Organizata Freedom House, me seli në Uashington, ka publikuar të enjten (11 prill) raportin “Vendet në Tranzicion 2024: Një rajon përballë forcave të autokracisë dhe demokracisë”.
Në kapitullin për Shqipërinë, Freedom House vë gjithashtu në dukje përkeqësimin e gjendjes së mediave dhe zvogëlimin e hapësirës të shoqërisë civile.
Sipas raportit, “pas hetimeve dhe akuzave të SPAK-ut ndaj Berishës dhe Ahmetajt, si dhe ekspozimit të lidhjeve ndërmjet disa grupeve të krimit të organizuar me biznese, politikanë dhe agjenci të rendit” është vënë re “një fushatë në rritje dezinformimi nga disa portale dhe nga figura të larta politike në qeveri dhe opozitë për të diskredituar punën e SPAK-ut.”
Këto përpjekje të shtuara të SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar të nivelit të lartë, sipas ‘Freedom House’, kanë nxitur sulme ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të tij nga të gjitha partitë politike, të cilat vazhdojnë të mos distancohen nga zyrtarët e akuzuar mes radhëve të tyre.
“Reagimi negativ nënvizon realitetin se SPAK-u nuk mundet të luftojë korrupsionin në nivelet më të larta i vetëm dhese është e rëndësisë jetike për demokracinë në Shqipëri, që partitë politike t’i largojnë ata që janë të përfshirë në korrupsion dhe që kanë një të kaluar që minon sundimin e ligjit dhe demokracinë”, thuhet në raport.
Gjithashtu organizata ‘Freedom House’ sjell një pasqyrë të zymtë edhe për skenën mediatike në Shqipëri.
Sipas raportit, një pjesë e madhe e mediave u janë nënshtruar interesave të biznesit dhe atyre politike të pak familjeve, apo kontrollohen nga biznesmenë që blejnë aksione në media për të përfituar kontrata publike në këmbim të raportimit të favorshëm.
Raporti identifikon grupin Top Media, pronë e familjes Hoxha, grupin Klan, pronë e familjes Frangaj, Media Vizion, pronë e familjes Dulaku, G2 Media, pronë të vëllezërve Ulaj, familja Hysenbelliu dhe gazetari italian Carlo Bollino.
Sipas gjetjeve të raportit, kanalet televizive “në pronësi të familjeve Hoxha, Frangaj, Hysenbelliu dhe Bollino patën 86.94 për qind të audiencës televizive në pesë muajt e parë të vitit 2023.”
Disa nga këto kompani mediatike, sipas raportit që u referohet organizatave që identifikojnë pronarët e mediave, marrin subvencione nga qeveria qendrore dhe lokale në këmbim të një mbulimi të favorshëm.
Raporti thotë se “kur mediat bëhen kritike ndaj qeverisë, si në rastin e Neës 24 të familjes Hysenbelliu, ato përballen me masa ndëshkuese, kërcënime dhe në disa raste gjoba të larta.”
Raporti dokumenton disa raste të sulmeve fizike dhe verbale ndaj gazetarëve në Shqipëri për raportimet e tyre rreth politikanëve të lartë dhe anëtarëve të dyja partive politike.
Raporti në veçanti vë në pah sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve Elvis Hila, Afrovita Hysaj dhe Elton Qyno, si dhe sulmin verbal ndaj gazetares së ‘Balkan Insight’ Ola Xama nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili iu referua asaj si “vrasëse me pagesë” pas publikimit të një shkrimi për hetimin e korrupsionit për tenderin e inceneratorit të Tiranës.
Sipas organizatës biznesmenë “paguajnë opinionistë dhe gazetarë dhe sponsorizojnë emisione kryesore televizive të debatit politik, të cilat ndikojnë në opinionin publik”.
Kjo sipas raportit bëhet “për të promovuar agjendat e partive politike në këmbim të përfitimit të kontratave për tendera publikë apo favoreve tjera.”