Ditën e sotme, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, ishte Isa Halilaj, nga sindikata e pavarur e mësuesve, për të folur për nxënësit e klasave të 9-ta, të cilët do të zhvillojnë 3 provime në fund të muajit qershor gjithashtu edhe për testet provë që zhvillohen para sezonit.
“Ndoshta duhet të ishte bërë më parë, sepse nxënësit në fund të muajit qershor në provimet e lirimit, duhet të kenë ide se çfarë është një test. Normalisht që mësuesit punojnë sistematikisht, por një test paraprak do i ndihmojë. Ne e kemi përshëndetur. Përveç kësaj ne kemi kërkuar që gjithmonë nga marsi deri në qershor, mësuesit e këtyre lëndëve janë të mbingarkuar sepse zhvillojnë konsultime me këta nxënës. Kjo është një punë e papaguar. Ne kemi kërkuar që ose duhet të paguhen, ose të shikojmë normat mësimore të këtyre lëndëve. Ndoshta për ne do të ishte më konkrete që të gjitha lëndët që jepen në provim norma mësimore të jetë jo më tepër se 18 orë në javë. Në arsimin 9-vjeçar janë me 20 orë. Ndoshta kalimi i tyre me 18 orë do të mbyllte edhe këtë problemin e korrigjimeve, sepse është një ngarkesë e madhe. Jemi në emergjencë kombëtare, duhet pakt kombëtar për situatën”, tha Halilaj.