Lista Serbe bojkotoi votimin për shkarkimin e kryetarëve në veri të Kosovës, Knaus: Strategjia ndërkombëtare për dialog me Serbinë dështoi! Nëse BE nuk zgjohet, do të ketë luftë

Gerald Knaus nga Iniciativa Europiane për Stabilitet, ka reguar pasi Lista Serbe doli kundër votimit të 21 prillit për largimin e kryetarëve shqiptarë nga udhëheqja e katër komunave në veri të Kosovës.

 

Në një reagim në “X”, Knaus thotë se kriza në Kosovë që e nxiti dhunën në veri “do të vazhdojë”, se kjo “nuk mund ta befasojë askënd” dhe se nëse Gjermania, Franca, BE-ja nuk zgjohen, do të ketë luftëra të reja.

Ai shkroi më tej se strategjia aktuale e BE-së dhe SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka dështuar.

“Strategjia aktuale e dialogut të BE-së për Serbinë-Kosovën ka dështuar. Beogradi që në fillim ka hedhur poshtë hapur çdo strategji njohjeje ‘de facto’. Beogradi e përsëriti këtë, përsëri dhe përsëri: nuk ka marrëveshje. Nuk ka pasur kurrë. Strategjia e BE-së (dhe e SHBA-së) bazohet në analizën e gabuar: që procesi aktual i anëtarësimit në BE i jep BE-së ndikim në Serbi”, shkroi Knaus.

Ndër të tjera, ai theksoi se rënia e besueshmërisë nga BE lidhur me politikat e ndërmarra në rajon, e bën këtë një moment të rrezikshëm në Ballkan që nga viti 2001.

“Një arsye e dukshme për kolapsin e masave të BE-së është rënia e çdo politike të besueshme të pranimit në BE për këdo në rajon. E gjithë kjo bën që ky të jetë momenti më i rrezikshëm në Ballkan që nga viti 2001”, shkruan Knaus.

Ai thotë se “shumë në të gjithë BE-në ende nuk e shohin ose pretendojnë se nuk e shohin këtë”, duke shtuar se kjo nuk zgjidhet me “Planin e rritjes”.

“Në vend të kësaj, lojtarët kryesorë në rajon presin dhunë të re dhe përgatiten për të. Nëse Gjermania, Franca, BE-ja nuk zgjohen, do të ketë luftëra të reja. Dhe një dështim vërtet katastrofik të BE-së”, shkroi Knaus.

Artikulli paraprakProtesta e blegtorëve në Lushnje, deputetja Bano: Për PD-në bujqësia dhe blegtoria janë prioritete absolute
Artikulli tjetërSpartak Ngjela: Priten arrestime në Policinë e Shtetit