues për punonjësit përbën njëkohësisht edhe një pikë reference edhe për sektorin privat. Pagat në sektorin privat rishikohen në konteksin e sigurimit të konkurencës në tregun e punës ku operon organizata e biznesit. Në këtë mënyrë paga do të jetë kompetitive për të tërhequr punonjësit e rinj. Rishikimi i pagave në sektorin privat fokuson faktin se duhet të ruajë buxhetin e organizatës nga shpenzimet e mëdha. Për këtë drejtuesit e organizatave në rritjen e pagës mund të orientohen nga “paga reale” që është raporti i pagës faktike mbi prodhimin që realizon punonjësi për këtë pagë (Wage/Production). Ky tregues është i rëndësishëm pasi krijon një lidhje midis tregut të punës dhe atij të prodhimit. Kjo është e domosdoshme pasi pagat e larta të pa mbështetura në produktivitetin, përgjithësisht ulin kërkesën për punë të drejtuesve të organizatave të biznesit duke gjeneruar papunësi.
Paga është njëkohësisht problem kyç që duhet të jetë e bashkëmatëshme me llojin, sasisë dhe cilësisë së punës dhe një përbërës kryesor i të ardhurave familjare. Deklarata e ILO-s e vitit 2008 mbi drejtësinë sociale për një globalizim të drejtë kërkon politika në lidhje me pagat dhe të ardhurat, orët dhe kushtet e tjera të punës, të dizajnuara për të siguruar një pjesë të drejtë të fryteve të progresit për të gjithë dhe një pagë minimale jetese për të gjithë të punësuarit dhe në nevojë për një mbrojtje të tillë.
Punonjësit kanë nevojë për paga, jo vetëm për të paguar shpenzimet për të plotësuar të gjitha kërkesat e domosdoshme për një jetesë me dinjitet njerëzor të pranueshëm, jo vetëm personal (strehim, ushqim, veshmbathje etj.), por edhe për të adresuar nevojat e familjeve të tyre. Problemi i pagës është i lidhur me interesat e çdo punonjësi dhe qëllimi kryesor për të cilin ai punon, me standartin e jetesës, interesat e vetë organizatës, emigracionin, etj.
Shpesh paga dhe të ardhurat personale të individëve konsiderohen si faktor bazë për emigracion. Për këtë ka dëshmi në rritje se shumë punëtorë migrantë gjithnjë e më shumë lëvizin përmes punës së përkohshme programet e migrimit, duke përfshirë për këtë qëllim e rritjes së mundësive të punës dhe marrjes paga më të mira (ILO 2022i, 24).
Rritja e migracionit pretendohet që e ka bazën në gjendjen ekonomike të shtetasve. Por ndikimi i varfërisë në lëvizjen migrative, nuk duhet të shikohet si një problem i shkëputur. Shkaktarët e lëvizjes migrative janë më kompleks. Teoria migrative ka përcaktuar dy grupe faktorësh që kushtëzojnë emigrimin: faktorë shtytës dhe tërheqës.
Ndër faktorët shtytës roli më i rëndësishëm i takon varfërisë me të gjithë dimensionet e saj si niveli i ulët apo shumë i ulët i të ardhurave, shkalla e lartë e papunësisë, etj. Gjendja ekonomike e një vendi luan rol përcaktues në lëvizjen migratore, kështu shumë faktorë si: papunësia, paga e ulta, mundësitë për aftësim profesional kushtëzojnë migrimin. Ky migrim konsiderohet si migrim i mbijetesës.
Por shumë të rëndësishëm janë edhe faktorë të tjerë shtytës si niveli i shërbimit shëndetsor, niveli arsimor e përkeqësimi i treguesve të arsimit dhe shkalla e përfshirjes në vendim marrje. Ka edhe faktorë të tjerë shtytës si stabiliteti ekonomik, problemet e bazës ligjore të domosdoshme për investime serioze në vend, korrupsioni, problemet e sigurisë, etj, të cilët përfaqsojnë të ashtuquajturit faktorë të pesimizmit social. Të gjitha këto bëjnë që emigrimi të mos perceptohet e të vlerësohet si qëllim, por si një mjet për të përballuar jetesën e vështirë, pra si një rrugë zgjidhje për të përmirësuar kushtet e jetesës.
Ndër faktorët tërheqës të lëvizjes migrative, si më i rëndësishëm dhe mjaft i vlerësueshëm është konsideruar shpërblimi më i mirë i punës (paga më të larta) në vendet emigrant pritëse, imazhet për jetën në perëndim, zinxhiri migrativ, etj, të cilat janë faktorë motivues për emigrim.
* Drejtuese e Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut Universiteti Europian i Tiranës